14.5 C
Tiranë
E premte, 25 Prill 2025

Dr. Moikom Zeqo 25 Tetor 2011.

Sot 23 shkurt 2021, Z. Epidamn Zeqo në mesazh, më dergon, për kujtesë Recensionin e librit të Dardanisë me autor Pjeter Nikolla, shkruar nga Shkrimtari dhe Poeti Kozmogonik,
Një kujtesë për mikun tim të MADH, një kontribues i jashtzakonshëm për historinë, Kulturën dhe letersinë shqipe.Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe njerëz në këmbë
E ndjejmë thellë humbjen e madhe të mendimtarit Erudit, që i mungon kombit shqiptar, i mungon familjes, të afërmëve dhe miqëve të shumtë në Shqipëri dhe jashtë saj nga personalitete të shquara të kulturës e të shkencës, në Europë e më gjërë.
Faleminderit z. Epidamn Zeqo për këtë kujtesë për babajn tuaj, por edhe për mikun ton të MADH të pa harruar Dr. MOIKOM ZEQO!
. LIBËR PËR DARDANINË
Nga Moikom Zeqo
Tiranë 25 tetor 2011.
Kam në duar librin më të ri « Trojet e Dardanëve » të autorit Pjetër Nikolla, të mikut tim plot pasion dhe vullnet mbi dituritë e historisë sonë kombëtare.
Pjetër Nikolla ka botuar disa libra, kryesisht për Mirditën, por edhe disa për historinë e kombit shqiptar.
Këto libra formojnë një koleksion dhe ky koleksion plotësohet tashmë me librin « Trojet e Dardanëve ». Pikërisht për këtë libër do të them disa fjalë, sepse subjekti i tij është i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe.
Për subjektin e Dardanisë janë shkruar shumë libra nga dijetarë të huaj dhe shqiptarë, nga arkeologë dhe historianë të cilët kanë shpalosur pikëpamje të ndryshme kontradiktore, madje në formën e një debati i cili vazhdon edhe sot.
Subjekti dardan përbën një nyje të fortë konceptuale të problemit shkencor mbi etnogjenezën iliro-shqiptare, problem themelor ky për historinë e kombit shqiptar në gadishullin Iliro-Ballkanik.
Libri i autorit Pjetër Nikolla fokusohet në çështjen e Dardanisë, e cila përbën substancën etnike dhe historike të Kosovës së sotme, shtet i lirë dhe i pavarur në rrafshin ndërkombëtar. Shkurtimisht do të koncentrohem mbi këtë parafjalë në sythet kryesore të librit.
Së pari, identiteti i Dardanisë Antike është para së gjithash një problem arkeologjik. Kjo do të thotë se zbulimet arkeologjike, që nga Prehistoria deri në Mesjetë kanë dhënë një lëndë të mahnitshme të dhënash të pakundërshtueshme, të cilat vërtetojnë karakterin ilir të Dardanëve antikë dhe mesjetarë.
Për hir të së vërtetës, emri i Dardanëve ilirë del që në Luftën e Trojës, të përmendur në Eposin Homerik, por dhe në dokumentet egjiptiane të quajtura “Popujt e Detit”, në kohën e Faraonit Ramsesi II. Për më tepër, nuk duhet harruar se, nga këto kohëra aq zanafillore dhe të lashta, emri i Dardanëve ka mbetur në gjeografi pikërisht në toponimin: “Gryka e Dardaneleve”, në Bosfor.
Etniciteti i Dardanëve është diskutuar dhe diskutohet edhe sot në qarqet akademike.
Ka dy teori kryesore për prejardhjen e Dardanëve.
Teoria I i konsideron Dardanët ilirë të mirëfilltë.
Teoria II i konsideron Dardanët Thrakë. Pra jo Ilirë.
Në shek. XX këto dy teori patën një përafrim me një teori të tretë secila i konsideronte Dardanët një popull të përzier, pra një popull hibrid iliro-thrak.
Shumë dijetarë mbështeten në argumentin se kjo teori është një kolazh popujsh.
Dihet se, gjatë shekujve, në epokën e quajtur helenistike, u krijua një shtet dardan që u quajt Mbretëria Dardane. Ky shtet luftarak i cili bëri luftëra kundër dy fuqive më të mëdha të kohës, që ishin Keltët dhe Maqedonasit. Pastaj Dardanët u shquan në luftën kundër romakëve, që ka mbetur në histori me emrin “Bellum Dardanicum”.
