8.5 C
Tiranë
E premte, 8 Nëntor 2024

Dy shkrime nga gazetari i mirnjohure Abdurahim Ashiku

Në kujtim të dy njerëzve të mëdhenj

 

NË KULLËN E DRITËROIT DHE SADIJES, MARS 2013

Emocione…

 

Ajo është një Kullë, si kullat e moçme mbi shkëmbinj malesh majëpërzjerës reshë, ani se është copë e një pallati në qendër të Tiranës, një Kullë e sjellë me gurë e baltë nga Devolli, një Kullë e sjellë nga bjeshkët e Kelmendit, Korabit, Kurveleshit…

Në atë Kullë jeton e punon, pret e përcjell miq, krijon në poezi e prozë Dritëro Agolli. E pranë Tij Sadija, gjeneruese e Kullës në degë fëmijësh, nipërish e mbesash…

Shkallëve të asaj Kulle jam ngjitur për herë të parë më 20 korrik 1996, një ditë para se të merrja autobusin e linjës Tiranë-Athinë. U ngjita me djalin tim të vogël, Indritin, përdore. Në shkurt të atij viti ai kishte mbushur katërmbëdhjetë vjeç e në qershor kishte mbaruar klasën e tetë. Kisha ikur natën nga Peshkopia, vendlindja e vendrrënjët e mia, me pezmin e njeriut të dhunuar nga thundra politike e 26 majit, nga paralajmërimi i egër për të mbyllur gojën, përkundruell linçimit të fëmijëve.

“Ikja, shënoja atë ditë në ditar, trimëri e ditës”…

Kishte emocione djali im i vogël në atë ngjitje, emocione që i ndjeja në dorën shtrënguar pas dorës sime e në vështrimin kureshtar në një heshtje që e shqyente hapi i ndrojtur.

Atë ditë, ato çaste, atë bisedë të ngrohtë me njeriun e madh të letrave, do ma kujtonte djali im i vogël për vite e vite të tëra.

Atë ditë nuk bëra fotografi, nuk fiksova ndonjë moment intim portretesh e fjalësh. Fiksova e mora me vete dy adresa, dy numra telefoni, atë të Aristidh Kolës në Athinë dhe të Dino Kubatis në Salaminë me të cilët do të krijoja nyjën e parë lidhëse në mërgim…

Mora me vete urimin e Dritëro Agollit…

Kaluan vite, shumë vite aq sa asokohe nuk e mendoja se do të kisha jetë. Shtatëmbëdhjetë mbushen më 21 korrik 2013.

Me Dritëronë u takova një herë në Athinë e shumë herë në Kullën e tij në Tiranë .

NJË PRITJE EMOCIONUESE…

Me djalin, ato ditë marsi 2013 shkova e qëndrova ditë të pakta në Tiranë, tash në folenë e përbashkët, djersë e familjes sime ikanake. Kësaj radhe, në udhëtimin tim me të e me shoqen time të jetës, Natashën, në ngjyrat e gëzueshme të përvjetorit të pestë të lindjes së nipit tim – Eralit, biri i Altinit dhe Erjetës, vendosa të ngjitem e të trokas në portën e madhe të Kullës së Agollit, bashkë me Indritin…

Sadija nga ana tjetër e telefonit e priti me dëshirë e gëzim dhe ne na u desh të ecim shpejt për të kapur kohën e shpejtë të pritjes, më pak se një gjysmë ore.

Tek dera na priti Sadija e në dhomë, si një lis i moçëm Devolli – Dritëro Agolli. Në fillim Sadija e pas saj Dritëroi shtrënguan në gjoks djalin me fjalët…

“Sa qenke rritur!”…

U ulëm dhe nisëm bisedën…

Sadija, pasi na mbushi gotat me raki, mua dhe Dritëroit, (Indriti thjesht kërkoi një gotë ujë), me gotën e vet në dorë, duke e trokitur me radhë përcolli urimin e zakonshëm të mikpritjes…

– Gëzuar, shëndet dhe ju vaftë mbarë!…

– Gëzuar, shëndet e jetë të gjatë! Ju jeni njeriu që i qëndroni më pranë Dritëroit tuaj dhe tonë – Ia kthej unë.

