Askush nuk e beson se intelektualë si Dan Shemë Salaj, i cili para një viti është ndarë nga jeta, nuk është më mes nesh. Si për ta faktuar këtë, në 1-vjetorin e shuarjes së tij vjen ky libër, i dorëshkruar nga vetë Dani dhe për Danin, një udhëpërshkrim realist i jetës vitale të Tij, i titulluar “I përulem Matit tim”. Libri u përgatit nga shkrimtari dhe publicisti Qemal Cenaj, me korrektor letrar Hamdi Hysukën, ndërsa grafika u punua nga Artan Kurti. Dhe ja ku e kemi sot ndër duar këtë libër të Dan Shemës, në 1-vjetorin e mungesës fizike të tij, por jo të asaj intelektuale e shpirtërore të tij.
Që në parathenie Qemal Cenaj e fton lexuesin të njihet me personalitetin e vlerë për breznitë dhe Matin të Dan Shemë Salajt. Rrallëkush gëzon një cikël jete në shërbim të atdheut si Ai, nga një pionier i luftës partizane, një deputet i Kuvendit Popullor të kohës, më pas “Hero i Punës Socialiste” në krye të ish’ekonomisë më të madhe dhe më të dalluar të rrethit, kooperativës së Shoshaj-Lisit, “Qytetar Nderi” i bashkisë Mat, shkrues dhe botues i monografisë “Dëshmitar i kohës”, bashkëpunëtor i ngushtë i gazetës Mati, intelektual me një gamë të mahnitshme dijesh e kërshërish.
Libri i Dan Shemës “I përulem Matit tim” i shërben lexuesit me një arsenal shkrimesh me karakter historik, shoqëror e politik të pabotuara ndonjëherë, ku Dani merakun më të madh duket se e kishte të përcjellë në kujtesën e lexuesit periudhën e administrimit të fisit Zogolli në Mat. Por shkruan dhe për rezistencën antifashiste të matjanëve, për qeverisjet kombëtare e lokale të pas ’45-ës, bujqësinë në Mat, ndikimet e luftës së klasave, profilet e drejtuesve matjanë që patën një jetë me dinjitet në shërbim të atdheut, për kooperativën e bashkuar Shoshaj-Lis që e pati brigadier, llogaritar e më pas kryetar për më shumë se njwzet e shtatw vite.
Tek shfletojmë këtë libër-udhëpërshkrim të jetës së Tij, lexojmë se kudo që punoi e jetoi Dan Shemë Salaj dha aq shumë, por mori dhe aq shumë vlerësime; tituj nderi, dekorime, e mjaft certifikata mirënjohjeje. Por pa lënë pas dashurinë dhe përkujdesjen për familjen, bashkëshorten, fëmijët, nipat e mbesat që i donte e sakrifikonte aq shumë për ‘to.
Kuratorët e këtij libri janë kujdesur që të mbledhin këtu dhe shkrimet publicistike të Danit shkruar me një mjeshtëri të rrallë dhe në gazetën “Mati”, se si u bënte strehë të ndëshkuarve nga sistemi monist, por kuptojmë dhe se si Dan Shema gjithë jetën ia dedikoi Matit, njerëzve të punës, mes të cilëve u rrit e u formua, duke u bërë një shembull model për brezat që nuk mund të harrohet kurrë.
Kjo del në këtë libër dhe në kujtimet e miqve e bashkëpunëtorëve, që për ‘to Dan Shema ishte model frymëzimi, shembull i njeriut të kohës, krah për krah me njerëzit, që i donte dhe i mbrojti deri me jetë dhe që për ‘ta do të mbetet mall i pashuar në jetë, besnik i tokës dhe i derës që leu e që për të gjithë ne, emri i Tij nuk ka të harruar.
Vetëm sa cekëm përjetimet që merr lexuesi nga libri “I përulem Matit tim”, i dorëshkruar nga Dan Shema si një testament për brezat. Por që më shumë për këtë njeri – pishtar u fol gjatë promovimit të këtij libri në një nga lokalet e qytetit Burrel, ku familjarë dhe bashkëqytetarë e njerëz të dashur të tij u mblodhën për të organizuar një rekuiem shpirtëror e letrar kushtuar këtij matjani të madh, “Qytetarit të Nderit”, Dan Shemë Salaj.