Ndonëse ndër vite Shqipëria ka bërë përparime në respektin e të drejtave të fëmijëve, vendi është thuajse totalisht i papërgatitur për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga dhuna seksuale. Mungesa e njohjes për shkallën e problemit e shërbimeve, çojnë në përsëritjen e rasteve si kopje të njëri-tjetrit.
Referuar studimit të fundit të CRCA/ECPAT Shqiperi, rezulton se fëmijët nën moshën 14 vjeç janë viktimat kryesore të krimeve seksuale, nga ku 83% e tyre janë vajza. BECAN (2013) tregoi se të paktën 1 në 10 fëmijë në Shqipëri është viktimë e dhunës dhe ngacmimit seksual!
Rasti më i fundit i përdhunimit të një vajze 14-vjeçare ishte një këmbanë alarmi për të gjithë! Nuk mund të vazhdojmë të veprojmë më me metodat e zakonshme për të parandaluar dhunën seksuale ndaj fëmijëve, pasi ato kanë dështuar! Është urgjente që Shqipëria të ndërmarrë hapa politike dhe ligjorë, si dhe të zbatojë masa e modele të reja, që vendosin në qendër mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e krimeve ndaj fëmijëve dhe të rinjve.
Në këtë kuadër CRCA/ECPAT Shqipëri hapi fushatën “NEJEMI1”, e cila kërkon të adresojë të gjitha mangësitë që sistemet paraqesin, duke angazhuar zyrtarë publikë të lartë, deputetë, personalitete politike, të artit dhe të muzikës, drejtues dhe aktivistë të OSHC-ve, gazetarë, ekspertë, Ambasadorë etj, për të nxitur krijimin e një lëvizje kombëtare kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve!
Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale (ACA Shqipëri) e CRCA/ECPAT Shqipëri, ka kënaqësinë tju ftojë të bëheni pjesë e këtij Forumi Online, i cili synon të hapë një diskutim të gjerë ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile që ofrojnë shërbim të specializuar për fëmijët dhe të rinjtë që i kanë mbijetuar dhunës seksuale.
Forumi do të organizohet në datë 30 Qershor 2020, ora 10.30. Qëllimi i tij është eksplorimi i mangësive në identifikimin, raportimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri, me qëllim. Forumi online synon të këto objektiva:
Të diskutojë me përfaqësuesit e institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve mbi zgjidhje konkrete për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi seksual në Shqipëri;
Të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile me qëllim trajtimin në mënyrë sa më efikase të rasteve të abuzimit seksual;
Të identifikojë burime mbështetëse për shërbimet e sektorëve të ndryshëm për Mbrojtjen dhe rehabilitimin e fëmijëve viktima të dhunës seksuale dhe familjeve të tyre;
Koordinimin e punës për ofrimin e mbështetjes institucionale dhe profesionale për fëmijët që i mbijetojnë dhunës seksuale;
Të gjitha organizatat që kanë ekspertizë në fushë, janë të lutura të na shkruajnë nëse duan të adresojnë forumin nëpërmjet ndarjes së eksperiencës së tyre.
CISCO Webex do të jetë platforma që do të përdoret për Forumin online. Adresa do t’ju niset vetëm personave që CRCA/ECPAT Shqipëri ju ka dërguar konfirmimin për pjesmarrjeje. Për t’u bërë pjesë e Forumit online jeni të lutur të nisni një e-mail në adresën: crca@crca.al