Ja ku jam…
Ja ku jam, një qershoriani kalama
Më i gëzuari mes të gëzuarve
Me shallin e pionierit në qaf’
Më i padjallëzuari mes të djallëzuarve.
Ja ku jam, një qershoriani idealist
Më ëndërrimtari mes ëndërrimtarëve
Dua t’ju ngjaj të mëdhenjve një dit’
Unë engjëllori mes djajëve.
Ja ku jam, një qershoriani i sotëm
Më i zhgënjyeri mes të zhgënjyerve
I pafuqishëm ta fëmijoj botën
Si yjet e rinj mes yjeve.
Ja ku jam, një qershoriani i ardhshëm
Më shpresëtari mes pesimistëve
Botën e shikoj si fëmija përrallën
Ku e mira fiton gjithnjë mes të liqve.
@Edmond Shallvari
Thessaloniki, 1 qershor 2016