Poezia? Një pasion, që në mua pësoi një “metamorfozë” të vërtetë, duke më dhuruar një palë flatra të guximshme për të spikatur fluturimin qiejve të magjishëm.
(Autorja)
Të vraposh pas poezisë përmes kësaj bote me dallgë, ulërima, xhungla, gracka e të papritura fatkeqe, me ylbere iluzionesh, hipokrizi, stuhi virtuale dhe luftërash me armiq të padukshëm si kjo e këtij fillimshekulli është, në një farë mënyre, vetësakrifikim, mos më shumë.
Me fjalë të tjera, Rudina Muharremi, në katër librat e botuar e sidomos me këtë të pestin, është një Euridikë që rend pas Orfeut dhe harpës së tij përmes kafkave, territ dhe akullnajave të Hadit dhe ata që e shohin e i ndjekin hapat e saj të guximshëm, gjurmëve të të cilëve, nuk është çudi të dallosh edhe pllanga gjaku. Megjithatë Rudina endet nëpër këtë botë-had, gjatë orëve të Tokës e të Njeriut, pa ua pasur ngenë ligësive, në kërkim të përmirësimit të gjithhershëm të vetvetes e veshjes me kuptim të hapësirave të zbrazëta të zemrave njerëzore.
Numri i botimeve, brenda një harku kohor mjaft të shkurtër nuk përkon me shtimin në sasi të tyre por me një rritje të befasishme të nivelit artistik në krijimtarinë e saj, nga botimi në botim, rezultat ky i sakrificave të vazhdueshme nga autorja.
Libri “Orët e Tokës”, që kemi në dorë, me poezitë që përmbledh, të sistemuara në dy cikle, është një vallëzim yllësish në universin e motiveve dhe frymëzimeve të Rudinës. “Çdo poezi që shkruaj, thotë autorja, është një shkëndijë, një tingull, një klithmë, një lot, një buzagaz, një drithërimë shpirti, një lloj instinkti vetëmbrojtjeje.” Dhe Rudina tashmë di të vetëmbrohet me parzmoren e artit të saj, qoftë nga shtizat e mosmirënjohjes, pasi terri u tregua më bujar se rrezja e dashurisë me ta, qoftë nga heshtat-rreze prej drite të fortë lavdërimesh.
“Sa më e qëndrueshme të jetë parzmorja, aq më i brishtë është shpirti që e vesh atë”, thekson me elegancë autorja.” Dhe mendimin e vazhdon me vargjet:
Horizontit përtej, lakadredhat e lumenjve….
Anije vikinge ndërton Floki bërrylave,
që feksin e zhbëhen shkreptimës së rrufesë,
në pritje të plaçkitin ç’mund…
“Zgjime”, në ciklin e parë të kësaj përmbledhjeje, janë edhe mëngjese me horizonte të përtejme deti ose me kurora të larta malesh, edhe me muzgje si në pikturat abstraksioniste, janë ditë pa orë e kalendarë, janë përgjigje ndaj muzikës së mëmës natyrë, ose dënesë e peizazheve nën mjegull, janë edhe mesditat e një udhëtimi në një autostradë ndërkontinentale, edhe endja nëpër kujtime, nëpër kohë, ëndrra e fantazi.
Zgjime si këto premtojnë një ekzistencë, që u vlen edhe të tjerëve, që i duhet edhe botës, me të gjitha gjallesat dhe përbërjet e saj. Zgjime të tilla na sjellin mesazhe për të shkuar më shpesh dhe më miqësisht te zemra e natyrës, jo pse ajo ka nevojë për ne, por se ajo na duhet për jetën tonë në virgjërinë e saj:
Brenda,
detyruar ngujimit,
kësaj viroze të egër,
përtypte kohën,
tek dëgjonte fjalët në kod të zogjve,
e psherëtimat e luleve sodiste nga larg.
Kjo është tragjedia e mungesës së harmonisë sonë me mëmën natyrë, ky është akti tragjik i mendimit tonë të mbrapshtë, se gjoja natyra është e jona dhe jo ne të natyrës, akt të cilin po e përjetojmë si një pësim që duhet bërë sa më ngutshëm mësim.
Ndërsa “Lundrime”, te cikli i dytë janë kapërcimi i ujanave për të shuar mallin e dashurive ,atyre grimcave të ndjesive që i kemi si vullkane brenda shpirtit, janë arrati përtej të rëndomtës, janë endje kureshtare nga jeta në vdekje dhe anasjelltas. Pa këto lundrime s’do të ishin portet, limanet, stacionet, aeroportet, udhët, tek e fundit, nuk do të ishte bota.
Për zverku më kapi jeta
Më tha se duhet të luftoj.
Shkëmbin më dha,
tatëpjetës së vjetër,
tek rrokulliset botës poshtme,
nga ku ta ngre përsëri në majë
bëra, që forca të më vijë,
Shkruan autorja në poezinë: “Pa zgjidhje”, duke ndërtuar një imazh të ri e krejt modern të mitit të lashtë të Sizifit.
Ajo që i bën të afërta dhe elegante motivet e këtij cikli është mjeshtëria e vjershërimit, qoftë në formë, po ashtu edhe në procedimin artistik. Nga libri në libër (duke mos përjashtuar edhe përmbledhjen në fjalë) autorja merr e rimerr motive, sidomos nga vendlindja dhe nga njerëzit e saj më të dashur. Por kjo përsëritje nuk vihet re, falë larmisë së trajtimit artistik dhe këndvështrimit.
Në këtë pikëpamje, me “Orët e Tokës”, Rudina afirmohet me një pjekuri të admirueshme mjeshtërie duke na befasuar me arsenalin e saj të shprehjes poetike.
Dhe ky nuk është thjesht një mendim dashamirës e miqësor, por një bindje që vjen pas leximit të vargjeve si këto:
Dëgjonte në heshtje veten,
ditës së fundit të pranverës së parë,
tek maste me sy udhën para-pas kuintave,
e perdja, më shumë se me një utopi,
i ngjau me tehun e një humnere.
Fuqinë e metaforës, finesën e shprehjes, kujdesin për fjalën, nëntekstin dhe ndjenjën e fuqishme i gjen, pothuaj në çdo poezi të poetes.