Sa herë pashë vetëm lëkurë,
mbuluar dritë m’është dukur thjesht
Një pemë me sythe sapodalë,
a gjethe rënë kur ishte vjeshtë
Edhe një diell fshihej nën të,
e ngroh… ohh si ngroh o zot
Thonë vetëm diell digjet lart,
por veç ai nuk të nxeh dot
Të nxehin sytë veshur me mall,
e zemër rrahur me nxitim
Kur ngrihen bulëzat plot djersë,
ku fryhet gjoks me psheretimë
Dhe sheh atë çka fshihet thellë,
shpirtin e gjallë… dhe bën çudi
Ndoshta prandaj fshihen dashnorët,
të mos i shohë asnjeri
Ndoshta prandaj u shkrua bibël,
mbase dhe folën perënditë
Se engjejt vetë panë këmbëzbathur,
një vashë të re veshur me dritë
Edhe ofshanë të gjithë në kor,
çfarë mrekullie kishte ngjarë
Se morën jetë ëndrrat e mira,
dhe gjak u shkri nëpër damarë.