Lagjia e dibranëvet..
Dihet se Tirana ime ka qenë ajo që ka hapur Dyert e dritaret, njësoj si ai komshiu i derës mesit, apo ai me shtëpin më të madhe për të gjitha “prurjet” e migrimet e brendshme. Eh Sigurisht që këto u shtuan pasi u bë kryeqytet, u dyfishuan pas Luftës, u dhjetëfishuan ne vitet ‘90, e për të vazhduar me vëllezërit tanë nga Kosova në vitet 1998-1999… ndonëse ne sapo kishim kaluar 1997-ën dhe ishim me “plagë nëpër këmbë për vete “..!
Një komunitet interesant , por që ia ktheu borxhin dhe nderin dyfish Tiranës, është komuniteti i dibranëve.
Eh, dikur mund të quhej kështu, sepse sot janë shkrirë e janë bërë një me ne…
Janë disa vargje të një kënge popullore që më dhanë shtysë për ti hedhur dhe unë dy fjalë për dibranët e qytetit tim.. si njerëz punëtorë dhe shumë po shumë të zgjuar e sqimatarë..!
“Në gjithë botën anembanë
gjithandej ku ka dibranë
sot nji borxh tek ti e kanë
S’ta harrojn’ o moj Tiranë
Kur ne erdhëm jabanxhi
Ti na dhe zemër , ngrohtësi
Tek ti hangrëm buk’ e kryp
Tuj punu e jo tuj lyp,,
Mëhalla e “Dibranve “, u krijua në vitin 1914, kur ata u dëbuan nga serbët . Sot edhe ata bëjnë pjesë në grupin e tiranasve të vjetër, por pa i harruar dhe mohuar kurrsesi traditat dhe origjinën e tyre.
Si resultat i luftës së Serbisë ku qëllimi ishte marrja e trojeve të Dibrës së Madhe, një numër jo më pak se rreth dy mijë banorë do të linin Dibrën dhe rrethinat e saj për tu zhvendosur në qytetet shqiptare, kryesisht: në Malëcin e Krujës, Mat dhe Tiranë. Këtë e ka dëshmuar me krenari ndër të tjerë edhe Halil Kajnozi, një prej banorëve të parë të zhvendosur në kët mëhallë. Kjo ishte si mund ta quash “vala e parë e dibranëve të ardhur këtu, të cilët ndoqën dy linja, për nga si kanë mbërrit: E para është: Dibër – Strugë- Elbasan-Tiranë, ndërsa e dyta : Dibër-Mat-Shkallë e Tujanit-Tiranë, eh që të dyja në një vijë llogjike të thjeshtë shkon dhe e kupton përse janë vendosur pikërisht në atë lagje.
Ndërsa vala e dytë e dibranve është ajo e pas Luftës së dytë Botërore (këta nuk ishin të gjithë “sheherlinj kësaj here, por nga Peshkopia e rrethinat, Malësia e Gollobordës etj.,).
Si kufijë në hartën e qytetit pak a shumë lagjia e tyre përkon me zonën e Xhamllikut, në të djathtë e në të majtë të saj. Tamam si ato bletët apo milingonat punëtore, ato për njëri-tjetrin ishin shumë shumë të lidhur, çdo familje ishte si motër e vëlla mes njëri-tjetrit.. dyert i mbanin për njëri-tjetrin hapur nga mbrëmja në mëngjes dhe e ndihmonin njëri-tjetrin aq shumë për tu rimëkëmbur, tamam si zogjtë që iu është prishur foleja dhe janë zhvendosur përkohësisht tjetër kund.
E bukura është se Tirana s’të le të ikësh kollaj, e thon dhe vargjet e bukura të këngës: tek ty hangrem buk e kryp, tuj punu e jo tuj lyp…, pra ndonëse shumica ishin sheherlinj që kishin ardhur mos me rà në dorë të serbit, ato gjithsesi kishin mbërritë veçse me plaçkat e trupit. Sepse dihet që në raste dëbimesh, eksodesh, shpërnguljes njeriu s’mendon për para e pasuri veç kokës. Mirëpo duke qenë njerëz tepër punëtorë dhe të zgjuar ata punuan Aq fort dhe shumë shpejt arritën tua blinin tirancëve çdo rryp toke e çdo pëllëmb që i patën marrë hua për të futur kokën.
Eh , për zgjuarsin, sarkazmën e humorin e hollë të dibranëve, mënyrën sesi e ven në lojë dhëndrin në dasmë , mënyra sesi e nderojnë Mikun, por duke qenë vetë zot shtëpie,,,, ka shumë histori e shumë shprehje, ndër to më e goditura:” Në Dibër merr, por mos jep”! E cila iu referohet shumë grave e vajzave dibrane, një pjesë e mirë e të cilave duke marrë e duke dhënë u shkrinë komplet me familjet tiranase e krutane. Aq shumë saqë sot 80% e pasardhësve (edhe miq të mij) të familjeve të ardhura, njërin prind e kanë dibranë e tjetrin tiranas.
Ato sigurisht që ia kanë shpërlbyer kryeqytetit me kuadrot e njerëzit e mençur që nxorrën në krye të vendit.
Një tjetër kontribut me vlerë është ndihmesa që kanë dhënë që herët për ndërtimin e xhamisë së Kokonozit në vitin 1933…. e ndihmesat der më sot s’kanë të numëruar
Por, për mendimin tim më interesantja është sesi tamam si një çift që marrin çka u duhet nga njëri-tjetri janë përshtatur aq mirë me fqinjët e tyre kryeqytetas: Tiranasit duke marrë nga Dibranët pak ambicjen e ata duke marrë nga ne: zjarrin, humorin dhe dashurinë pa kushte të cilën kurrë se njollosën e as nuk e hodhën poshtë !
Një fjalë të mençur që i përshtatet fiks mirënjohjes së pamasë ndaj Tiranasve ka shprehur dhe Hoxha Vehbi Najdeni (i dalë pikërisht prej këtij komuniteti): “ Rrefugjati kudo n’botë me shku ka me mbet dhè i hudhun , e merr era e shuhet kurse ne dibronët zum rroj n’Tironë falë dashtunisë së tironcave . Pranej mallku njaj “dibron tirone “ që s’bo shumë për kët nonë të madhe “!
Ndërsa kur them që edhe ne kemi marrë prej tyre e gjeta të mishëruar këtë mendim edhe tek fjalët e prof. Artan Fugës :” disa tironca po ti gërvishtësh pak dalin dibranë”!
Kjo është pra e bukura e dashurisë pa kushte që ofron Tirana. Njësoj si ajo gjyshja e mirë që kur i shkon për pesë minuta, të nxjerr kafen e llokumin para, e hala pa i mbaru ti e ka shtruar sofrën e frutat që i ndodhen pas saj, më vonë të lutet duke të “nxjerrë bè” që ti rrish për darkë, pastaj të flesh aty e të nesërmen të thotë me shumë dashuri:” Meqë erdhe , rrij një javë me bujt “!
Kjo është mikpritja tiranase, nuk dijmë të përzemë kurrë askënd!