7.5 C
Tiranë
E premte, 7 Shkurt 2025

Eduart Pasha Vlonjati

Parodistët e Vlorës prej dekadash janë një trupë profesioniste që ka marrë jo pak vlerësime nga publiku. Një trupë profesioniste me artistë të afirmuar, fillimet e saj i ka që në vitin 1967 dhe sot pas kaq dekadash edhe pse të reduktuar në numër, ata vijojnë me po të njëjtin pasion për punën duke sjellë humorin e bukur, që pëlqehet nga publiku…
Parodistët e Vlorës , kush janë ?L'immagine può contenere: 3 persone, persone che sorridono, persone sedute e vestito elegante
Ata janë tashmë të mirënjohur për mbarë kombin ! Agron Hamo, Afrim Agalliu, Muhamet Lika dhe Mane Lumani. Të njohur në të gjithë Shqipërinë dhe nga të gjithë shqiptarët dhe bashkë me ata, është njohur edhe emri i Vlorës, sepse ata janë thjesht dhe vetëm “4 parodistët e Vlorës”Por edhe pse kanë një “mal” me tituj e çmime në karrierën e tyre artistike dhe njihen si “fara e hillësit”, si thotë populli, ata vazhdojnë të jetojnë të thjeshtë dhe me problematikat e jetës së çdo qytetari tjetër. Ata jetojnë midis nesh, ecin në rrugët e Vlorës, takohen e pinë kafe me shokë e miq të vjetër, duke vazhduar të dhurojnë emocione e të qeshura. Është shumë e vështirë ta përmbledhësh jetën dhe veprimtarinë e tyre artistike në një, dy apo dhe më shumë faqe. Gjithçka nis nga ndërmarrjet e dikurshme të realizmit socialist dhe me njërin prej tyre, Agron Hamo, për t’u bashkuar ma pas të katërt në vitin 78, kur një grup parodistësh të rinj e të talentuar, bënë parodinë e parë të Pëllumb Kullës, “Hallet e Demos”dhe që nga ajo ditë ata nuk u ndalën më dhe do të njihen me emrin artistik, “4 parodistët e Vlorës”.
Agron Hamo
Ka qenë vetëm 16 vjeç, kur midis shumë amatorëve të Sodë PVC, Nikollaq Papa, shef muzike në Sarandë, e zbuloi se kishte një talent të veçantë. Asaj kohe të gjitha ndërmarrjet e qytetit të Vlorës, zhvillonin një jetë të pasur me veprimtari të ndryshme artistike e sportive, nga ku kanë dalë në vazhdimësi edhe artistë e sportistë të mirënjohur të qytetit. Agron Hamo angazhohet në trupën e shfaqjeve të ndërmarrjes dhe në vitin 1967 fitojnë çmimin e parë të festivalit të këtyre trupave të ndërmarrjeve që zhvillohej në Tiranë, në rang kombëtar, ku Agroni luajti një parodi së bashku me Jorgaq Tushe me titull, “Kthimi i ushtarëve nga Vietnami” Kaq do të mjaftonte që Agroni të thërritej në po këtë vit, 1967, në Estradën Profesioniste të qytetit të Vlorës, duke spikatur për cilësinë e zërit. Ishin vitet kur Estrada Profesioniste e qytetit të Vlorës, angazhonte në shfaqjet e saj edhe varietet më të mira të ndërmarrjeve, si ajo e peshkimit, e naftës, e Sodë PVC së etj. Për Agroni ishte i pari nga të katërt që kishte kishte filluar një jetë si profesionist, por ende jeta do t’i dhuronte surpriza të mëdha, të cilët e bënë të famshëm në art.
Afrim Agalliu
