22.5 C
Tiranë
E mërkurë, 25 Qershor 2025

Eqerem Hasani – një histori suksesi në kardiologjinë shqiptare.

Shkruar nga:

Vladimir Duraj

Nëse Eqeremi do të rritej në kushte normale, me nënë dhe babë, do të thoshim se nuk kishte bërë ndonjë çudi, qoftë edhe duke arritur majat në profesionin (misionin) e nderuar të mjekut. Por, kur Eqeremi arrin majat dhe shkruan histori suksesi në kushtet e një jetimi, mbetur pa babë në moshën 10 vjeçare, atëhere me plotë gojën duhet t’i themi : “Bravo, Eqerem!

Ti shkrove histori, Ti bëre jo realizim “detyre”, por tejkalim të saj. Dhe për këtë duhet të nderohesh, duhet të shihesh si misionar.” Është postulat qenia e mjekësisë mision dhe jo profesion, por jo të gjithë e shohin si të tillë. Për ta parë kështu një profesion ( siç klasifikohet de jure mjekësia) nuk mjafton vetëm ta mendosh këtë definicion, për ta parë kështu lipset që edhe ta ndjesh si të tillë, të kesh edhe zemrën të artë përveçse mendjes. Dhe zemra e artë nuk bëhet në udhë e sipër, zemra e tillë lind. Kështu ndodhi edhe me Eqeremin, Eqeremi erdhi në jetë me gen të artë. Eqeremi u lind në Shkodërlocen mbretëreshë njëherazi me mesin e stinës më të bukur të vitit, Pranverës, në Prill të 1955-ës. Jeta kishte rezervuar për të një fëmijëri të vështirë, teksa e linte jetim në moshën 10 vjeçare. Por, nëse “djalli” e la pa baba, ishte zoti Ai që i’a bëri nënën heroinë, ishte Ai që e lindi të tillë këtë heroinë. Nuk ishte e lehtë përballimi dhe mirërritja e tre fëmijëve në moshën 10, 6 dhe 1.5 vjeç edhe nga një familje normale e jo më nga një familje në situatën e mësipërme. Ishte unikale mëma e Eqeremit, ishte universale, bënte shkëlqyeshëm gjithçka ishte e nevojshme për një familje normale. Për nënën heroinë të Eqeremit lipset një roman i tërë, shkruar nga penë të arta si Kadare, Agolli, Çela etj, dhe jo një penë modeste si kjo imja…por, megjithëse kështu, unë po shtoj edhe dy rreshta për Të. Në kushtet e mbetjes e vetme me tre fëmijë të vegjël, Eqeremin 10 dhe dy vajzat 6 dhe 1.5 vjeçe, prej saj edhe vet zoti kërkonte vetëm mirërritjen e tyre deri në mbarimin e 8 vjeçares, siç bënin të gjitha familjet në kushtet e saj. Por jo, Ajo sakrifikoj gjithçka dhe me heroizëm, po po, tamam heroizëm, mundësoj arsimimin maksimal të tre fëmijëve, kryerjen e shkollës së lartë. U zgjata disi me përshkrimim e kësaj pjese të jetës të familjarëve të Eqeremit, por nuk mund ta anashkaloja këtë bazament të historisë së suksesshme të heroit tonë, Dr Eqeremit. Me mbarimin shkëlqyeshëm të 8-vjeçares dhe të mesmes për Farmaci, në vitin 1974 Eqeremi fillon punë në Farmacinë e qytetit të Shkodrës. Aty punon një vit në pritje të akordimit të një të drejte studimi për Farmaci. Vlen të theksohet këtu se, nëse puna 1 vjeçare në Farmaci do të konsiderohej si vit shkollor, përsëri Eqeremi do të vlerësohej ‘Shkëlqyeshëm’. Është kështu sepse Eqeremi u lind në gen për të shkëlqyer dhe u mëkua ditë për ditë e vit për vit me “qumësht” vlerash nga e ëma heroinë. Në vitin 1975 në Shkodër nuk shkuan të drejta studimi për Farmaci dhe në të tilla kushte Eqeremi zgjodhi simotrën e Farmacisë, Mjekësinë e Përgjithshme. Rezultatet e shkollës së mesme i mundësonin atij të zgjidhte degën më të mirë në dispozicion. Po e thyej disi linjën e këtij shkrimi me diçka që më tha shkrimtari i madh Zija Çela, patriot i Eqeremit, kur e pyeta : – A paguaje gjë kur botoje prozë e poezi në atë kohë ? – Jo, çne, përkundrazi, na paguanin – m’u përgjigj. Kështu ndodhi edhe