‘’MËKATET’’ E SHOQERISË TIME
‘’MËKATET’’ E SHOQERISË TIME
..Një natë,një grua,nuk u kthye të flinte në shtëpinë e saj.Të nesërmen,ajo i tha burrit se e kish kaluar natën në shtëpinë e një shoqes së saj të ngushtë.Burri, u telefonoi me rradhë 6 shoqeve më të ngushta të gruas.Të gjashta thanë se kishin kohë pa e takuar gruan e tij.
Një burrë nuk u kthye një natë të flinte në shtëpi. Të nesërmen, I tregon gruas se kishte fjetur në shtëpinë e një shoku të ngushtë.Gruaja, i bëri telefon gjashtë shokëve te tij.Pesë nga ata pohuan se ai pat fjetur në shtëpinë e tyre, ndërsa i gjashti tha ,se jo vetëm kishte fjetur tek ai,por po vazhdonte të flinte akoma në dhomën tjetër.Dhe atij i vinte keq ta zgjonte.
Kjo anekdotë tregon aleancat e forta të burrave në krahasim me gratë. Burri I martuar donte të mbulonte një mëkat, para gruas,me ndihmën e shokëve të tij të ngushtë.Ndërsa unë dua të tregoj’’ sot, mëkatet’’ tona, të shoqërisë time, në kohën kur shërbenim në Peshkopi,duke I fshehur jo nga gratë, pasi ahere ishim beqarë,por nga absurditeti I shtetit dhe paragjykimet e disa njerëzve që na rrethonin.Kam merak dhe frikë.Kam merak,mall,dashuri për vitet e rinisë që kaluam bashkë, dhe frikë, se mos këto histori harrohen, humbasin.
‘’Për të egzistuar miqësitë, miqtë duhet t’i besojnë njëri tjetrit.E për t’i besuar njëri tjetrit, duhet të jenë miq’’-thotë Tolstoi.Kjo thënie më duket se është shkruar për shoqërinë time, për ata 5 shokë-vëllezër, me një rrugëtim 35-vjeçar bashkë e të pandarë.Sot, gjej rastin t’i kujtoj e t’i përshëndes.
Ne, çdo ditë mezi presim të kthehemi nga puna, pranë njerëzve të dashur. Ashtu ndodhte edhe atëhere.Mblidheshim pasditeve dhe flisnim, bisedonim, qeshnim,shëtisnim në bulevardin e blirëve të qytetit,uleshim e kthenim ndonjë gotë, dhe bënim edhe ndonjë ‘’gjueti të ndaluar’’.
Të kujtohet Fatmir?Hodhëm ca gota raki me tepër atë darkë, dhe përfunduam poshtë ballkonit të vashës tënde.Tek ngacmonim shokun tonë, kapelja e oficerit fluturoi në ballkonin e saj. Desh zoti që nuk ngeci atje, se do të na kishte dënuar komisari
Kur kërkon shokë pa të meta, nuk ka shokë, thotë një fjalë e urtë.Kështu edhe ne.Ti inxhinier, për pak ia rrëmbeve atë kërcimtaren shokut tone ‘’nevrik’’,por desh hyre në gjak.Për malësorin një ‘’turp të tillë e lan vetëm..pistoleta.Po, po.Veç, inati nuk na mbante gjatë.Si përfundim, zoçka ‘’fluturoi’’ larg, në një kontinent tjetër, dhe ne të tjerët, bëmë pajtimin e gjaqeve.
Mua më dukej se më sillnin racionin më të vogël të ëmbëlsirës, kur uleshim në lokal.Dhe, viktima, ishte Noku.Ishte kaq qibar me ushqimin, sa mund te rrinte jo vetëm pa ëmbëlsirë, por edhe pa ngrënë.Me një kollitje të lehtë para pjatës së tij, dhe e gjithë ëmbëlsira përfundon, në barkun tim.
Kur Pëllumbi u bë shef qarkullimi, mori në përdorim një triçikël.U gezuam te gjithë, por sidomos, Çerçizi.E kishte pikë të dobët motorin.Një pasdite, e rrëmbeu mjetin për t’i bërë nje xhiro nje shokut tonë mësues, por për pak , e humbi. Në një kthesë të fortë, shoku ynë u gjend, ne ferrë.Për shkelje te rregullave te qarkullimit në shoqëri, Çeçua u ‘’gjobit’’, dhe ne e hëngrëm darkën falas në Turizëm.
