Ne kem’ harrue me u dasht!
T’u harruen vorret e djemve Shqipni, ku i ke burrat që n’44 maleve t’i vranë, se t’dojshin të lirë nanë!
Ku i ke vorret e bijve që për demokraci u kallën,
U harruen, u mluen n’zi, armiq t’i shpallën.
Ku mbet Marku i Gjon Marka Gjonit, kujtimi i Koliqit, thirrja e Fishtës, firmtarët e çlirimit?
Kush ta vrau Shqipni Arben Brocin me shokë?
Kush e zhduku pa varr Remzi Hoxhën n’kët tokë?
Ku t’mbetën nanë djemtë e Spaçit e t’Burrelit,
Që flamurin pa yll valviten mbi shkamb t’dreqit?
I kanë harrue shqiptart mija burra e gra,
që ndër tortura dhanë jetën, se t’dojshin t’lirë nanë.
Për ty demokraci që besuem se do t’vijshe,
U vramë mes vedi n’97, kush luftën ta prú e dijshe!
Kush i shtin shqiptart me u urry ndër shoq?
Ca shpirtzi me parti që varre shtuen ndër mot.
E dalin sot apet për luftë ka t’kërcnojnë,
Vrituni shqiptarë që prapë ata t’fitojnë.
Sa lehtë e kem’ ndër vllazën me u sha e vra,
A ksaj po i thoni politikë ju a çka?
Ku e keni tretë dashninë për liri?
E prisni demokracinë pri sektit komunist?
Ju sikur unë i njihni të tanë,
S’ju mjaftuen der tash krejt çka ju kanë dhanë?
Me metën, me berishën, me ramë e sorollop,
32 vite a nuk i njohët boll?
Tash, pse kam shkru ca fjalë që i dinë mirë t’tanë,
Besa dhe mu litarin s’ka qare pa ma dhanë!
Sa koh’ ju t’vazhdoni t’urrehi vlla me vlla,
Partiçkave t’ramizit flori koha i asht ba.
Unë t’vuej Shqipni, ani pse m’serdise,
T’shof njiherë t’vetme si nuse sojlie.
E t’shkoj te vorri babgjyshit, t’ulem e t’kjaj,
T’i them njiher t’vetme se lirinë e pashë.
T’vij Atdhe nji herë pa vaj e lot n’sy,
T’shoh se ndër vllazën mretnon veç dashni!
Ervina Toptani
“””””””””””””””””””””
Repulsion…
Ekzistojnë disa vende që i thërrasin shpirtit a është shpirti ai që i thërret, këtë s`kam mundur ta kuptoj ende. Zoti e ka sjellë njeriun të jetojë në parajsën që krijoi enkas për të. I dha gjithçka me qenë i lumtur, e pajisi edhe me arsye, e si rrjedhim edhe me ndërgjegjje. Njeriu me vetëdije të plotë, duke pas strehuar në skutat e vakuumta të mendjes pakënaqësi, për krejt çka s`mundi t`i mbërrijë, zakonisht të shprehura me “kur s`do Fati me ardhë”, vendosi të ndryshojë botën, në emër të “emancipimit”. Aty filloi të njohë vakuumin në rritje, që shtohej e shtohej në të gjitha hapërsirat e tij me ambicjen për të pasur shumë e më shumë. … E jemi tek e sotmja …
Duke kqyrë çfarë kemi arritur për të mbrritur s`di se ku na pat thënë mendja, krejt e vetme kam vendosë të kapërcej përtej “kufirit ligjor” që qytetërimi më mundëson. Siç duket vakuumi që duhet të trashëgoja prej genit të njeriut, në mendjen time, nuk ka funksionuar. Jam gjetur mes udhëkryqesh për të cilat kujtesa ime humane në qelizën bazë, nuk ka ruajtur asnjë informacion. Nuk ka kërrkund, në skedarët e memories time, një të dhënë fillestare që tregon se unë i përkas o zinxhirit njerëzor që dikton o atij që pranon e bindet. Nuk ia kam dalë të gjendem tek asnjëri grupim, një jetë e kaluar pa qenë pjesë askund, veç me veten e shpesh dhe në luftë me të.
Jeta ecën e unë s`kam lëvizë asnjë fije përtej. Të tjerët u ngritën, u bënë të rëndësishëm, shkelën mbi kurrize e koka të përkulura, u zotuan se do t`i ngrinin në këmbë por i pashë të zhyten thellë e më thellë, e ata që vraponin mbi ta, u ngritën lart e më lart.
