10.5 C
Tiranë
E hënë, 21 Prill 2025

Ervina Toptani

Në vend të telefonatës sot më erdhi ky mesazh…..

Doja t’i bija telefonit por e di që nē këtë orë nuk flet dot. Duhet të pres dhe ca që të të dëgjoj zërin. Por doja të të flisja tani e të të them se bashkë me babin, gjithsecili në qoshen e vet, për ty po mendojmë. Jam duke bërë mami tavë kosi po s’më bëka zemra me e çu deri në fund. E di sa shumë të pëlqen dhe e di që sa herë e gatuan vetë më thua: po pse nuk m’del aq e mirë sa e jotja?
Meqë s’të flas dot tani që po gatuaj pjatën tënde të preferuar, vendosa të të shkruaj. Më ka marrë zemra dallgë e s’po di ku ta çoj gjithë këtë ngashërim. Nuk dua ta besdis babin me lot e fjalë si përherë e preferova me e zbraz në heshtje, duke të të shkruar, mallin e zi.
Më dhembin këmbët shumë, gjunjët, kockat, tensioni si përherë po atje lart rri, mezi ulet nga një vije me një grusht ilaçe çdo vakt. Unë e di pse dhemb gjithçka, e di mirë por ty nuk ta them dot hapur asnjëherë. Dhemb trupi se dhimbja e vërtetë sa një mal vjen nga shpirti. S’po të shoh dot mami bir aq sa du, s’po të puth dot nona që mezi të rrita, s’po të prek dot e as t’i shoh dot sytë e bukura të paktën një herë në muaj. Blej mami kalendar çdo fillimviti me qarku me të kuqe 2 data ne vit bir, një herë për vit të ri, edhe kjo jo gjithmonë, e një herë në verë. Dy ditë në vit feston mami jot, ato momentet kur më hidhesh në krahë e më pushton si atëherë kur ishe 5 vjeç.
Sipër tavolines, te komodinat, nëpër mure, kudo nëpër shtëpi vetëm fotografitë e juaja janë, të tuat, të fëmijëve. Unë s’e kam ngop shpirtin e kraharorin akoma me ty, e më duhet të vuaj dhe mallin për të vegjëlit e tu që nuk i gëzova dot mami siç bëjnë gjyshet atje ku rriten ata. Rri e numëroj me fjalë si e marrë ndonjëherë kur shoh vizatimet e gocës që shkruajnë sipër: për nonën më të mirë në botë, me shumë mall për ty. Të dua shumë nona.
Çuni ka lënë te mami pizhamat e çorapet. Rri nona tu i puth çdo darkë e pastaj i them vetes: budallaqe si s’ke turp, kalamajtë shyqyr janë mirë. Rri urtë mi gru se s’tu terën lotët asiher’.
S’ka ditë që s’të kërkoj falje bir në heshtje për të gjitha herët kur doje me flejt me mamin tënd, kur doje të rrije gjatë përqafuar në kraharorin tim, kur doje të më puthje 100 herë pa pushu, kur doje me dalë me mua shëtitje e të rrinim gjatë jashtë. Unë s’kisha kohë asnjëherë, me vrap në punë me 2 turne, ikja në mëngjes herët e vija në mbrëmje vonë, pastaj punë po njësoj në 74 vite jetë mbaj mend vetëm punë e pak ditë të gëzuara. Sot po jetoj pasojat e asaj pune me 100 sëmundje në trup e duke mallku veten që s’të putha mami sa desha, që s’kisha kohë që ti të ngopeshe me erën e dashurinë e nonës tënde. Ah jetë, 60 vjet punë e pensioni as 10 ditë nuk shkon!
Sa herë kthej kokën se më duket sikur të dëgjoj zërin, sikur hapet dera e të shoh që hyn e qeshur si përherë: “mam erdha, po erdha me vrap se po ngordhja me të puth”. Këtë s’ma thotë kush në botë bir. Sa shumë dhemb ky dreq shpirti. Vetëm ne, prindërit, gjyshërit shqiptarë duhet të vuajmë kaq fort, një herë me ju rrit me gjak e thonj e pastaj me ju çu rrugëve të botës e me vdek çdo ditë nga pak nga malli. Më dhemb shpirti bir, prandaj dhemb dhe trupi e prandaj ilaçet nuk bëjnë fajde!
Babi ka vu përpara një meze të vogël e dy gota të vogla rakie, nji për vete e nji për ty. Po dëgjon Hafsa Zyberin po syve po i lodrojnë dhe atij lotët duke të të mendu. I mungon shumë dhe atij “shoku” vet, siç të thërret. Por gjithsesi është ma i fortë se unë. “E ka baba çun ate”, thotë. Nganjëherë i them si me inat: “shyqyr që e boni Zoti gocë Ervin honmin tim”. Qesh ai e thotë: “ku di gjo ti mi gru pse them kshu un”.
Më fal nëse kur ta lexosh këtë mesazh a letër do të lotosh si unë, e di mami që malli është një shkëmb gjigand në kurrizin e të gjithëve ne që jemi nda për së gjalli. Lus Zotin vetëm që të jeni mirë e që ti kur të jesh gjyshe si unë të mos vuash të njëjtin mall për fëmijët e nipërit e tu si unë tani. Më beso, dhemb shumë me dasht me puth e përqafu dritën e syrit tënd e të mos ta shohë syri gjëkundi.
Të dua mami aq sa s’ta merr mendja.
Të puth prej së largu, si çdo orë, minutë e sekondë,
MAMI
p.s. po pres t’më thahen lotët me e thirr në telefon po m’duket se sot do shkoka gjatë.
Ervina Toptani
Mund të jetë një imazh i 1 person dhe ambiente të brendshme
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.