8.5 C
Tiranë
E enjte, 26 Mars 2026

Ervina Toptani

Çfarë është dinjiteti?

Po sjell një shembull të vogël mes dhjetrash që kam njohur e parë në jetë…

Kishim një mik ne në familje dikur, them dikur sepse sot nuk jeton më. Quhej Bajram, një burrë i urtë, punëtor, baba i dy vajzave e bashkëshort i një gruaje tepër të vuajtur si ai vetë. Bajrami ishte djalë i një tregtari i cili u dënua me pushkatim dhe natyrisht familja e tij u internua. Edhe Bajrami vetë pas disa vitesh u burgos e bëri 10 vite burg, 4 prej të cilave në të njëjtën qeli me dajën tim.
Pas disa vitesh që doli nga burgu e jetën familjare e kishte me po aq vuajtje sa brenda burgut, e thërret sigurimi i shtetit dhe i kërkojnë që të bashkëpunonte me ta për t’i ndihmuar ata të gjenin “elementët reaksionarë” brenda rrethit shoqëror të Bajramit e për t’i asgjesuar ata.
E thërrisnin shpesh gjatë atij muaji dhe sigurisht që kthehej prej atje me shenja në trup e fytyrë. Zgjati ca kohë “përpunimi” i Bajramit e në fund ai firmosi se do të bashkëpunonte me ta. Ditën tjetër Bajrami u kërkoi të gjithë miqve e familjarëve që të mos i shkelnin më në derë, madje e kërkoi me ngulm e nerv këtë gjë e fillimisht qenë të shumtë miqtë që u zemëruan me Bajramin.
Mbeti i vetëm Bajrami, askush nuk i shkelte më në derë por në të njëjtën kohë dhe ai vetë nuk doli më nga shtëpia.
Kësisoj Bajrami nuk pati kurrë asgjë për t’i thënë sigurimsave e mundi të mbrojë dhe ato çka kishte më të shtrenjtë, vajzat e tij.
Po si ndodhi që firmosi Bajrami për sigurimin?
Sigurimsat pasi e kishin provuar me javë ta bindnin Bajramin me mënyrat e tyre te forta, rrahje e tortura, kur e panë se nuk kishte ndër mend të dorëzohej i thanë se haraçin e mosbindjes së tij do e paguanin vajzat, njëra 17 e tjetra 15 vjeç. Ia lidhën të bijat në karrige para syve të tij të zhveshura lakuriq dhe 4 sigurimsa prisnin të kryenin akte të dhunshme turpi me të miturat. Bajrami firmosi menjëherë!
Pas disa muajsh që jetonte i mbyllur brenda në shtëpinë e tij të varfër, për të mos iu dorëzuar përbindëshave të kuq, për të mos parë lemeri me të bijat e për të mos tradhëtuar asnjë mik a të njohur, Bajrami i mirë u hidh nga kati i pestë i një pallati. Ai u largua nga kjo botë që i jepte çmime të majme vetëm ligësisë. Vdiq me dinjitetin e një shqiptari që nuk vijnë më në kohët tona!
Kur përmendej emri i tij në shtëpinë tonë ulnim kokën në shenjë respekti për të e familjen e tij.
Raste si ky kam njohur mjaft gjatë jetës, që i përkasin një epoke kur të rinjtë e sotëm pak dinë prej saj, a thua se kanë kaluar mijëra vjet ndërmjet. Dinjiteti ruhet edhe në kushte ekstreme, edhe kur sheh vdekjen me sy sepse mendoj se kur nisesh për në botën tjetër, dinjiteti është e vetmja gjë që marrim me vete por e lemë dhe prapa njëkohësisht.
Unë jam rritur mes njerëzve si Bajrami dhe e kam prekur me dorë vuajtjen e dhimbjen e tyre. Ndaj më dhemb çdo ditë Shqipëria, se më dhembin varret e tyre e më dhemb në shpirt ende dhimbja e tyre e patretur.
p.s. ishin shqiptarë ata të sigurimit, edhe ata që i torturonin, edhe ata që u përdhunonin fëmijët e mitur, edhe ata që i ndërsenin e i ushqenin të tilla kafshë, edhe ata që i spiunonin njerëz si Bajrami, edhe ata që paguheshin për të vrarë, edhe ata që firmosnin urdhra të tillë, ishin të gjithë shqiptarë, si Bajrami, si unë, si ty…

