“”””””””””””
PËR TY….
Në shpirt…
të thellë e kam plagën ,
si brazdën e plugut
në ugarin e hershëm të pranverës ,
deje dhimbjesh
gardhojnë pllanga të fllugosura
trupit të sfilitur ethesh ,
por ty..
shqisat të kanë rënë në gjumë të thellë ,
e s’mundesh të shohësh ,
të ndiesh si ato rënkojnë ,
a thua se pakt ke bërë me djallin …
Vërtitesh si hije
dhomash e korridoresh të akullta ,
aty ku grahma fundjete
përplasen ajrit që mbyt ,
aty…
ku syve t’venitur drita zbehet ,
dhe n’valë dëshpërimi
shpresa t’rrokulliset në humnerë .
Ti luan me orët..
sekondat e mia ,
me indiferencë e heshtje që vret ,
e unë besëprerë…
dritëza shprese kërkoj në zot ,
dhe ndëshkim për ty …
për ty..
njeriun me bluzë të bardhë
që në duar të lash jetën ,
e ti..
në këmbë s’e mbajte dot .
Donika Stasa 15 Janar 2022