Dragusha Ndue

GRUAS TIME

Në heshtje shihemi sy ndër sy,
Si dy planete ballëpërballë
Dhe ndjejmë se kemi akoma dashuri,
Dhe ndjejmë se kemi akoma mall…
Na u zbardhen flokët nga mendimet,
Në një fushë blu, mbushur me yje.
Ne shtojmë jetë përmes gëzimeve,
Dhe mbjellim dashuri syve të fëmijëve!
May be an image of 2 njerëz dhe people smiling
“”””””””””””””””””””””””””””
TI AKOMA MË DO…

Një dashuri, e zhveshur nudo, rrëshqet poshtë faqeve,

në formë loti,

Në një heshtje hyjnore, ku engjujt kompozojnë ëndrrat tona.

Sytë kanë “burgosur” gjithë mrekullinë e bekuar nga Zoti,

Hëna noton xheloze në lëngjet e kaltra të syve tuaj,

mbrëmjeve të vona.

(D@N – 11. 02. 2020)

“””””””””””””

PËR TY…
Liqeni i bukur kish bërë fole,
Në sytë e tu të dlirë.
Qielli mbi ty lante fytyrën,
Dhe ndriste si pasqyrë.

Ti rrokje yje papushim,

Sikur vilje portokalle.

Çdo fjalë e jotja, përqafim,

Pranverën e gjinjëve kallje.

“””””””””””””””””

NJË LODHJE FISNIKE
-Tregim-

Hëna “buzëqeshte” lart mbi qiellin gri të asaj natë të bukur në bregdet. Qyteti i “ngrënë” nga ndërtimet pa leje, lëshonte drita të çrregullta në formën e atij gjysëmharku, me malin që binte diku mbi det, si një kafshë gjigande që kishte shtrirë qafën për të pirë ujë. Muzika e diskove të natës kishte heshtur dhe nata dukej se po pushonte. Roja ishte strukur diku mes frigoriferëve që lëshonin një dritë të zbehtë florishente në heshtjen e asaj barrake, që më shumë, në këtë natë, ngjante si një grumbull terri. Çadrat dhe shtretërit e plazhit “shikonin” dallgët se si përplaseshin me bregun.

Siluetat e një çifti sa vinin e afroheshin. Ecnin disi të lodhur dhe iu afruan shtretërve të bregut.

Djali, një hollak i gjatë, kapi njërin nga shtretërit (ata ishin të mbyllur dhe të vendosur ijas pranë çadrës) dhe filloi ta hapte. Roja (misioni i të cilit ishte të ruante mallin e pronarit të vogël të atij qyteti po të vogël dhe të çrregullt), thirri nga gryka e errët ku “përgjonte” disi frikshëm dhe priti reagmin e djalit. Ai largoi duart nga shtrati, kurse vajza që ishte me të, thirri:

-Xhaxhi, të lutem na lër të pushojmë për nja dhjetë minuta se jemi copë.

Roja nuk e zgjati, duke menduar se ishin të mirë meqë po përdornin dhe fjalën “të lutem”, fjalë e cila pothuajse ishte hequr nga fjalori i të rinjve të sotëm, dhe u tha që të uleshin e të pushonin pa frikë.

Ata u shtrinë në dy shtretër. Ndezën cigaret dhe filluan të pinin.

Roja vështronte me vëmendje çdo detaj të veprimeve të tyre dhe, meqë nata ishte krejt e qetë, dëgjonte dhe bisedat e tyre.

Djali: – Sa natë e bukur sonte!

Vajza: – Sa të lodhura dukemi unë dhe hëna…

Djali: – Më duket se ka filluar eklipsi i jot dhe i hënës…

Vajza: – Më pëlqen kur më thua kështu. Vërtetë të dukem e eklipsuar nga ëndërrat apo nga shqetësimet?

Djali: – Ti je ëndërra ime. Sa shumë të dua!

Pastaj të dy afruan kokat që nga shtretërit ku ishin dhe u puthen.

Roja mendonte me vete:

– Sa e bukur është nata! Kush flet se nata nuk është e mirë, gabon. Ajo është një qenie, si të gjitha qeniet e tjera të kësaj bote të frikshme. Ne trembemi nga çdo gjë e kësaj bote: nga miu, qeni, macja, krimbi, akrepi, peshkaqeni, nga dita, eprori, nga nata, nga gruaja, nga fjala, nga shoku…, e nga se nuk trembemi. Kurse këta të rinj ndjehen mirë sonte brenda natës. Ata puthen lirisht. Puthjet e ditës mbeten vetëm puthje. Nuk e kanë emocionin e natës. Natën realiteti femëror përzihet me ëndërrën. Nata u jep liri, hapsirë, motiv për të jetuar jashtë realitetit dhe brenda ëndrrave. Nata nuk është e keqe si dita. Dita sheh, dita përgojon, dita të vjedh ndjenjat, kurse nata t’u hap rrugë ndjenjave.