Ervina Toptani

“”””””””””””””””””””””

Njeriu dhe miu…

(Në qelitë e diktaturës…)Mund të jetë një imazh i 1 person

…Duhet të kishin kaluar muaj tashmë, ndoshta dhe ndonjë vit, nuk e dija me siguri, e kisha humbur nocionin e kohës. Nuk kisha më një tik tak që ta kundroja ndërsa akrepat lodronin ndër minutat në ikje por më mirë që nuk e kisha, përndryshe do të më duhej të matja kohën, durimin dhe dhimbjen nën goditjet e furishme. Nuk e di kush sjell më shumë dhimbje në vetvete, të matësh durimin apo vetë dhimbjen!

Ishte errësirë gjithnjë, e nuk shihja dot asnjë rreze dielli të depërtonte nga askund. Për mua ishte gjithmonë natë e nuk vinte kurrë mëngjesi. Unë isha në vendin e pakohë, nga ku prisja fundin dhe mezi e prisja, sido që të ishte do të ishte më pak i dhimbshëm sesa pritja nën tortura.
Kisha një mik të veçantë në birucën ku lëngoja i lidhur nga duart, të kapura në mur pas kurrizit dhe nga kërcinjtë e këmbëve jo me pranga por me zinxhirë. Prangat m`i vinin më vonë, kur më zgjidhnin nga zinxhirët dhe më dërgonin në dhomën e tmerrit. E quajnë “dhoma e pyetjeve”, por është zgërku i torturave.
Nga muri përballë ku unë qëndroj i lidhur shihet një vrimë e thellë nga ku hyjnë minjtë gjatë gjithë kohës. Vijnë me shumicë në kohën që më sjellin lëtyrën që supozohet të jetë një lloj supe a lëng fasuleje, nuk e kuptoj dot çfarë mund të jetë, por herë pas here duken krimba që notojnë në të. Tasin ma vënë në tokë, aty ku unë qëndroj i lidhur me zinxhirë nga këmbët e krahët. Nuk e kam asnjëherë mjaftueshëm afër tasin e lëtyrës, të paktën ta lëpija siç bëjnë macet, gjithnjë ma vënë një pëllëmbë larg e unë duhet të zvarritem e të tejzgjatem duke ndjerë si më thërrmohen kërcinjtë e këmbëve e të duarve prej tërheqjes. Dëgjoj gardianët që gajasen ndërsa më shohin të bëj përpjekje për t`u zvarritur drejt tasit me lëtyrë, ndonjëherë venë dhe bast mes tyre nëse do mundem ta arrij. Ka ndodhur që e kam arritur e gardiani që e humbte bastin vinte e ma ngjeshte tasin në fytyrë me një shkelm të fortë aq sa më duheshin orë për t`u përmendur sërish. Më janë thyer pothuaj të gjithë dhëmbët. Jam vetëm 31 vjeç! Djalë i një babai që vdiq në burg e nuk ka një varr, nip i një ministri të viteve kur Shqipëria filloi të bëhej shtet i vërtetë. Faji im është prejardhja ime, mbiemri im, gjaku që më rrjedh në deje. Unë jam shqiptar, kaq mjafton si faj i rëndë për këta që më torturojnë! Kushdo që është shqiptar në shpirt dhe Atdheun e do të lirë, të begatë, të pasur duhet te vdesë! Nuk e di edhe përsa dekada ende duhet të vdesin shqiptarët me shpirt shqiptari!
Po ju thoja se e kam një mik edhe këtu ku jam. Eshtë miu i hirtë, mi arash duhet të jetë nisur nga madhësia e tij trupore. Jemi bërë miq tani pasi ka kaluar kohë që vjen e më viziton çdo ditë e ndërsa shokët e tij i sulen tasit të lëtyrës përpara se unë të mbërrij me zvarritje deri aty, miu i hirtë qëndron përballë meje e më shikon ngultas. Herë herë ka provuar të më afrohet por jo aq sa për të më ngulur dhëmbët. E ka kuptuar se kjo gjë në trupin tim është e pamundur tashmë! Çuditërisht ai nuk i vërsulet kurrë tasit të lëtyrës, ndoshta ka ku gjen më mirë se aq. Qëndron në një qoshk e kundrojmë njëri tjetrin derisa unë i flas i pari. Kam mall ndonjëherë të dëgjoj zërin tim, ka filluar të meket e flas më shumë me frymë sesa më zë. Ai hera herës bën ndonjë ecejake deri pranë meje e më fikson me sytë e tij të zinj.
