Ky spektakël i ZPS-së është vazhdimësi e spektakleve të një Gjykate speciale e cila është duke vepruar e mbështetur nga EULEX-i pa mandat ligjor, shkurt e shqip këta kapadai po sillen në vendin tonë, në Kosovën shtet të pavarur e sovran si “n’bashqe t’babës”, duke bastisur shtëpi të pjesëtarëve të UÇK-së, zyre të OVL-së e duke arrestuar pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pa mandat bastisje e arresti.

Ne shqiptarët jemi të provuar me veprime të tilla edhe para luftës, edhe gjatë luftës, por nuk kemi besuar se do të na ndodhë e njëjta gjë edhe pas luftës, madje edhe tani pas 21 viteve kur Kosova është shtet me ligje e kushtetutë, me qeveri e parlament.
Këtyre kapadaive të ZPS-së, që po i plotësojnë dëshirat e kriminelëve serb, për fat të keq edhe të disa shqipfolësve që janë bërë argat të tyre, duhet thënë ndal! sepse për të bastisur një pronë private apo një zyre të shoqatës, së pari duhet pasur-treguar mandatin e bastisjes dhe për ta arrestuar një qytetar duhet pasur-treguar fletarrestin.
Kjo në Kosovën tonë me ligje e kushtetutë, me qeveri e parlament nuk po ndodh!

Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pjesëtarët e saj kanë bërë luftë të drejtë, luftë çlirimtare për lirinë e popullit, gjë që është vërtetuar me intervenimin e NATO-së në vitin 1999, duke e ndërpre dhunën, vrasjet, masakrat, përdhunimin e gjenocidin serb mbi popullatën civile shqiptare të Kosovës, prandaj çdo pretendim ndryshe është i gabuar, qoftë nga ZPS-së, Gjykata speciale apo individë të caktuar. Të gjithë dhe e gjithë bota e dinë së kush ishte dhe është agresori e kush viktima, prandaj thirrni mendjes e veproni drejtë, merruni me kriminelët serb që po shëtisin lirshëm e jo me pjesëtarët e UÇK-së që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e popullit e luftuan krah Aleancës për lirinë e shtetit të tyre dhe mbi të gjitha, edhe pse ishte e padrejtë asnjëherë nuk i ikën drejtësisë vendore e ndërkombëtare, dhe çdo herë dolën të pafajshëm e fitimtar.

Mjaft eksperimentuat me popullin e shumëvuajtur shqiptarë të Kosovës, të cilët lirinë po e shijojnë falë luftës së drejtë të UÇK-së dhe ndihmës së madhe të NATO-së.