MË SHUMË SE GJYSMA E JETËS BASHKË…

– Më shumë se gjysma e jetës na ka lidhë bashkë, thotë Dritëroi.

– Jemi njohur në gjashtëdhjetë e treshin, thotë Sadija. Mendo tani dymijë e trembëdhjetën! Pesëdhjetë vjet bashkë! Jemi rritur, jemi plakur, të gjitha i kemi kaluar bashkë…

– Po me punë atje, mirë? Djali? – na fut në rrjedhë të bisedës Dritëroi.

– Ikëm atëherë, në ’96-tën. Para se të iknim ju takuam dhe e kujtuam atë moment para se të vinim. Djali e filloi punën në beton, 14 vjeç në beton. Kam një fotografi të ditës së parë të punës. Pastaj vazhdoi shkollën. Mbaroi gjimnazin atje. Këtu kishte bërë tetë klasë atje bëri të nëntën. Megjithëse greqishten ende nuk e kishte zotëruar e mbaroi gjimnazin me notën 17.2 nga 20 nota maksimale. Pastaj u fut në lice profesional për informatikë. Mbaroi edhe atje me notë 17. Kishte dëshirë ta vazhdonte, bëri dokumentet dhe nisi studimet për informatikë. Që atëherë e deri tani vazhdon shkollën për informatikë dhe punon. Gjatë gjithë kohës së shkollës, në gjimnaz, lice dhe në universitet ka punuar. Në fillim në një dyqan të madh këpucësh, 13 orë në ditë, vinte i lodhur e nganjëherë i dhunuar nga fjalët e padronit, më pas me një motoçikletë shpërndante ushqime e tani, pjesë e një grupi që merret me programime kompjuterike. Ndonjëherë bisedojmë me gruan se sikur ia kemi ngrënë hakun, nuk i kemi lënë pak rini…

– Në gjithë botën studentët punojnë dhe mësojnë. Edhe ne kur ishim studentë në Rusi, në pushime shkonim e punonim, megjithëse ne ishim të siguruar se kishim stipendë (bursë) të mirë, të madhe, më të madhe se të rusëve, se paguheshim nga të dy krahët, nga ne dhe nga rusët. Megjithatë nuk dilnin për të gjitha ato që lidheshin me problemet e rinisë, të librave që duheshin më shumë por edhe për gëzime, zbavitje të rinisë, megjithëse nuk kishte në atë kohë edhe andej kaq sa çfarë ka sot në të gjithë botën. Por kishte, si këtu edhe tek ne në kohën e socializmit. Nuk ishin si murgjër njerëzit. Vinin në shtëpinë e kulturës, bënin mbrëmje, në festa, në të gjitha, djem dhe vajza. Se tashti shpesh herë këtu, thonë edhe me qëllim, që jetonim pa u takuar, pa bërë dashuri, pa lidhje me njeri tjetrin, pa gëzime, pa fejesa, pa martesa. Kështu e bëjnë sikur ishte një bunker. Kjo është e natyrshme kur ndërrojnë sistemet për të fituar autoritet dhe popullaritet. Sistemi i ri që vjen duke hedhur poshtë gjithçka, nuk sjell asgjë. Atëherë mbetet shkretëtirë. Edhe në natyrë ashtu është, kur vjen një rritje apo një rritje tjetër. Po të mbaronin të gjithë pemët me që u ndërruan vitet atëherë vendi mbetet shkretë.

– Pleqtë e moçëm, them unë, na kanë lënë si trashëgim një fjalë: Kur të bësh shtëpinë e re të vjetrën mbaje. Fut patate, fut mollë, fut barë për bagëtitë, çfarë të duash, por mbaje, mos e prish…

– Kur ishim në shkollë fillore në librin e këndimit tregohej për një plak që mbillte një pemë. Plakun, më shumë se unë në vite, e pyetën se pse e mbjell pemën, i thanë:

”Ti je i vjetër dhe nuk do të arrish ti shohësh frutat e pjekura”.