Ashtu si edhe Agron Hamo, edhe Afrim Agalliu, një nga të katërt parodistët e Vlorës, fillimet e tij i ka pikërisht në një tjetër ndërmarrje, atë të bonifikimit, “Perlat Rexhepi”, ku merrej dhe kishte si pasion, baletin. Ishte viti 1966 dhe nëpër shfaqjet e ndryshme që jepte ndërmarrja ku ai punonte, Afrimi spikaste si valltar dhe jo si aktor. Por do të ishin regjisorët si Qirjako Sava e Gaqo Vishi, të cilët e spikatën si element që jo vetëm dinte të kërcente mirë, por dhe të këndonte bukur, duke qenë i përshtatshëm për paroditë. Asaj kohe, parodia lëvrohej gjerësisht në Estradën Profesioniste nga aktorët e Vlorës, si Leka Kruta, Gaq Vishi, Myqerem Ferra etj
Mane Lumani
Nga ndërmarrja e Ullishtës do të afrohej në Estradën Profesioniste edhe parodisti tjetër, Mane Lumani. Fillimet e para si aktor amator i ka pikërisht në këtë në vitin 1974, në këtë ndërmarrje, ku spikaste për humorin e hollë dhe imitime të ndryshme. Ky ishte i treti që iu bashkua dyshes Agron-Afrim, duke afruar gjithnjë e më shumë momentin e krijimit të asaj që vazhdon të njihet në historinë e artit shqiptarë, me emrin, “4 parodistët e Vlorës”.
Muhamet Lika
Por kësaj treshe, nuk kishte si t’i mungonte një njeri me një mimikë të përshtatshme për humor dhe të qeshura, si ajo e Muhamet Likës. Ai do tu bashkohej kolegëve dhe miqve të tij të ardhshëm, në vitin 1976, pasi do të vinte në Estradën Profesioniste nga ndërmarrja e Përpunim Drurit.
Ata u bënë katër…
Ishin të rinj. Secili kishte karakteristikat e veta në zhanrin e humorit, por i bashkonte zëri, jo vetëm për ta kënduar parodinë por edhe për të qenë të suksesshëm në të gjitha vitet në vazhdim. Ishin vitet kur qyteti i Vlorës, dallohej për një jetë plot gjallëri, ku spikasnin veprimtari kulturore nga më të larmishmet, ku garat midis ndërmarrjeve ishin jo vetëm në realizimin e planeve por edhe në art, kulturë e sport. Edhe katërshja jonë e famshme, kishte atëherë ëndrra për t’u dalluar, për t’u spikatur, sepse në art nuk duhet vetëm talent dhe të ëndërrosh, por edhe sedër e punë të vazhdueshme për të arritur më të mirën dhe këta djem të rinj për atë kohë, ishin gati për t’u bërë të famshëm. Shembujt ishin aty, në qytetin e Vlorës. Tek artistët e humoristët e Estradës Profesioniste, tek i madhi Leka Kruta, tek i mirënjohuri, Myqerem Ferra apo tek Gaq Vishi dhe regjisori Qirjako Sava, të cilët kanë meritën e padiskutueshme të zbulimit dhe rritjes cilësore të artistëve të mëdhenj të humorist shqiptarë.
Fillimet e para “4 parodistët e Vlorës”, i ka me Agron Hamo dhe Afrim Agalliu, në vitin 1974. Ishin të sapo liruar nga ushtria dhe me një dëshirë të madhe për të gjetur vendin e duhur në jetë. Numri i parë i tyre ka qenë në një shfaqje, e cila për ata të dy do të mbetet e paharruar, sepse të mëdhenjtë e skenës vlonjate, Leka Kruta e Myqerem Ferra, pasi i dëgjuan dhe u bindën për suksesin me të cilin i priti publiku i asaj shfaqjeje, , nuk kënduan më në skenë, pikërisht që nga ajo shfaqje, duke ua dorëzuar atyre stafetën e humorit dhe veçanërisht të parodisë. Pas kësaj, Afrimi, imitonte Lekën, kurse Agroni imitonte, Myqeremin. Dhe kështu, pas disa vitesh u bashkuan me Agronin dhe Afrimin edhe Meti e Manja, për të mos u ndarë për vite e vite të tëra, duke u kthyer suksesi tyre, gati në një mit për të gjithë dashamirësit e humorit në Shqipëri. Solli për ju

Eduart Pasha Vlonjati
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.