KOSTUMI I BABAIT.
Skicë
Mbaj mënd, kur isha I vogël, në dollapin e rrobave, rrinte varur, një kostum i babait.Ishte pothuaj i ri. Nuk e vishte.Nuk e pyeta kurrë babanë, si u ndodh aty.Ndofta ishte kostumi i dhëndërisë. Ndofta e veshi në ndonjë ceremoni dhe më pas…
Prindërit e mi u larguan nga fshati pas çlirimit. Ata u martuan në një kohë kur ’’s’ishte tharë ende loti/ kur toka kishte plagë, nga lufta e baroti‘‘, siç thotë kënga.E në ato kushte nuk ishte as koha dhe as mundësia ekonomike, për ceremoni dasme.
Po kostumi?….
…Babai im, qysh se e mbaj mënd unë e deri sa mbylli sytë, nuk veshi kurrë kostum e kollare.As për dasma e as për ceremoni varrimi.Veshja e tij e preferuar ishte kostumi i punës, kominoshet. Me to e shihje jo vetëm në orarin e punës, por shpesh edhe pasditeve.E vetmja ‘’grindje’’ në familje ishte për këtë temë.’’Na turpërove more burrë’’, e qortonte mamaja.E ai qeshte dhe e kthente me humor.
Kur lindi nipi i parë, babai fluturonte.Dilte nga puna, pa u ndëruar, pa ngrënë, i hypte autobuzit dhe e mbante frymën tek nipçja.Ndjehej mirë me atë ‘’kostum’’, ecte lirshëm, shpenguar, kuvëndonte natyrshëm e punonte më shumë.Ndërsa kostumi i zi terital nuk i shkonte, e ngushtonte, nuk i rrinte mirë, nuk i përshtatej…
Tek shkruaja këto rreshta për babanë, në televizor transmetohej filmi shqiptar ‘’Yjet e netëve të gjata’’, që mua më pëlqen shumë. Me mbeti në mënd dialogu i Metos;
-Përse më keni thirrur?- pyet Metua komisarin.
-Të të bëjmë dhëndër,- përgjigjet me humor Agoja.
E pra partizani Mete ishte i martuar dhe kishte një djalë.Atë ditë, ai u pranua në Parti, si një partizan trim dhe i ndershëm…A thua, babai im e kishte veshur kostumin, ditën që u bë komunist? Po kush ia dha, ku e gjeti, e bleu?
Më kujtohet im bir në vitet e adoleshencës.Mbi tryezen e tij të librave qëndronte një portret i Marksit.Nuk ia rekomandoi askush përveç se ideve dhe romantizmit të moshës.Është ajo periudha e ‚‘‘burrërimit‘‘ kur të rinjtë duan të ndryshojnë botën.Lexonte edhe ndonjë gazetë me prirje të majta.Kam shkruar edhe një tregim mbi këtë temë.
Por idealisti, shpejt u bë baba.Vëndin e Marksit, e zunë fotot e shumta të Melines, lodrat dhe librat për fëmijë.Bota ndryshoi vërtet, me këtë ëngjëll.
Në moshën e tim biri, babai doli partizan.Pas luftës mori pjesë në aksionet e rinisë, duke punuar fort , me ndershmëri e vetmohim, dhe me plot ëndrra për të ardhmen.
Nuk e di në se babai u pranua, apo e pranuan komunist. E ç’rëndësi ka kjo? Nuk besoj se në atë kohë bënin lutje per në parti.Por e them me bindje se partia u shtua me njerëz të mirë.Baza e saj mbushej me të rinj të devotshëm e patriotë, që ëndrrat e tyre i bashkuan në një ëndërr të madhe, për një Shqipëri të re, me njerëz të lire e të barabartë.
Me duart plot kallo nga puna vetmohuese, kalonin vitet. Rritej edhe familja jonë.Erdhën në jetë vëllai, dy motrat dhe unë, si i pleqërisë.E ndërsa babai qëndroi në të njëjtën llogore gjithë jetën, si një usta i mirë dhe i palodhur, disa shokët e tij veshën kostumin e karrierës. Ata i përdhosën idealet e pastra, e lerosën kostumin, e përbaltën, e gjakosën…
Babai shihte dita ditës se nuk i bënte më ai kostum, e ngushtonte, e mbyste, e robëronte. Kostumin e zi as e veshi dhe as na e rekomandoi neve ta vishnim.Në vënd të ndonjë libri të kuq a me citate, ai zgjodhi një çelës hidraulik, zgjodhi rrugën e përkushtimit ndaj familjes, shoqërisë së pastër, vëndlindjes,punës.Ai bën pjesë në brezin punëdashës dhe punëmëdhenj, në epokën e njerëzve fisnikë e madhështore.Kush e ka njohur Koço Shkurtin, që nga fshati në Sarandë, Kavajë, Tiranë e deri vitet e fundit këtu në Athinë,flasin me fjalët më te mira për atë shok, baba, gjysh, bashkëshort, Njeri, e nuk me vjen turp ta them, komunist të vërtetë, me zemër e shpirt të madh.
Partia i veshi atij kostumin e komunistit. E, një djaloshi me shpirt e trup të bukur, atëhere kostumi i përshtatej, i shkonte, i rrinte mirë.Vite e vite më vonë, u zhgënjye.Erdhi një kohë që kostumin e vari në dollap, dhe ëndrrat, i kyçi në sirtar.
DHIMITËR SHKURTI F U N D 6-5-2020