LINDJA E DY PREJ SHTYLLAVE KRYESORE TË SHTETIT
Vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë, Ismail Qemali themeloi më 4 Dhjetor 1912 Shërbimin e Jashtëm dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Kjo datë shënon fillimin e organizimit të veprimtarisë shtetërore. Sfida e Ismail Qemalit, si ministër i Jashtëm ishte njohja e shtetit të ri të pavarur dhe krijimi i rrjetit diplomatik të Shqipërisë në botë.
Po në të njëjtën datë, Mehmet Pashë Dërralla, ministër i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit, nisi detyrën e vështirë të organizimit të ushtrisë shqiptare, organizimi i së cilës mori formën dhe modelin që i përngjante ushtrive të kohës. Në 108 vjet histori, sot si pjesë e NATO-s, burrat dhe gratë e Forcave tona të Armatosura janë në vijën e parë të frontit në misionet brenda dhe jashtë vendit.
Shërbimi i jashtëm dhe Forcat e Armatosura janë ndër ato pak institucione që mbartin peshën simbolike të përfaqësimit të shtetit. Ndoshta edhe për këtë arsye, këto institucione i mbijetuan regjimeve të ndryshme dhe mbrapshtive të politikës.
Respekt për çdo diplomat dhe ushtarak që shërben në emër të atdheut