Jetën e kam parë të ikë nxitimthi, noton në lumenj të mbushur plot me ujëra të ardhura prej ku s`e kam kuptuar kurrë. Njerëzit lundrojnë mbi këto lumenj e hera herës i kam parë t`iu përmbysen barkat, të kapen me thonj nëpër barishtet që iu dalin përpara në dëshpërim për të shpëtuar jetën që vetë e kërkuan të jetë e tillë, e kur nuk ia dalin fajësojnë Fatin. Unë kam mbetë n`breg. Jo se m`ka shqetësuar shumë fakti që nuk e gjeta fijen që më lidh me trupat humanë që lundrojnë lumenjve por se nuk mësova dot kurrë të notoj rrjedhave ku shtyhesh me urdhër të dikujt, për t`u zhytur prej detyrimit se je një ndër ata.
Unë nuk e kam mësuar notin, pak prej frikës, pak prej rrezikut se po ta mësoja, duke u nisur prej vetëdijes konkrete se fort “individ” si ata që më rrethojnë nuk jam, e di se do të mbytesha në vend. Edhe nëse nuk do të mbytesha fizikisht, mendja do të ishte mbytë patjetër e në gjithë atë ujë të pafundmë nuk do mundesha kurrsesi ta gjeja sërish. Por vetja thellë e njeh mendjen më mirë se unë. Me siguri mendja ime nuk do të vdiste prej mbytjes, do të kishte përdorur mbytjen si alibi. Ajo do të vraponte e do të bëhej erë nën rrjedhë, aty ku njeriu nuk mundet të pushtojë kurrgjë e në vrap të marrë pak prej gëzimit të lirisë së fituar e pak prej dëshirës më i ikë nxitimthi fundit të diçkaje ku ajo nuk përket, do të mbërrinte në breg para meje. Do të merrte arratinë pyjeve e shtigjeve për të mbërritur atje ku e di se do të jetë e lumtur, tek maja e malit më të lartë. Vetëm prej aty mendja ime do të mundej të mësonte të merrte krahët, të fluturonte. Do të rrëzohej qindra herë e ndoshta do të thyhej shpesh në përpjekje me prekë hapërsirën qiellore që nuk e frikëson sikur rrjedha e një lumi që ndërron kah sipas trajektores së shtratit që njerëzit vetë ia ndryshojnë sa herë iu leverdis.
S`më ka pëlqyer kurrë zvarritja nëpër tokë, as ecja si kalë i stërvitur për të duruar mbi shpinë pesha të rënda, as të jem kotelja e përkedhelur e një fëmije a një zonje që pamundësinë për të dhënë dashuri atje ku nevojitet fort do e jepte duke përkëdhelë gëzofin tim të butë prej kafshe të bindur prej nevojës. Unë do ta dija këtë, e do të sillesha si të donte zonja a fëmija i saj që unë të sillem. Do të jetoja dhimbjen e hipokrizisë që sjell përkedhelja e falur prej bindjes për nevojë, duke mos mundur t`i jepja shpirtit çfarë i mungon por vetëm çfarë i ndodh të gjejë rastësisht, prej nevojës për mbijetesë.
Në breg të lumit pashë atë çka notarët brenda tij nuk e shohin dot. Vërej se korrenti duket i fortë vetëm në sipërfaqe por kurrsesi shkuma e bardhë që shtrohet si velencë mbështjellëse nuk dikton dot fuqinë e rrjedhës. Njerëzit mjaftohen duke ndjekë valëzimin e pa trajtë që lumi derdh mashtrueshëm mbi vete. Në fund të tij nuk duket asnjë gjurmë egërsie siç pasqyrohet në sipërfaqe hera herës. Eshtë krejt i qetë, duket sikur edhe ai jeton në dy starndarte. I jep njerëzve atë çka ata kërkojnë prej tij dhe vetë ka zgjedhur të jetojë të vërtetën në thellësi, aty ku shpirtin nuk ia shohin dot ata që i gëzohen e binden veç rrjedhës. Do të isha mbytur me siguri nëse do m`gënjente mendja se do të mund të mësoja notin. Thonë se lumi notarët i ka në xhep…
U largova prej bregut me vetminë e veten për dore. Ishim tre. S`kam qenë kurrë vetëm qysh se u binda që ndër “humanët” që munden gjithçka, nuk përkas. Unë mundem pak, veç pak … mundem me dhënë shpirt prej timit, lot n`formë dashnie, asgjë më shumë.
U nisa. Rrugës jam ushqyer me lugë t`mendimit, kam shuar etjen me lëng dëshirash që buronin venave të mia. Me veten e vetminë përdore, u ngjita në mal. Tani po mësoj të fluturoj…
Ervina Topta