DIÇKA I MUNGON QYTETIT
-Në ditëlindjen e 76-të të poetit Ndoc Gjetja-
Kam ditë që eci kuturu,
Kërkoj dikë, diçka nëpër rrugë…
Ajri, në hapësirën e gjelbër të qytetit,
Më mblidhet në gjoks si shtëllungë.
I mungon diçka qytetit tim,
I mungon portreti i heshtur i Poetit.
I është shtuar dhimbja-trishtim,
Thjeshtë, si makth, në gjoks të qytetit.
Ja libraria-shtëpia e tij,
Si ngrehinë e dijes, alternativë e pafund,
Aty Poeti Ndoc gjente qetësi,
Aty Njeriu Ndoc, ëndrra ka përkund…
Ja rruga ku eci me hapin e lehtë,
Sikur donte të mos trembte ajrin, thjeshtë.
Mungon buzëqeshja e tretur diku, qetë,
Si shpresë e hipur mbi një gjeth, në vjeshtë.
Ashtu u end, si ajri, Poeti Ndoc,
Mbi gjethe, mes erës së fantazisë,
Nën një realitet gjithë tuberkoloz,
Që mbytej nga “kolla” e dashurisë.
I mungon “kolltukut të rëndë të pushtetit”,
Që rastësisht mbi të u gjend njëherë kot,
Por ishte një ëndërr e vjetër e Poetit,
Që mbi çdo pushtet, poeti të jetë ZOT!
Dhe një ditë ai iku krejt befasisht,
As si pushtetar, as si deputet.
Ai iku thjeshtë, si Njeriu Ndoc,
Dhe mbeti i Madh, thjeshtë si Poet!