Të nesërmen, më 16 janar, aty rreth orës 13:30, në Reçak do
të shkojë ish-shefi i Misionit të Verifikuesve të OSBE-së, z. Voker
për të parë nga afër këtë ngjarje të tmerrshme kriminale. Z.Voker
pasi vizitoi fshatin, u ngjit lart te “Gropa e Bebushit” dhe derisa po i
afrohej luginës së ngushtë, u tmerrua kur i pa kufomat e tre
meshkujve të moshuar dhe në këto momente deklaroi: “Për nga
pamja duket si ekzekutim. Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për
jetët e njerëzve kanë vrarë këta njerëz, që mua me duken si bujq, si
punëtorë, si fshatarë, që nuk kanë merituar të vdesin kështu..“.
Më pastaj z. Voker vazhdoi rrugën drejt luginës së vdekjes,
ku po qëndronin të shtrirë me duar të shtangura e trupa të sakatosur
kufomat tjera të civilëve të ekzekutuar barbarisht. „T´i shohësh
kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga
armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t´i shohësh 15 në një
gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten
disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them“.
Dhe, menjëherë në konferencën me gazetarë, pa hezituar ai
deklarojë: “Nga ajo që pashë, nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë
si masakër dhe krim kundër njerëzimit (!) …kjo është ngjarja më
trishtuese në jetën time…“.
(nga libri “Tokë e mbjellë me varre”, f.55)