Nga: Aleksandër Ndoja
Megi Cara është një vajzë nga Mamurrasi dhe jo vajzë me origjinë nga Mamurrasi, siç e paraqesin rëndom disa media. E paraqesin të tillë, pra duke i përcaktuar origjinën, a thua se bëhet fjalë për origjinën e Gjergj Kastriotit, Pashko Vasës, Gjergj Fishtës, Ambroz Marlaskës apo dhe shumë të tjerëve që vendlindjet i kane te diskutueshme per shkak te shekujve, por e kanë një të përbashkët me Megi Carën, nëse i referohemi vetëm origjinës, por jo vendlindjes.
Megi Cara, në fakt ka lindur në Mamurras, por babai i saj Nexhmi Cara një inxhinier i mirënjohur i minierave pak vite më parë ka lënë vendlindjen e tij në Zajs të Mirditës dhe si mijëra të tjerë në kohë migrimesh, ka zbritur dhe krijuar familjen në Mamurras. Edhe vetë Megi një periudhë të shkurtër kohore ka jetuar dhe shkolluar në qytetin e Rrëshenit, ndërsa ka dy të përbashkëta me poetin e mirënjohur të trojeve shqiptare, Gjok Beci.
E përbashkëta e parë me Gjok Becin është se janë nga i njëjti fshat i Selitës në Mirditë, pra nga Zajzi, ndërsa e e ajo e dyta lidhet se të dy ndonëse në kohë të ndryshme, kanë marrë kërcënime serioze nga eksponentë ekstremistë serbë, për mbështetjen e fortë që i kanë dhënë Kosovës. Gjok Beci mbetet padyshim zëri i papërsëristshëm i luftës për liri të shqiptarëve në njërën anë të kombit të përbashkët, ndërsa Megi me një iniciativë të pashembullt u bë nismëtarja, zëri i fuqishëm i mbi 197 mijë shqiptarëve kudo në botë, me të cilin u arrit që kompania e mirënjohur me famë botërore “Apple” ta vendosë edhe Kosovën në hartën e saj digitale.
Kosova e ka vendin e saj të merituar si shtet në çdo qelizë të globit, por aty ku mungon me apo keqdashje, duhet vigjilencë. Një iniciativë e tillë mori udhë kur studentja Megi Cara kishte konstatuar se Kosova nuk ndahej nga Serbia me kufij ndërkombëtarë në aplikacionin Apple Maps. Ndërsa në finish të kësaj nisme të saj, kompania Apple vendosi ta korigjojë hartën digitale, ndërsa nisma e Megit dhe vetë ajo u bë kryelajm i gëzuar në mediat më prestigjoze mbarë kombëtare.
Një një intervistë për një media “VOAL” Megi Cara është shprehur…
Kur e nisët peticionin për vendosjen e Kosovës në hartën Apple, menduat se do merrte përmasat që mori?
Siç e kam shprehur edhe më parë, peticionin e kam nisur në një mënyrë shumë spontane dhe kurrë nuk kam menduar se do të merrte përmasat që mori apo se do të arrinte të bënte një ndryshim kaq të rëndësishëm.
Qëndron edhe dikush tjetër pas kësaj nisme apo vetëm ju?
Nisma është marrë nga vetë unë, pas bisedave me miq, por pas suksesit të peticionit qëndrojnë plot 197 mijë e 175 shqiptarë në të gjithë botën që firmosën peticionin.
Si ndiheni tani që Kosova u bë pjesë e hartës së Apple dhe kjo vetëm falë nismës tuaj?
Tani që Kosova është pjesë e hartës së Apple, ndihem shumë krenare dhe mjaft besimplotë për ndryshime të tjera rrënjësore për kombin shqiptar.
Arritët të komunikoni me Dua Lipën?
Dua Lipa nuk më ka kontaktuar asnjëherë.
Persona të tjerë të njohur, ju kanë kontaktuar ose uruar?
As persona të tjerë të njohur nuk më kanë uruar.
Ju thatë gjatë asaj kohe që morët edhe kërcënime, kishte ndonjë emër të njohur?
