ÇOHU MOJ NËNË,O E BUKURA E DHEUT !
Dyzet ditë nënë,dhoma rri e heshtur e shkretë.
Dyzet ditë,që ti je në qiell nënë,tek dielli,tek retë.
Dyzet ditë që fotografinë tënde e lamë me lotë .
Na dhëmb shpirti,moj nëna më e bukur në botë
Të erdhëm te varri,me hapa të heshtur ngadalë.
Çohu moj nënë e përqafona,na thuaj ti një fjalë!
Akoma do rrish,nënë,shtrirë mbuluar prej dheut
Çohu moj nënë,e përqafona,o e bukura e dheut!
Dyzet ditë o nënë,na shteruan lotët nga të qarit.
Dyzet ditë mes lulesh,që po rritet bari i varrit !
Dyzet ditë ,që lulet tek shtëpia,nuk kanë aromë.
Dyzet ditë nënë,dritat presin ndezur në dhomë!
Të kërkon në dhomë Aroni,me dy sytë e shkruar
Fotografinë tënde e puth dhe e mban në duar !
Çohu nënë,unë djali yt i vetëm të përgjërohem.
Kam humbur fillin e jetës,pa ty nuk shërohem !
Dyzet ditë moj nënë,tek porta askush s’na pret
Dhe vetë porta,të kërkon,ku je moj Disho të flet!
Fëmijët e lagjes,të kërkojnë tek porta,në oborrë
Ti nga veranda,i përshëndesje të gjithë me dorë
Çohu moj nënë, të shkojmë në shtëpi përsëri.
Si mund të mbulohet me dhe,gjithë kjo dashuri.
S’ta pamë dot fytyrën,nënë mbuluar prej dheut .
Çohu moj nëna jonë,eja me ne,e bukura e dheut