Edmond Shallvari është aktualisht njëri nga poetët më të maturuar e më produktivë të Shqipërisë, është një ” motor” poetik me xhiro shumë të shpejta. Ai plotëson idealisht trekëndëshin barabrinjës, kampion i qëndrueshmërisë në konstruksione: Edukim në stad të lartë arsimor e kulturor, Vullnet të hekurt dhe Talent të spikatur. …Duke lexuar në vazhdimësi Edmond Shallvarin, m’u kujtua nobelistja heroike polake, fizikantja bërthamore, Marija Sllodovskaja – Kyri, në Laboratorin e saj bërthamor e cila nga pasioni, ndonjëherë harronte ta vishte kostumin mbrojtës prej plumbi nga rrezatimi bërthamor. Ajo e zbuloi elementin radioaktiv, që për nder të saj e quajtën Polonium, por vdiq e re duke u bërë martirja unikale në botë e shkencës. Poeti Edmond Shallvari e ka veshur ” kostumin ” e tij mbrojtës, nga rrethimi i pandjeshëm i mediokërve, i sahanlëpirësve të letërsisë, nga skrapi i poetekave dhe takimeve hipokrite letrare, nga mediat komerciale që të zhurmojnë për promocione të shpifura për të zhvatur ndonjë kacidhe. I zhytur në Laboratorin e tij krijues, ky Pjer Kyry – poet, ka tjetër synim të nxjerrë nga dora dhe shpirti një poezi qytetare sa më të frymëzuar, të lexueshme e të kuptueshme për një rreth sa më të gjërë lexuesish të poezisë, nga ata të salloneve poetike e deri tek dëgjuesit e radios. …Nuk do të jetë e largët dita kur Edmond Shallvari dhe poezia e tij do t’i imponohet ” malit që s’ bëzan” dhe të përfshihet si shkollë, në kurrikulat shkollore të mesme e universitare, në antologjitë zyrtare të poezisë shqipe, pse jo, të përfaqësojë vendin tonë në takime, panaire e simpoziume ndërkombëtare të poezisë.