
NE
Ne vrasim njëri-tjetrin me thika e me fjalë
Më tepër vrasim veten, të tjerët duke vrarë
Me zgjuarsi njeriu, deri në përsosmëri
Ku lind vetë gjeniu, ku krimineli lind.
Diku i presim kokat, kasapë kasaphane
Diku krrakrra si korbat, me gijotinë fjale
Kaq njerëzorë jemi, modernë në gjithshka
E puthim njëri-tjetrin, e shqyejmë më pas.
@Edmond Shallvari.
Lotimet e vjeshtës
Bashkë me Trojën u dogjën dhe pemët
Bashkë me pemët, stinët u dogjën
Sot tek shikoj lotimet e vjeshtës
S’di pse më rrjedhin dhe mua lotët.
Kjo vjeshtë sot ç’më kujtoi Trojën
Pikë krahasimi në fakt nuk ka
Unë prapë vazhdoj mes vargjesh lojën
Loja e vargjeve, përbën një fakt.
Faktin e thjeshtë të rënies fatale
Ndër vjeshtrash lufte, të gjetheve-njerëz
Sa herë një Helenë, vjeshtës më shfaqet
Trojën kujtoj dhe çmitizoj Helenën.
@Edmond Shallvari.
Unë në fakt nuk e njoh startin
Dita fle e zgjohet nata
Motra në pangjashmëri
Njëra-tjetrën ndjekin prapa
Në stafetën pa mbarim.
Dhe kur njërën e zë gjumi
Tjetra ikën me revan
Në finish kur ndrohet turni
Barazohen si në start.
Unë në fakt nuk e njoh startin
E dyshoj në ekzistencë
Nuk e di kush filloi vrapin
Mbase vrapi s’ka fillesë.
Se dhe ku ka patur ditë
Diku natë do ketë pajetër
Kot nuk lindën yjësitë
Nata nuk e ndrit të zezën.
Po as dita s’bëhet natë
Po si kthehu dielli shpinën
Çfarë të them më shumë me fjalë
Fjala s’gjen pafundësinë.
@Edmond Shallvari
“”””””””””””””””””””””
MOS MA VINI RE
Mos ma vini re revoltën e zakonshme
Dashurinë e jashtzakonshme, mos ma vini re
Ato me njëra-tjetrën s’bëhen kurrë shoqe
Por prapë si binjake jetojnë brenda nesh
Mos ma vini re heshtjen e heshtur
Heshtjen që flet ma dëgjoni çdo cast
Ato njëra-tjetrën kurrë s’e kanë gjetur
Sepse brenda nesh, humnera i ndan
Mos ma vini re egon e unit
Delirin e unit ma dënoni me vdekje
Kjo nuk zgjidhet me gjuhën e plumbit
Më keq se plumbi më vret një përqeshje.
@Edmond Shallvari
“””””””””””””””””””””””
Reja
U shtrimë në shtrat resh
Pas grindjes kot së koti
Kaq mjegull midis nesh
E kthyer pika loti.
U ndamë mijra stërkala
Në rënien aq të lagshme
Pa mbritur ty të kapa
Spërkatur lotësh vajze.
Një re ishte dhe kaq
E hyrë fshehtas në shtrat.
@Edmond Shallvari.
Piktura realizuar nga Hariton Bekiaris