Pjesa e parafundit për 1997-n e tragjedisë shqiptare, nga libri me shkrime e kujtime, “E megjithatë…jetojmë!”,
Por edhe Maliqi, në një nga ato ditë të 1997-s, do hapte varre për dy djem, që naiviteti e kapriçioja e moshës i çuan drejt vdekjes makabre.Të armatosur lëviznin rrugëve të qytetit, duke ndjerë superioritetin e më të fortit, deri atë natë kur…
Në zonën në të djathtë të ish klub Devollit, një firmë private korçare kish punësuar dhjetra maliqare, që qepnin rroba të ndryshme për eksport. Për ta ruajtur nga vjedhjet dhe shkatërrimet, pronarët e ruanin ditë e natë duke vënë një mitraloz në hyrje të godinës.
Në errësirën e asaj nate, të ndihmuar dhe nga mungesa e dritave, dy hije njerëzore morrën rrugën drejt qendrës së qytetit. Ndaluan për një çast për t’u bindur që ishin të vetëm në çmendurinë e vendimit të marrë dhe vazhduan me ngadalë ecjen drejt fabrikës së rrobaqepësisë, duke bërë gati armët për çdo të papritur. Dhe ashtu të armatosur, me sigurinë e më të fortit, kaluan bulevardin dhe u ndodhën në porta e oborrit të godinës, nga ku filluan mësymjen me shkrehje armësh për të hyrë brenda në fabrikë. Një breshëri shurdhuese mitralozi shpoi tej për tej trupat e tyre, që vazhdonin të perpeliteshin në rrugën drejt vdekjes edhe kur i morrën urgjentisht për në spital. Mbrojtësit e fabrikës, të kthyer papritur në vrasës, të tmerruar nga ky akt tragjik, të trembur e të hutuar, lanë armët dhe pronën dhe morrën rrugën e arratisë për t’i shpëtuar hakmarrjes. Ndërsa të vrarët përcilleshin në banesën e parakohshme, pikëllimi e hidhërimi, përzierë me urrejtjen, i çoi të afërmit e tyre drejt pushtimit të fabrikës së braktisur. Pronarët e pranuan në distancë këtë akt, duke u lutur të mbyllej me kaq hakmarrja e lindur nga çmenduria e një lufte të pakuptimtë.
Ishte koha kur vdekja e ndiqte jetën me pamëshirshmërinë më të egër të saj, ashtu sikurse në të njëjtën kohë jeta e çorientuar nga lajthitja e sistemit, ndiqte vdekjen me naivitetin e një kapriçioje absurde mendjelehtësie e aventuriere.
Ishte koha e shpërthimit në ekstrem të instikteve më të egra, por edhe e zmadhimit dhe mbizotërimit të negativiteteve e veseve të pashfaqura, ose të shfaqura në minimum. Ky triumf i antilogjikës dhe antiarsyes njerëzore, krijoi individë e grupe individësh me damkën e hajdutit të pangopur e të vrasësit për hiç mos gjë, që në instancën më të ulët të pozitës shoqërore e deri në më të lartën të pozitës pushtetore. E keqja e këtij triumfi, veç viktimave pa faj, me pak e me shumë faj, pati krijimin më të dhimbshëm deri në fatalitet të Viktimës -Popull e Viktimës-Shtet. Ky dualitet viktimash ju duhet në çdo kohë krijuesve e zbatuesve, sepse vetë pozita e tyre në ngritje apo rënie, i bën të luajnë të dy kartat e këtij dualiteti. Për sa kohë populli grackohet në këtë lojë të ndyrë, pushtetarët mbeten të paprekur në pushtetllëkun e tyre, ashtu sikurse mbetet e opozituar në pafuqishmëri çdo lloj opozite. Ironia tallëse më kulmore e kësaj loje, është vetë loja e zgjedhjeve, ku të grackuarit gradojnë dhe rigradojnë me një naivitet bindës apo bindje naive të ashtuquajturit, më saktë të vetëquajturit, bij të popullit, në drejtimin e shtetit. Dhe viktima mbetet përsëri viktimë, kurse të graduarit vazhdojnë më të sigurt ciklin e përjetësimit të pozitave sunduese në shoqëri e pushtet. Në pauzën midis ciklimit apo riciklimit, Viktima-Popull pëson oshilacionet nga më ekstremet: të mirëbesimit deri në verbëri e të zhgënjimit deri në fatalitet. Individë apo grup individësh dhe familje të tëra, si nga të mirëbesuarit, ashtu dhe nga të zhgënjyerit, të ndodhur përballë rrezikimit të tjetërsimit të personalitetit e të vetë jetës, kapërcejnë kufijtë e Viktimës-Shtet, duke lënë pas atë që marrin me vete, dëshpërimin dhe dhimbjen më të ndjeshme njerëzore.
Më falni, miq të dashur, nëse ju lodha me këto gjykime, por ja që kështu më rrëmbejnë ngjarjet e ndodhitë, realitetet e rrethanat, që s’janë kursesi rrufe në qiell të kaltër, por shkak e pasojë, brenda trusnisë së një strukture e superstrukture ende në amorfitet.
@Edmond Shallvari
Libri botohet dhe shpërndahet nga