Ai u thotë:

“Mbollën të tjerët, hëngra unë. Tani mbjell unë të hanë të tjerët”.

– E mbaj mend shumë mirë, madje mund të them se është pjesa që më ka mbetur e mbjellë në kujtesë. Gabim që sot nuk është në tekstet e leximit shkollor. Për ne në atë kohë ishte një mesazh i madh për jetën.

– I kanë reduktuar, i kanë hequr…

QERSHIA E PRERË NË KOKRRA TË PJEKURA

Sadija i kujton qershinë, fshatarin në Devoll që priste qershinë në oborrin e vet…

– Djali i hallës, vazhdon Dritëroi, erdhi këtu dhe më thoshte për shkatërrimet, siç ishin atje në atë kohë, dhe më tregoi se si po e priste një njeri qershinë me kokrra në oborrin e shtëpisë. Qershi e pjekur, qershi e kuqe, e mirë.

“Pse e pret?”- i kishte thënë -Pse nuk hip dhe të hash?”

“Jo, i kish thënë ai, unë e dua të shtrirë”.

“Po prapë jotja do të jetë”.

“Jo. Tashti do të mbjellim të reja”…

– Edhe në Dibër, na tregonte një histori përgjegjësi i shtëpisë së kulturës…- ia kujton Sadija

– Po. Shtëpinë e kulturës. Erdhën në shtëpinë e kulturës, hipën në majë të çatisë, prishën çatinë. Në fshat atje, në Maqellarë.

“More pse e bëni këtë”?- i kish pyetur.

“Nuk na duhen këto, e kanë ndërtuar …”.

Edhe fabrikat, si e di, i shkatërruan. Vetëm hidrocentralet nuk i shembën se mbyteshe, se edhe digat do ti shkatërronin. Nga frika nuk i shkatërruan. Se kish edhe ndërtime që nuk i bënin dot, nuk i shkatërronin dot.

– U bënë njëzet e ca vjet dhe nuk kanë bërë një hidrocentral…e vazhdoj unë.

– Një të vetëm? Asnjë. Doemos nuk duhet thënë se nuk është bërë asgjë se qytetet kanë ndërruar, Tirana është zgjeruar, qytetet janë rritur. Tek ne bëhet një propagandë e keqe. Kur ndërrohen qeveritë nuk e kanë zakon të thonë: “U bë kaq. Ne do ta shpiem më tutje”. Nuk duan ta thonë këtë gjë por thonë se nuk është bërë fare. Është një propagandë jo realiste dhe jo e mirë. Pastaj me lumë fjalësh, me zënka sikur janë jo nga një vend por të huaj. E huaj opozita dhe e vendit mazhoranca. Shajnë me fjalët edhe më të liga se të rrugëve dhe pastaj mësohen edhe të tjerët të veprojnë kështu. Futet gjithë populli në ankth, në pesimizëm. Fillojnë edhe ata të shajnë, vriten. Nuk kuptohet kjo që parlamenti është edhe shkollë, përveç të tjerave që do të bëjë ligjet. Nuk bien dakord për asgjë. Po tha jo njëri tjetri do të thotë po. Ju edhe andej e shihni se çfarë bëhet. Kemi shpresa se do të maturohen, do të piqen. Se gjer tashti janë në përgjithësi, siç i themi ne andej, kunguj të papjekur. Kunguj të papjekur që ngjiten menjëherë në gardh.

GJUHËN SHQIPE E KA TË TIJ…

– Do të desha të flasim pak për brezin që iku në emigracion, siç iku djali im fëmijë por edhe për brezin që ka lindur dhe po rritet në truall të huaj, dua një mesazh tuajin për ta

