Shperndare mbi dysheme.
Fole te reja ngrene.
Një talent premtues në udhën e bukur të futbollit…
Elio Martin DEDAJ i datëlindjes 10.05.2005, lindur dhe banues në Lezhë, me gjatësi trupore 176 cm, dhe peshë 62.5 kg, kapiteni i skuadrës “Besëlidhja” U-15 në futboll, është një talent me perspektivë, që pritet të shkëlqejë në të ardhëm në udhën e gjatë e të bukur të këtij sporti magjik.

Pasi këtë na e dëshmojnë të dhënat që ai ka, çfarë thonë specialistët e fushës për të, si dhe ato që ai manifeston në tapetin e blertë të lojës.
E ka filluar trajnimin me ekipin e moshave të skuadrës “Besëlidhja”, në edicionin futbollistik 2014-2015 (me datë 17 Mars 2015), duke qenë pjesë e formacionit bazë në të gjitha ekipet e moshave U-9; U-11; U-13, U-15. Ndeshjen e parë zyrtare e ka zhvilluar me datë 24 Maj 2015, ndërsa golin e parë zyrtar e ka shënuar me 30.05.2015.
Sezoni futbollistik 2019-2020 që sapo u mbyll, është sezoni i gjashtë që ai aktivizohet si lojtar i formacionit bazë, në radhët e ekipit “Besëlidhja” dhe këtë sezon ka mbajtur mbi fanelën e tij nr. 10, si dhe në krah shiritin e kapitenit. Është një lojtar me grintë, që spikat ndër të tjerët me lojën e tij plot temperament, falë përgatitjes fizike, teknike, taktike dhe atletike, që ai ka. Pozicioni i tij natyral është mesëfushor i avancuar dhe organizator, por luan edhe në pozicione të tjera, sipas nevojave të ekipit. Është shënuesi i dytë i ekipit , pas golshënuesit kryesor të tij dhe të kampionatit, që është Albi Koleci.
Që nga aktivizimi i parë zyrtar me 24 Maj 2015 e deri në Korrik 2020, ka zhvilluar gjithësejt 147 ndeshje dhe shënuar 100 gola ose 0.68 gola për ndeshje, Nga ndeshjet e zhvilluara 95 prej tyre kanë qenë zyrtare dhe 52 miqësore. Në ndeshjet zyrtare ka shënuar 51 gola ( ose 0.53 gola/ndeshje) , dhe në ndeshjet miqësore ka shënuar 49 gola (ose 0.94 gola për ndeshje), që janë tregues mjaft premtues për të ardhmen e këtij futbullisti, të talentuar që spikat në organizimin e lojës, me plot finesë dhe efikasitet, që u shërben lojtarëve të skuadrës në koridore të ngushta dhe të gjata. E përdor mjaft mirë individualisht topin, është nuhatës intuitiv i portës dhe e godet atë nga çdo pozicion.
Elio Dedaj është një futbollist me të dhëna tekniko-taktike individuale të admirueshme si në mbrojtje ashtu edhe në sulm dhe anasjelltas, që bashkëvepron me lojtarët e tjerë duke e kontrolluar lojën në afërsi dhe distancë dhe shërbyer orjentimit të saj në mënyrë efikase. Markon dhe çmarkohet efektivisht me dhe pa top të cilin e përdor mjaft mirë dhe gjuan nga çdo pozicion drejt portës. Duhet evidentuar fakti se kapiteni i skudrës “Besëlidhja” U-15, Elio Dedaj është ekzekutuesi i 11-metërshave që akordohen në favor të skuadrës së tij, të kthyera të gjitha në gol, si dhe i pjesës më të madhe të goditjeve standarde, në distanca dhe pozicione të ndryshme nga porta kundërshtare, ku në disa prej tyre ka realizuar edhe gola. Gjithashtu është edhe godotësi i të gjitha goditjeve këndorë në të dy krahët e lojës. Këto dhe aftësi të tjera individuale të këtij futbollisti na bëjnë optimist se në ardhmen jo të largët, ai do të shkëlqejë dhe do të jetë i kërkueshëm nga shumë skuadra.
Trajneri i skudrës “Besëlidhja” U-15, Edmond LOSHI në lidhje me këtë futbollist ndër të tjera thotë se: “Elios në këtë sezon i besuam shiritin e kapitenit, të cilin e ka merituar plotësisht pasi është një lojtar mjaft intelegjent që i ka shërbyer maksimalisht skuadrës dhe ka një përgatitje fizike të admirueshme. Jam shumë i kënaqur që besimin e dhënë në cilësinë e kapitenit të skuadrës e ka justifikuar maksimalisht Roli i tij natyral është organzator, dhe një nga cilësitë e shumta që e karakterizojnë këtë futbollist është goditja potente dhe përdorimi i të dyja këmbëve njëlloj, cilësi të cilat jo çdo lojtar i ka. Është një lojtar që ka të dhëna premtuese për të ardhmen, të cilat duhet ti administrojë, dhe perfeksionojë, me stërvitje intensive. Se udha për tu bërë futbollist është e gjatë dhe kërkon së pari përkushtim, vullnet dhe angazhim maksimal, të cilat Elio fatmirësisht i ka”.
Ndërsa gazetari, publicisti dhe komentatori i njohur sportiv Martin Dedaj, babai i Elios, i emocionuar teksa i kërkuam një opinion për të birin na tha: “ Pavarësisht se e kam disi të vështirë të flas për djalin tim, por po jua them dy fjalë: – Elio falë zotit është një fëmijë i sjellshëm, pa vese dhe që shkon mirë me mësime. Ai ka edhe edukim muzikor pasi njeh solfezhin dhe i bie instrumentit të klorinetës, por pasion mbi pasionet ka futbollin, të cilin e ushtron prej vitesh, dhe sapo ka filluar të trokasë në udhën e tij. Për këtë falenderoj pa masë dhe u jam mirënjohës të gjithë trajnerëve që e kanë trajnuar ndër vite, duke filluar me; babë e djalë Pjetër dhe Atilio Lesi, Edmond Loshi, Prelë Licaj, Leonard Perloshi, Vesel Sokoli, Mirsad Gruda, por në mënyrë të veçantë falenderoj trajnerin aktual Loshi për vetë faktin se është ai që ka punuar më shumë me djalin tim dhe ka ndikuar në edukimin dhe formimin e tij si futbollist, pasi një grup futbollistësh të kësaj moshe përfshi dhe Elion, janë rritur si të thuash me Profesor Edin. Nisur nga pasioni i jashtëzakonshëm ndaj tij, Elio don ti përkushtohet maksimalisht futbollit dhe unë padyshim që do ta mbështes maksimalisht në këtë udhë. Uroj që ai të bëhet dikushi në jetë, dhe të lartësojë gjenzën fisnike të familjes tonë, duke u bërë së pari një djalë i edukuar e i mirë arsimuar por dhe një futbollist i mirë dhe i spikatur. Për mua do të jetë një sadisfaksion i veçantë nëse do të arrij që nga gabina e transmetimit radiofonik të Radio-Tiranës të transmetoj edhe djalin tim, Elio Dedaj, të cilin e dua më shumë se dy sytë e mi dhe i uroj suksese dhe mbarësi në të gjitha udhët e jetës”.
Foto e ekipit “Besëlidhja” U-15: Nga e majta në të djathtë: Në këmbë: Koleci, trajneri Loshi, Nikolli, Biba, Dedaj ©, Kola, Frroku, trajneri Paloci. Ulur: Miza, Gjoka, Doda, Marleka, Çuni.