Unë merrja pjesë edhe me grupet teatrale.Por kjo pati edhe një risk të vogël.Partnerja ime e shfaqjes, donte ta vazhdonte rolin, edhe në jetë.Mua më erdhi si e papritur, dhe ment u tremba nga guximi I saj.Për fatin tim të mirë, ‘’sulltanesha’’nuk kishte plane afatgjata.Ajo ecte me parimin; Punë e madhe se ra kova disa herë në pus.Atë punë kanë kovat dhe puset.Partnerja me zuri pusi në hyrje te hotelit te beqarëve. Me ndihmën e shokëve, u ‘’ngujova’’ disa pasdite në dhomë, deri sa rreziku kaloi.
Krejt ndryshe ishin ‘’partneret’’ e dy shokëve të mi.Ato ishin gjuetare për dhendurë tek jabanxhijtë.E pra, sa u ra kova e parë në pus,(pusi funksiononte edhe më parë) patën kaq etje për martesë, sa njëra e mbajti frymën tek komisari, dhe tjetra, tek Kryetarja e Gruas së Rrethit.Për fatin tonë të mirë, Partia, qoftë edhe një herë të vetme, u tregua mëndjehapur.Shpëtuan shokët tanë.
Ne sot jemi zbardhur, martuar, me fëmijët, burra, me përjashtim të Gazit.Ai mbeti besnik i beqarisë dhe autonomisë.Është shëmbull I korrektësisë dhe përkushtimit.Ai ndoshta nuk donte t’ua linte të tjerëve, shërbimin dhe yzmetin që i bën nënës.Ai ka lindur për të respektuar njerëzit
Ne tani jemi shpërndarë në disa shtete.Unë në Greqi,Çeçua në Itali, Noku në Gjermani ndërsa Pëllumbi, Fatmiri dhe inxhinieri ne Tiranë.Nga ushtria, Çeçua na kujtonte parimin e ndërlidhësit, antena të shikojë antenën.Edhe pse kaq larg, antenat tona ndjejnë ritmin e zemrës së shokut.I kam zili ata të tre që janë afër dhe mblidhen shpesh.Ne ‘’emigrantet’’, sa shkelim këmbën në Atdhe,japim sinjalin për t’u bashkuar.Ulemi diku dhe kalojme disa orë të këndshme.Pëllumbi, edhe pse kalon mjaft siklete shëndetësore në familje, nuk mungon kurrë.Është kripa e muhabetit, lezeti I tavolinës.’’Aleancat’’ prishen kur vjen llogaria.Fillon ‘’sherri’’ dhe mosmarëveshjet.Kohët e fundit shfrytëzojmë shenjat e prostatës.Nisemi per në banjë dhe paguajmë faturën.’’Thelbi I vërtetë I një miqësie përbëhet nga pajtimi i vullneteve, shijeve e mendimeve’’.
Ne ishim bashkë jo vetëm në gëzime e dasma, por edhe në shqetësimet e punës apo te jetës, në probleme e vështirësi ekonomike,dhe padyshim, në fatkeqësitë familjare.Bashkë i qanim hallet, si kur ishim beqarë, edhe kur krijuam familje.Ne ishim një familje e madhe por si vëllezër të vërtetë, pasi, farefisin t’a cakton fati, por shokun e zgjedh vetë.
A thua u plakëm? Ndoshta.Kemi edhe gjysh në mes tonë.Thonë se pleqëria ‘’troket’’ kur fillon e shkruan kujtime.E megjithatë ka vite që më mundon ky shkrim për shokët e mi.Më ka marrë malli.J’u dua shumë dhe j’u detyrohem shumë.Dhe sot, pas kaq vitesh, unë j’u kujtoj atë shprehjen klasike;
Do të jesh i lumtur në prag të pleqërisë, në qoftë se i ke ruajtur shokët, miqtë.
23-11-2020 F U N D DHIMITËR SHKURTI.