– Ky ka bërë mirë që ka ndjekur shkollën. Edhe gjuhën shqipe nuk e ka harruar, nuk e ka përbuzur si ta themi, e ka të tij sepse një nga elementët kryesore të kombit është gjuha, pastaj vijnë të tjerat; konstitucionet shpirtërore, legjendat, përrallat, zakonet e të gjitha. Këto janë ato që e bëjnë kombin. Edhe bashkimi i njerëzve, në një shtet të vetëm, bashkimi i krahinave, se në mesjetë nuk kishte komb. Kombi u formua pas revolucionit francez, prandaj them se gjuha ka rëndësi të madhe, jo vetëm gjuha shqipe që është kryesorja por edhe gjuhë të tjera sepse njeriu sa më shumë gjuhë të dijë aq më mirë është. Ke bërë shumë mirë që ke mësuar greqishten e cila është një gjuhë nga më të mëdhatë sepse ka literaturë të madhe, të lashtën por edhe të tanishmen. Ka shkrimtarë e poetë shumë të shquar. Elitis që ka çmimin Nobel, Seferis edhe ai Nobel e ka çmimin. Po ka Kazanzaqis që është një nga më të mëdhenjtë, Ricosi që është poet i madh. Edhe ai mund ta merrte çmimin Nobel por me që ishte revolucionar dhe komunist nuk e mori siç ishte Nazim Hikmeti dhe të tjerë të asaj kohe. Pablo Neruda që e mori në Kili megjithëse s’kishin ç’ti bënin se edhe ai ishte komunist. Ricosi nuk pati fat, ka qenë i propozuar por nuk e mori. Edhe Kazanzaqis u propozua por ndërhyri qeveria greke se atë kohë ishin “kolonelët e zinj” dhe nuk e mori çmimin Nobel por e meritonte më shumë se të gjithë ata që e kanë marrë në atë kohë. Sartri i Francës u propozua, edhe e mori bile, por atëherë ishte lufta me Algjerinë dhe ai tha “Nuk e dua çmimin Nobel. Kur e kërkonja unë nuk ma dhatë. Tashti që është lufta me Algjerinë më mirë shpini një thes me miell algjerianëve. Nuk e dua çmimin Nobel dhe nuk e mori. I vetmi që nuk e pranoi çmimin Nobel, ia dhanë, nuk e pranoi.

Edhe literatura greke duhet lexuar, ne e lexojmë edhe këtu se janë përkthyer disa romane të Kazanzaqit, poezi të Ricosit, të Seferis, Elitis…

* * *

Këtu shiriti i diktofonit kishte bërë “krrak”. I zhytur në bisedë nuk e dëgjova. Humba fjalë të arta, humba kuvendimin e një njeriu që mosha ia ka pjekur dhe rigjeneruar kujtesën, një njeriu që fliste me një dëshirë të jashtëzakonshme për kohët, për njerëzit fjalët e të cilëve sikur i lexonte, i citonte me një saktësi për tu pasur zili.

Atë ditë kemi qëndruar me Dritëronë dhe me Sadijen afro dy orë. E pashë që kishte dëshirë të fliste, të fliste me mua, të fliste me djalin. Kishte dëshirë të dinte për jetën në mërgim, për krijimet letrare në poezi dhe prozë. U befasova me emrat që më përmendte, emra, që siç ndërhynte Sadija, shpesh e shpesh e merrnin në telefon, vinin dhe e takonin, e uronin në përvjetorë të shënuar, i sillnin krijimet e tyre

Dhurata ime modeste, libri “Rrëfimet e komshiut”, do ti jepte shkas bisedës me të për krijuesit mërgimtarë në Greqi, për jetën dhe prestigjin e krijuar nga brezi i ri i shqiptarëve emigrantë në punë dhe në krijimet në të gjitha fushat e jetës; në letërsi, pikturë, muzikë, teatër, balet, në biznese.

Duke e dëgjuar e ndjeva se Dritëro Agolli i madh i letrave shqipe na ndiqte, na lexonte, na dëgjonte, krenohej për arritjet e shqiptarëve në Greqi dhe në mbarë botën ku ishin shpërndarë si farë e hedhur në zall, farë që, me gjithë vështirësitë, ka bërë rrënjë e ka dhënë fryte…

Sa herë kam shkuar tek Dritëro Agolli jam kujdesur që të mos e lodh, në pak kohë t’i marrë sa mundem nga floriri i fjalës së tij të mençur.