Kërcënimet kanë ardhur nga “luftëtarët” digjitalë serbë, shumica e tyre nacionalistë në moshën adoleshente. Kërcënime direkte nga figura të njohura serbe nuk kam patur.
Flamuri autokton solli sërish një gjendje të ndezur mes shqiptarëve dhe serbëve, dhe ju vazhdoni sërish postoni në rrjetet sociale hartën e Shqipërisë së madhe. Keni ndonjë synim tjetër tani që arritët vendosjen e Kosovës në hartën e Apple?
Ëndrra e çdo shqiptari patriot, të drejtuar nga atdhedashuria është që trojet shqiptare të jenë të bashkuara. Nostalgjia për Shqipërinë Etnike na ndjek në çdo moment, por një qëllim realist do të ishte bashkimi kombëtar, pra ai i Shqipërisë me Kosovën.
Ka Megi Cara dëshirë të bëhet pjesë e politikës shqiptare pas studimeve?
Që në moshë të vogel kam ëndërruar të jem pjesë e politikës shqiptare dhe gjatë këtyre ditëve kam folur me mbështetës të peticionit për politikat ekonomike dhe reformat që do bëja unë në Shqipëri.
Ke përmendur diku Margaret Theçerin si figurë frymëzuese. E mendon veten në të ardhmen një Margaret Theçer në Shqipëri?
Margaret Theçer është frymëzim për të gjithë konservatorët e të gjitha femrat në përgjithësi, sepse ajo ishte e para që sfidoi shoqërinë patriarkale dhe ia doli të jetë kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar. Ajo do të ishte shembulli më i mirë për të ndjekur.
“”””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””
“E pabesueshme por e vërtetë” Historia e rrallë e “Babë Dilës” virgjinës që sakrifikoi për vijimsinë e familjes
Rreth monografisë, me autor Bardhok Sulejmani.
-Përgatiti: Aleksandër Ndoja-
Është folur shpesh për gra burrëresha, që në kohë të tyre thirreshin virgjina. Gra që braktisnin përjetë rolin që i ka caktuar natyra një femre, për një mision shumë më të madh familjar. Është shkruar shumë për to, madje janë bërë edhe filma dokumentarë, ndër më të fundit ai i shkrimtares Elvira Dones, që tërhoqi vë mendjen e opinionit ndërkombëtar. Janë disa raste që tashmë janë të njohura si në Mirditë, Mat, Dibër, Lumë, Malësi të Madhe, në Kosovë etj.
Në rastet më të shumta kjo sjellje bazohet në një zakon shumë të lashtë dhe ndodh vetëm për arsye të forta, për të marrë gjakun e vëllait a të atit, kur familja nuk kishte meshkuj të tjerë. Por ndër rastet më të vecanta renditet rasti i ndodhur në fshatin Katundin e Vjetër (Bulgër) në Rubik të Mirditës. Babë Dila sic u quajt nga i gjithë fisi apo katundi ka një histori të rrallë, pasi vendimin e mori në moshën 16 vjecare, vendim i cili pati një mision të rrallë dhe të madh, mision që mbrojti vijimsinë e një familje në një moment shumë delikat, familje që sot është solide me numër të madh anëtarësh.
Historia e babë Dilës tashmë në faqet e një libri monografik me autor z. Bardhok Sulejmani.
Historia zë fill gjatë viteve 1920-ta, kur familja e Marka Ndocit shpeshherë për të siguruar bukën e vitit merrnin tokë me qera në Breg të Matit. Por përvec të ardhurave morën një të keqe të madhe, sëmundjen askohe vdekjeprurëse të malaries. Kjo sëmundje që pati një përhapje të madhe në kohën e “nepses” sundimit austriak filloi të merrte një nga një edhe pjestarë të familjes së Ndocit në Katund të Vjetër. Rasti më tragjik ishte dergjja në shtratin e vdekjes së një cifti, Ndue e Mara Ndoci që po linin pas edhe një fëmijë 3 muajsh.
Si shpëtoi fëmija 3 muajsh nga një vendim i vështirë.