Një natë, më kishin torturuar aq shumë sa nuk mbaja mend as ku ndodhesha e çuditërisht nuk ndjeja më as dhimbje, mezi mundesha të hapja qepallat e syve. Nuk lëvizja dot asnjë milimetër por ndjeva që brenda qelisë po bëhej luftë. Minjtë ishin sulur drejt meje, duke qenë unë i gjithi i gjakosur. Ndoshta iu solla dëshirën për të provuar gjak, edhe atyre, njësoj si xhelatëve të mi. Por miu i hirtë erdhi rrufeshëm e u ndesh me dy më të fortët e grupit dhe pasi u përlesh keqazi me ta i përzuri nga biruca jonë. Ikën të gjithë, mbetëm vetëm unë e miu i hirtë. Ishte gjakosur edhe ai. Erdhi drejt meje e më vështroi ngultazi. U mbështoll kruspull si një mace e përgjumur dhe fjeti nën këmbët e mia të akullta, në të ftohtin e acartë të birucës.
Duhet të kishte ardhur mëngjesi besoj se ndjeva hapat e rëndë të gardianëve që me siguri sillnin lëtyrën e rradhës. Asnjë mi nuk u duk të futej në birucë nga vrima e thellë në mur. Miun e hirtë nuk e pashë rrotull, edhe pse unë shihja pak vetëm me njërin sy, tjetrin nuk mundesha ta hapja ende. Sapo u hap dera e birucës, dhe gardiani përkulet lehtas për të ma vënë tasin e lëtyrës me preçizion një pëllëmbë larg vendit ku ndodhesha i lidhur, miu i hirtë i hidhet në fytyrë me një kërcim të beftë e tmerrsisht të shpejtë. Aq shumë ia nguli kthetrat e tij të forta në fytyrë gardianit sa ai ulëriti dhimbshëm e 2 të tjerë i erdhën menjëherë në ndihmë. Ishte hera e parë që dhimbjen time e ndjeva të derdhej në ulërimin e tjetërkujt. E tërhoqën miun e hirtë me forcë nga fytyra e gardianit aq sa në kthetra i mbetën copat e lëkurës. E përplasën në mur fuqishëm por nuk e vranë dot. Ai u bë vetëtimë e u fut në vrimën e thellë në mur.
– Ja, ka ndenjur në një birucë me këtë kriminelin antikomunist dhe është bërë dhe miu si ky. Ti e ke mësuar të më hidhet mua në fyt? I ke folur kundër nesh e kundër partisë me siguri por do e shohësh ç`do të heqësh ti dhe ai shoku yt që fshihet vrimave!
Këto fjalë me siguri ishin më shumë në adresë të miut të hirtë sepse unë ende nuk isha përmendur mirë nga torturat e një nate më parë dhe kishin muaj që ma tregonin zotësinë e tyre, burrërinë e tyre!
Ndjeja se po hyja sërish në kllapi, ndoshta këtë herë për të mos u zgjuar më. Doja ta përqafoja miun e hirtë e t`i thoja se njeriu shpesh mund të jetë shumë më pak sesa një mi dhe se një mi mund të jetë shumë më tepër sesa një qenie frymore që rëndom mund ta quajnë njeri. Doja t`i lija dhe një amanet për nënën që kishte muaj që qëndronte tek hekurat jashtë burgut në pritje të shihte dhe njëherë djalin e vetëm, dritën e syve. Ndjeja se nuk mund të prisja më gjatë….
Ervina Toptani
“””””””””””””””””””Mund të jetë një fotografi nga afër e 1 person
Fryn puhiza,
M’puplon gjithkah,
Tinguj shpërndan ndër floknajn e artë,
I çila kanatet e shpirtit,
krejt shlirtë i lashë,
Flandron e dlirë brenda meje tash…
Andrrës i dha krahë,
N’andërr jetova krejtçka….

Ervina Toptani

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.