Atë ditë, në bisedë veçanërisht me djalin, e pashë se nuk u lodh, madje u çlodh. U çlodhën të dy, Ai dhe bashkëshortja e tij me zemër të madhe, Sadije Agolli…

Këtë e ndjeva kur na përcollën deri në krye të shkallëve të Kullës së tyre të madhe…

Djalin e shtrënguan fort për qafe, fort…

Abdurahim Ashiku

Tiranë, 11 mars 2013

(Fotot nga Indrit Ashiku)

“””””””””””””””””””””””””

DY PAMJE NGA SHTRUNGA PËR ZOTIN … USH !

Fejton

E kisha “lidhë” se lehte si çapat e Bajram Iliazit, kërciste si quskër e mbushur me kokrra dëllinje.
E “zgjidha”.
Le të lehë thashë, i bën mirë, i zgjerohen mushkëritë…
Vazhdoi të lehë në uk…
Një ditë kishte marrtë një fotografi nga fototeka ime dhe pa lidhje  shkruante për shoferët e autobusëve.
I bëra një shënim “Mos përdor fotografitë e mija pa leje”.
Një shaka, sepse fotografitë e mia qarkullojnë lirshëm, janë bërë pjesë e koleksioneve vetjake.
Prisja që të më kërkonte ndonjë fotografi të shoferëve të autobusëve të linjës së Dibrës, plot në arkivin tim, tek të cilët e kishte ndalë fjalën e komente me kujtime të bukura për shoferët, për drejtuesit e parkut automobilistik të Dibrës, ndjenja që më ngjallën dëshirën ti përcjell me sfond shoferët e fototekës sime, fiksuar në vite…
Shkroi: Do të të përgjigjem nesër z. Ashiku.
U çudita…
Dhe çudia  më erdhi dje, pa gdhirë…

Reflektim

Postimin tim të fundit, e ilustrova me nji foto të Peshkopisë së atyne viteve…

Por z. Abdurahim Ashiku më bani vërejtje (akuzoi, paralajmëroi) se kam përdorë pa leje këtë foto të cilën pretendon se asht pronë e tij.

Jeni gabim z. Ashiku, foton që përdora un, ta kam ble. Ta kam ble edhe filmin edhe aparatin fotografik edhe rrogën e dietat për “punën” e kryer…

Pra i dashtun, jo vetëm që nuk të kam borxh por më ke. Më ke sepse ti disponon privatisht edhe shumë foto e materiale të tjera dokumentare me vlera, për të cilat je paguar nga shteti, shoqëria, unë. Ti ke detyrim qytetar e ligjor që këto materiale dokumentare me i kthy pranë arkivit a muzet të Qarkut Dibër, që të jenë në shërbim të të gjithëve.

Derisa ti nuk i ke në inventar, gjithçka varet prej nivelit të ndërgjegjes dhe moralit tand qytetar.

Nëse ti i dorzon, je njeri i nderuar….

Nëse nuk i dorzon, je përvetsues….

Je nga fundi i jetës Duro, vendos shpejt, zbardhja faqen vetes..!

I shkrova:
Do të përgjigjem nesër…
Me të njëjtën monedhë…
Në vend të “reflektimit” po i dërgoj dy fotografi, fiksuar tek liqenet e Kacnisë, pas një udhëtimi në këmbë të përpjetës thikë nga Kacnia në Shtrungë, në nderim dhe respekt të atyre njerëzve që bënë heroiken në ndërtimin e veprave ujore, që me punë e djersë u radhitën mes laureatëve të “Çmimit të Republikës”.
Sa për kërkesën kopje bajate e marrë nga “qytetari digjital”, i them që të vijë në Athinë dhe të marrë një për një të gjitha negativët.
Pa asnjë shpërblim.
Do të vija vetë, bile në këmbë, por USH me shokë, një ditë të egër të pranverës 1996 më dhanë ultimatumin “O mbylle gojën  o të rrëmbyem fëmijët”. Dhe provuan të më rrëmbejnë vajzën studente…
Dhe, megjithëse ka kaluar një çerek shekulli, vazhdojnë me të njëjtat ultimatume.
Lexojeni në rreshta e mes rreshtash…
Më bën hajdut !!!
Dhe kush?
Aradhja e hajdutëve, shkatërrueseve të çdo gjëje që me mundin e djersën e dibranit punëtor e shkulën me rrënjë: blloqet frutore, kanalet ujitëse, fabrikat, uzinat, minierat…
Oh çfarë masakre është bërë mbi Dibrën time, masakër që ajo kurrë nuk do ta marrë veten…
Dhe pjesë të kësaj masakre janë në arkivin tim fotografik…
Nuk e akuzoj zotin USH, një ushtar i vogël ishte, nuk mundi me vënë një fije makarone mbi spaleta…
Megjithatë atë “fijen e makaronave”:
Nëse e dorzon, je njeri i nderuar….