Ata vazhdonin të putheshin. Pastaj vajza kaloi tek krevati i djalit dhe u ul sipër trupit të tij. Hoqën rrobat e pakta që kishin në trup dhe “filluan të shkriheshin” tek njëri-tjetri ëmbëlsisht. Hëna i lante me ca rreze të shndritshme dhe deti i përshëndeste me një gulçimë të mbytur si dhimbje dhe dallgët e lehta lëpinin bregun si gjuhët e këtyre të rinjve mbi ata trupa të njomë e të brishtë.

Roja vështronte dhe kënaqej. Ishte kohë, që duhej të kalonte bashkë me natën, në një mënyrë. Kjo ishte mënyra më e mirë për të thyer monotoninë e ritualit të tij të vëzhgimit.

Pastaj vajza u ngrit sipër djalit, lëvizi kokën për të larguar flokët që i kishin rënë mbi fytyrë dhe me të dyja duart i largoi ato pas shpine. E vuri djalin mes këmbëve të saja dhe filloi të lëvizte lart-poshtë me kokën të ngritur nga hëna dhe me duart, që herë pas here largonte flokët. Pastaj ulej mbi fytyrën e djalit, që rënkonte si deti dhe ngjishte buzët mbi buzët e tija. Filluan një rrokullisje derisa u rrëzuan mbi rërën, që tashmë nuk e kishte temperaturën e ditës. Dukej se po e rimerrte atë ngrohtësi nga trupat që rrokulliseshin mbi të.

Nata i ruante dhe hëna i ledhatonte ata trupa, që vazhdonin të rrokulliseshin derisa u bashkuan me valët që “sulmonin” bregun. Vazhduan derisa dukeshin mbi ujë vetëm kokat e tyre. Një peshk, dukej se ishte qefull, kërceu lart mbi ujë me një hedhje vërtetë të bukur mbi kokat e çiftit. U krijua një hark i argjentë nën ndriçimin e luspave të peshkut nga drita e hënës. Ishte një lojë dashurie që vetëm nata mund ta ushqente të kryhej aq bukur.

Nesër do të ishin të lodhur, do të jetonin vetëm me kujtimin e kësaj nate. Do të donin t’ia tregonin gjithë botës, por bota dhe dita ishin të pabesa. Dhe ata do t’i trembeshin ditës. E nesërmja do të kishte shumë padronë. Dhe gjithnjë ata do të prisnin natën.

Dhe roja e dinte se gjumi i natës ishte i ëmbël. Kurse i ditës ishte vërtetë i rëndë, i mundimshëm. Ai shpesh thoshte se një orë gjumë natën është shumë më i mirë se gjumi i gjithë ditës. Ky ishte fati i rojes dhe i moshës së tij! Duhej ta pranonte. Por dhe bukurinë e madhështinë e natës e pranonte. Nata ishte madhështia. Njerëzit vidhnin ditën dhe ruanin natën. Nata ishte vetëm për dashuri.

Çifti vazhdonte lojën e tij nën valët e lehta të detit. Pishat e bregut kishin kthyer kokat dhe vështronin këtë lojë të këndshme. Kishin vite pishat aty dhe kishin parë shumë, por kishin heshtur si nata.

Roja thithte ajrin e asaj nate të bukur dhe të mbushur me motiv për të jetuar. Sa do të donte të ishte poet! Nesër do të rrinte dhe do të takonte shkrimtarin që luante shah gjithë ditën në plazh. Do t’ia tregonte këtë dashuri të natës. Dhe do t’i thoshte se ai shihte më shumë dashuri natën dhe më shumë urrejtje ditën. Si mund ta quante këtë gjë, ai, shkrimtari me flokët të thinjur dhe disi të gjatë, që kur luante shah, të ndërronte mbretëreshën me dy figura të tjera që në fillim të lojës. Nesër.

Kështu mendonte roja, kur çifti po dilte nga deti të kapur fort tek njëri-tjetri. Pastaj u shtrinë mbi krevatët dhe ndezën nga një cigare. Shikohej drita e cigares si xixëllonjë. Hëna vazhdonte rrugën e saj të artë nëpër qiellin disi të përgjumur. Dhe roja po ndjente një përgjumje. Çifti e fiku cigaren dhe mbi shtretër zotëronte një heshtje.

Deti vazhdonte të vuante ritualin e dhimshëm të gulçimës. Dhe brenda rojes kishte gulçimë. Kurse çifti ishte përfshirë në meditimin e ëmbël të pasdashurisë. Dita do të kishte shumë njerëz.

Vështroi hënën. Ca re si të murrme kalonin si përgjumshëm sipër saj dhe ajo dukej se fshihej lehtë pas tyre.

Vështroi detin. Ai gulçonte. Si shpirtrat!

Nata po thyhej ngadalë dhe rojes po i rëndoheshin qepallat. Donte të pushonte ca. Sonte kishte qenë një natë me një lodhje fisnike.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.