me Eqeremin. Meqë kishte rezultate të larta dhe vështirësi ekonomike, jo vetëm që nuk paguante gjë në Fakultet, por përkundrazi, falë bursës së akorduar ai merrte 3000 lekë në muaj, shumë e konsiderueshme në atë kohë. Gjithashtu, falë asaj çfarë Ai ishte, ekselent në mësime, sjellje dhe gjithçka tjetër që karakterizon një nxënës, por edhe dashamirësisë së një supernjeriu si Dr Hamza Vneshta, ish drejtor i Spitalit të Shkodrës, Eqeremi do të punësohej si ndihmës farmacist në Spital gjatë pushimeve verore (tre muaj të çdo viti) qysh në përfundim të vitit të parë të shkollës së mesme e deri në përfundimin e Fakultetit, plotë 10 vjetë. Pasi mbaron Fakultetin po me rezultate të shkëlqyera, Eqeremi emërohet në Urgjencën e Spitalit të Shkodrës. Edhe aty si kudo, krijoi një emër shumë të mirë si mjek human dhe i pa përtuar. Pas 18 muajsh pune në Urgjencë, në vitin 1984 konkuron dhe i jepet e drejta e specializmit dy vjeçar për Kardiologji. Tashmë për Eqeremin fillon një etapë e re, fillon ngjitja për në majë, gjë që kërkonte edhe më shumë punë, studim, përkushtim. Kthehet në Shkodër pas specializimit, tashmë si kardiolog, me dëshirën dhe premtimin dhënë vetes për të bërë më të mirën për shkodranët e tij të dashur. Nuk vonoj shumë dhe Eqeremi përsëri për specializim në Tiranë, këtë radhë për Ekokardiografi, specializim që e plotësoj edhe më tepër staturën e tij si mjek elite. Si për ta bërë edhe më të mirë, më të fortë dhe më të dashur, më human dhe misionar të vërtetë, Eqeremin, pas kthimit nga specializimi e emërojnë mjek në fshatrat rreth Shkodrës, ku qëndron deri në vitin 1996, kohë kur shkon për specializim 6 mujor në Gjermani, falë mbrojtjes së Gjuhës Gjermane në vitin 1988. Para se të vijoj më tej me ecurinë e mëpastajme të jetës së Eqeremit, më duhet të them se puna dhe jeta në Zagor, Dukagjin, Koplik dhe Malësi e madhe ishte një universitet i dytë për Eqeremin, ishte specializim për njohjen e njerëzve me zemër të madhe dhe mirënjohës. Nëse specializimet e deriatëherëshme dhe ato që do të vinin më pas do ta rrisnin edhe më profesonialisht, “specializimi” në fshatrat më sipër do ta rriste edhe më si njeri, do ta bënte atë të gjithëpranuar si shenjtor. Në Gjermani Eqeremi qëndron 16 muaj, pavarësisht se u nis për një specializim 6 mujor dhe u kthye në Shkodër edhe më i madh si Mjek. Shumë shpejt u shndërrua në lider i mjekësisë shkodrane e për rrjedhojë i’u ngarkua detyra e shefit të Patologjisë në Spital. Në vitin 2000 Eqeremi aplikon për mjek kardiolog pranë Urgjencës së QSUT- së dhe fitoj, duke merituar kështu thënien “jepi Çezarit atë që i takon”. E pra, QSUNT i dha Eqeremit atë që i takonte, pozicionin e mjekut kardiolog pranë Urgjencës së saj. Por nëse QSUT i hapi derën, për të qëndruar brenda kësaj “ndërtese” duhej ta justifikonte besimin e dhënë. Shumë të tjerë si Eqeremi i largonin kur shikonin se nuk kishin ambicje për t’u ngjitur më lart profesionalisht. Me Eqeremin ishte ndryshe, Ai jo vetëm që do të qëndronte aty, por me kalimin e viteve do të merrte me konkurim pozicionin e Shefit të Shërbimit të Urgjencës, Shërbimi më i vështirë në republikë, sidomos në kohën e tërmetit dhe murtajës covid 19. Para se të vinte në kētë pozicion, Eqeremi kreu për 4 muaj detyrën e Drejtorit të Spitalit në Shkodër, i komanduar nga Ministri i Shëndetësisë…po ashtu, kreu masterin dhe mbrojti titujt Doktor Shkencash dhe Profesor i Asocuar. Në Shtator 2023 Eqeremi bëhet pjesë e Spitalit Amerikan, duke vijuar edhe