Si s’mësova të harroj, s’di se kush më bën magji
Ndaj zë lindem në Topojë edhe vdes në Verri
Rritem tej në Sheqmarinas e dal tutje në kënetë
Në Ndërnënas brohoras në Agim mbetem i shkretë
Në Darëzezë zë loz me valë e në Shtyllas nuk kam frikë
E ndez gazin në Sheqishte sa nuk ka njeri t’a fikë
Dhe Libofshës shkoj të them se ç’kam parë edhe mësuar
Mbase do më shohin shtrembër mbase thonë është djalë i zgjuar
Pa ndjek Semanin e gjërë të më çoj në shtrat të tij
Të më zbardhë lëkurë të reshkur kur Gjanica të ma nxijë
Edhe tej të fle në Pishë nën kallëmash me rosakë
Në Kolkondas të më thonë; dukesh qënke frikacak
E në Metaj të korr grurë, të fus misër në koçekë
Të zë peshk në Halibejas e me shokë në prush t’a pjek
Me raki të bërë prej mëni, Havalejës e kanë zjerë
Në Marinëz përqafohem, në Pojan me ca të tjerë
Edhe shkojmë mbi Koshovicë gjer te ura në Mifol
Në Zhupan edhe në Rreth shkojmë e lahemi në gjol
Dhe në Plyk te udhë e vjetër nuk shikuam asnjeri
Ndaj kënduam deri vonë duke pirë në Grecalli.
Në Dërmënas pashë një hoxhë tek po falej në xhami
Në Shënpjetër ish një plakë mbledhur gjithë me shami
Nuk e di se kë po priste duke parë nga udhë me gurë
Ndoshta priste Boçovarët të kalonin përmbi urë
Ndoshta vinin krushq nga Levan, përmbi kuaj të shaluar
Apo nuse Kryegjate me dhurata nëpër duar
A dhëndurë që nga Mbrostari që këndojnë ca këngë malli
Kur në Baltëz fryjnë gërnetë shkrihen njërëzit së gjalli.