Nga periudha romake janë zbuluar shumë monumente epigrafike ku është një material i madh gjuhësor onomastik.
Duke studiuar onomastikën dardane, dijetarja Fanula Papazoglu vërtetoi se, në bazë të emrave të vet, dardanët janë Ilirë të mirëfilltë. Dijetarët mbrojtën tezën ilire, që nga i famshmi Franc Nopça e deri te dardanologu i madh shqiptari i ditëve tona Dr. Zef Mirdita kanë bërë që të zgjidhet shkencërisht problemi i etnicitetit të Dardanëve si një popull ilir i padiskutueshëm. Këtë e vërteton, edhe arkeologjia, edhe filologjia, pa harruar këtu dhe dimensionin e mitologjisë ilire.
Së dyti, me anë të objekteve arkeologjike ne mund të gjykojmë për historinë antike të Dardanëve, për historinë e tyre të kulteve vendase epikorike, për mitologjinë ilire, ku spikat kryehyjnesha Dardania, e cila mbiquhet në mbishkrime Dardania Sacrum, që do të thotë: “Dardania e Shenjtë”.
Së treti, në Antikitetin e Vonë Dardanët u ndeshën me valën asimiluese sllave. Shumë fise ilire, të Ilirisë së Veriut, u sllavizuan. Por Dardanët nuk u sllavizuan dhe në fillim të mesjetës dokumentohet qartë arkeologjikisht kultura e tyre arbërore, e njëjtë me atë që është zbuluar në trojet e Shqipërisë së sotme.
Kjo do të thotë se banorët e Dardanisë antike janë substancë shqiptare, pjesëtare të të njëjtit komb, të kombit shqiptar. Së katërti, tërë historia moderne vërteton faktin se banorët e Dardanisë, pra të Kosovës së sotme, janë e njëjta kulturë, qytetërim dhe etnicitet me kombin shqiptar. Dhe është në thelbin e këtij kombi.
Që në shek. XV Prizreni ishte një nga selitë e Gjon Kastriotit, babait të Skënderbeut. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në vitin 1878 përgatiti konceptualisht pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, përkrah Ismail Qemalit mori pjesë dhe shqiptari i madh Isa Boletini. Kjo traditë e mrekullueshme historike çoi në vitin epokal 1999, kur UÇK dhe NATO çliruan Kosovën për ta bërë shtet të pavarur.
Dua të vë në dukje se emri “Kosova” është emër i dytë i atij Dardania. Nëse Dardania është një emër tipik ilirë që do të thotë vendi i Dardanëve, Kosova është një emër konvencional, që do të thotë “Fusha e Mëllenjave”, gjë që duhet sqaruar; pra, se emri “Kosova” nuk është emër sllav siç thuhet shpesh. Emri Kosova është në greqisht dhe përbëhet nga togfjalëshi: “Kosifiopedhion”, që, i përkthyer shqip, do të thotë “Fusha e Mëllenjave”.
Autori Pjetër Nikolla ka studiuar gjatë autorët shkencorë që janë marrë me Dardaninë dhe jep një pasqyrë të qartë për historinë konkrete. Libri i tij është si një guidë me interes të madh, plot fakte, ngjarje dhe figura të shquara dardane të Antikitetit dhe të kohëve të mëvonshme, të cilat janë krenari e shqiptarëve.
Ky është libri më i mirë i autorit Pjetër Nikolla dhe jep një kontribut të çmuar për njohjen e historisë kombëtare, duke ndriçuar pikërisht historinë Dardano-Kosovare dhe duke treguar unitetin e pamohueshëm të kombit shqiptar.
Lexuesi në këtë libër do të gjejë kujtesën e shekujve.
Një komb që humbet këtë kujtesë vdes, por kombi shqiptar, me kujtesën e tij të ripërtërirë, nuk do të vdesë asnjëherë dhe do të mbijetojë me dinjitet e krenari. Sepse ky komb e meriton plotësisht mbijetesën.
Çështja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve është një e ardhme e afërt.
Unë kam besim të plotë dhe jam i bindur se është besim logjik, i drejtë.
Pikërisht këtë ide e përçon edhe libri i Pjetër Nikollës.
I uroj suksese të mëtejshme autorit në rrugën e tij të botimeve për historinë dhe kujtesën e shqiptarëve.
Dr. MOIKOM ZEQO
25 Tetor 2011
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.