aty të njëjtën perfomancë sipërore si në Shkodër dhe QSUNT. Eqerem Hasani, kardiolog, Prof Asoc.Dr. tashmë pjesë e Urgjencës së Spitalit Amerikan 2, u bë i njohur për mua 1 vit më parë. Rasti më çoj në Urgjencën e këtij Spitali, ku, në kontaktin e pakminutshëm me të, vura re cilësitë sipërore që them më sipër në këtë shkrim. Eqeremi ta imponon nderimin dhe rrespektin, të “detyron” ta promovosh, ta paraqisësh si modelin më të arrirë të mjekut që si fe ka mjekësinë, të cilën e sheh si mision dhe jo si profesion. Shoqëruesi im në Urgjencë, kur pa Eqeremin të kalonte pranë nesh, më thotë : “- Shikoje këtë doktor, më ka shpëtuar nga një siklet i madh para 5-6 vjetësh.” “- Përse, si ndodhi ? – e pyes.” “- Solla nënën në Urgjencë per zemrën. Në atë kohë ky punonte në QSUT. Mbasi e vizituan dhe kontrolluan mirë e mirë jo një, po dy mjekë, na thanë që nëna do operuar. Nëna 81 vjeçe dhe operacioni në këtë moshë e mendon vet ti. Megjithatë nuk kishim ç’bënim, po përgatiteshim për te pranuar operacionin e kërkuar me këmbëngulje nga mjekët në fjalë. Në një moment, ndërsa prisnim për ta çuar nënën në sallë, zoti na përballë me këtë doktor. I kërkoj të ma shihte njëherë edhe ai nënën, duke i treguar edhe vendimin e kolegëve të tij për ta operuar. “- Po, mor, sille nënën, më tha dhe punë minuti nëna ishte nën diagnostikimin e tij. Mbasi e viziton mirë e mirë me eco e ku di unë, me një buzëqeshje magjike, më thotë : – Merre nënën në shtëpi, bëji këto ilaçe dhe nëna do bëhet shumë mirë.” Dhe ashtu ndodhi, Lad vëllai, nëna u bë top, siç edhe ti e di dhe shpresojmë të arrij qindshen. – Nuk është çudi, 87 vajti ajo dhe, çështë më kryesorja, është mirë fare me shëndet, ndërhyra unë. Ndërsa shoqëruesi im mbaroi së treguari sa më sipër, Dr Eqeremi kthehet përsëri drejt nesh. Shoqëruesi im i jep dorën dhe buzagaz e gjithë mirënjohje, i drejtohet Eqeremit : – Doktor, ju mbase nuk më mbani mend, por më keni shpëtuar jetën e nënës para 5 – 6 vjetësh. – Ashtu ? Po si është nëna ? – Është shumë mirë, i mbushi 87 vjeçe. – 100 vaftë! Mbasi folëm edhe pak çaste, të mjaftueshme për një njeri që ka intuitë të zhvilluar dhe aftësi për të arritur në konkluzione me fare pak kontakt, si ajo dashuria me një shikim, ndahemi me Eqeremin duke i uruar njëri – tjetrit mbarësi në vijim. Ah, edhe diçka, në momentin e ndarjes hidhem unë dhe e pyes për emrin. – Eqrem Hasani – më thotë dhe atë moment nxjerrë nga xhepi e më jep një kartvizitë. Nuk ia kërkova për ndonjë hall emrin, thjesht vendosa të shkruaj për të, me qëllim që t’u tregoj të gjithëve se çfarë thesari është Dr Eqeremi. Eqeremi është “prodhim” i zotit, ndërtuar me kujdes e dashuri me qëllim që te ai çdo gjë të jetë e përsosur. Simpatik nga jashtë, fisnik nga brenda, me shpirt e zemër të madhe Dr Eqeremi është modeli më ideal i Hipokratit të ditëve të sotme. Gjithçka te Eqeremi, duke filluar nga profesionalizmi, ndershmëria, thjeshtësia, përkushtimi dhe përgjegjshmeria për misionin e tij fisnik janë të natyrshme, nuk ka asgjë te sforcuar te Dr Eqeremi. Dr Eqerem Hasani vijon ende të kontribuojë në Spitalin Amerikan megjithëse në vitin e 70 të jetës. Të shkruash për Të, të promovosh jetën e Tij është nevojshmëri në kohë të arta dhe domosdoshmëri në kohë pa kohë si koha që jetojmë. Është domosdoshmëri sepse kështu ka shumë gjasa që “Eqeremët” të shtohen e të bëhen shumë, me qëllim që ti shërbejnë popullit dhe vendit me devocion.

Fut
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.