Nëse nuk i dorzon, je përvetsues….”
E kam pas fotografinë hob të jetës sime…
E kam pas aparatin fotografik gjymtyrë, brinjë të jetës sime, varur mbi kurriz që nga shkolla e mesme, shkolla e lartë; si mësues, si agronom, si gazetar. Nuk udhëtoja dhe nuk udhëtoj pa e pas atë në çantë. Kam negativë origjinalë që nga viti 1964 për Peshkopinë, ashtu siç kam edhe shumë fotografi të mbledhura në vitet pesëdhjetë e më vonë, shoqërore e familjare.
Nuk e di, asnjëherë nuk i kam dhënë dot përgjigje, pse në valixhen e ikjes sime më 21 korrik 1996 midis rrobave të pakta të trupit kishin bërë vend edhe disa qeska plastike me filma negativë.
Nuk e di pse i ruajta dhe pse nuk i hodha në kazanin e mbeturinave siç hodha nja 400-500 fotografi nga ata që kisha ruajtur nga puna ime si gazetar i ATSH për Dibrën dhe Matin dhe si gazetar i “Ushtima e maleve”, çka më dhemb sa s’ka.
Edhe në emigracion kur erdha në një moshë 50 vjeçare, gjëja e parë që kërkova dhe sigurova ishte jo një vend për punë por një makinë shkrimi dhe një aparat fotografik.
Me makinën kam mbush mijëra faqe shkrime, në gazeta dhe në 7 libra me rreth 3000 faqe e mbi 600 fotografi.
Me aparatin fotografik kam fiksuar rreth 20 mijë mërgimtarë në punën e tyre të përditshme, mësuese në shkollimin shqip vullnetar të fëmijëve…
Negativët lëviznin bashkë me lëvizjet e familjes time nga njëra banesë në tjetrën…
Një ditë një mik, pasi i tregova për foto negativët, më dhuroi një skaner me vendin për vendosjen e filmit dhe kthimin e tij nga negativ në pozitiv. Dhe e dini se sa kohë më është dashtë për zbardhjen e 10.000 negativëve? Katër minuta për çdo pozë…
Dyzetmijë minuta…
Tash tek udhëtoj me sy vendeve ku kam qenë e i kam ngrirë ato në celuloidin fotografik më japin jetë, më sjellin vendlindjen dhe vend udhëtimet e mija, çmallem me njerëz që i desha dhe i dua.
Dhe ndjehem i vlerësuar kur ndonjë si Ilda Rama poshtë fotografisë të një burri e një gruaja që pinë të gëzuar ujin e pastër të Korabit komenton: Një foto shumë e bukur, mrekullia vetë që e ruajmë në shtëpi edhe sot pasi kjo është gjyshja ime. Faleminderit!”
Dhe jo vetë ajo…
Shoh që shumë negativë më kanë humbur. Mbase dy herë më shumë se sa ata që kam skanuar.
Më vjen keq…
Nuk pata mundësinë që të jem në trevën ku linda, ku u rrita, vendlindje që e dua me shpirt.
Nuk më lanë…
Nuk po më lënë as njëmijë kilometra larg.
“Qytetari digjital” vazhdon të lehë.
Le të lehë…
Është profesioni i tij…
I bën mirë për mushkëritë këtë kohë koronavirusi…
Po e le lëshuar të bëjë gam – gam sa të dojë..

Abdurahim Ashiku
Athinë,
16 prill 2020

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.