Pranverë e ndaluar..
*
Mblodhi rraqet dimri e në valixhe i rrasi,
Udhës s’gjatë ngarkuar, për t’u kthyer përsëri…
Neuroneve të tij si fletë të thara i palosi
Ditët e mia, si fosile palë – palë i rradhiti!
*
Dallandyshja e parë pushtoi ballkonin tim,
Manushaqa çuditur përgjojnte oborrit matan,
Kjo pranverë si libër i verdhë, i ndaluar n’agim..
Si verë e vjetër që koha çmimin lart e mban.
*
Iu derdha bregut të lumit nga pritja e gjatë,
Një avull i hollë, i lagësht, endej n’ajër lehtë,
Ngrihej ujvarës e një aromë uji u përhap,
Që rrëzohej me shije uji mbi lule e çdo fletë…
*
Tutje shtegut t’pyllit valëzonte dehur lëndina,
Luledelet me një këmbë e fustanet e brisht’
Vallëzonin romancën si mjelmat – balerina,
Buzëqeshur më zhveshën shijen e trishtë..
*
Si pulëbardha që se braktis bregun kurrë,
E klithmat gëzuar me stërkalat i bashkon,
Galaktikash shpirti im çmendur si furrë
Yllit të mëngjesit hedh hapin në sinkron!
*
Ashtu ngazëllyer në paqe, përqafuar me lirinë,
Shkaravinat derdha me të shpejtë në ditar,
Më joshi, më dehu, kjo pranverë me lumturinë,
Si ylber pas shiut shkëndriti, si shall i lar në ar..!
*
Vlorë, 06.05.20