Teksa nëna e tij ishte shtrirë e pajetë në ceremoninë e varrimit ku ishin shumë pjesmarrës, fëmija 3 muajsh qante papushim. E vetmja mundësi për mbijetetesë për një fëmijë kaq të vogël në atë kohë ishte gjiri i nënës, ndërsa nëna dergjej e pajetë. Në shtratin e vdekjes ende frymonte babai i foshnjës, por pa asnjë mundësi lëvizje. E trishtuar në kulm ishte halla e fëmijës, në atë kohë 16 vjecare.
Teksa zëri i fëmijës po mekej drejt shuarjes, ora për varrimin e nënës po afronte. Dikush nga mesi i grave në kulmin e trishtimit thotë se fëmijen duhet ta fusnin pranë gjirit të nënës. Asnjë mundesi shpëtimi nuk mund të parashikonin për Prengën e vogël që dukej i pajetë, ndersa e vetmja e rritur aty ishte halla e saj, qe pas nje viti do te martohej.
E ndërsa kjo ide po merrte formë, nga mesi i grave hidhet halla e fëmijës. Dila vetëm 16 vjece në pak minuta merr vendimin e rrallë. Të bëhej nënë e fëmijës në agoni, të ndahej përgjithmonë nga i fejuari që në djep. Ndaj me forcë merr fëmijën nga duart e diskutueshme, përpara se ta fusnin pranë së ëmës të pajete dhe ashtu fluturimthi merr malin pa adresë.
Ja si e përshkruan autori i librit “E pabesueshme, por e vërtetë” autori Bardhok Sulejmani në monografinë për babë Dilën dhe fisin Ndoci nga Katundi i Vjetër në Rubik:
… “Zojëmira Dila që kishte zënë strehë pranë brimit të ujit të pjshëm në mal, rregulloi një strehë rrëzë një gështenje degëhapur. Për shtrojë mblodhi barë dhe gjthe fieri. E vetme natën, vetëm 16 vjece merrte e jepte me fëmijën…i njomte buzët e ujin e burimit. Pushonte së qari për një cast djali e prapë dihaste frymëpak. Nëpër të dalme të ditës, djalin e zuri një gjumë i lehtë. Zojëmira Dilë nuk mbylli sy gjithë natën…, roje me nipin – foshnjë në gji të saj duke u lutur”.
Vitet kaluan, Dila me ngagantë në brez dhuruar në castet e fundit nga i vëllai, babai i foshnjës lëvizte papushim me fëmijën në krahë apo shpinë, duke kërkuar mundësi mbijetese për të dhe vehten derë më derë dhe tek murgeshat. Prenga foshnjë po rritej dita ditës. Por vjen një ditë që Dila duhej te jepte llogari për “miqësinë e prishur”. Në fat një ditë u ndodh ballë përballë me atë që dikur ja kishin caktuar për burrë. Të dy armët ngrehur për fëmija ishte mbi shpinën e “nuses” që kishte ndryshuar mëndje. Ju drejtua ish të fejuarit. Unë jam gati të ta gjej nusen, por ju jeni derë e fisme dhe nuk do e pranoni këtë. Por të jap fjalën se në dasmen tënde do të marr pjesë, bashke me këtë fëmijë për të cilën ndryshova jetën. Vihu dhe ti për pak minuta në vendin tim…gjakrat u ulën. Llogjika triummfoi mbi sedren e vrarë.
Prenga u bë burrë, halla nënë, një heroinë e pa shpallur.
Aty ku filli po këputej, kjo heroinë vetëm 16 vjece bëri aktin e rrallë. E rrëmbeu foshnjën dhe nuk e lëshoi deri kur u rrit dhe u bë burrë. Halla-nënë që të gjithë e quanin “babë Dila” ndiqte me vemendje Prengën e saj në rrjedhat e jetës. U martua Prenga, u bë një specialist shumë i zoti në Uzinën e Bakrit në Rubik. Preng Ndoci shkëlqente kundo, deri kur një ditë kolektivi i punës e propozon për titullin e lartë “Hero i Punës”. Lindi dhe rriti 10 fëmijë, të gjithë të mirënjohur në sferat e punës dhe të jetës. Ndërsa nga ai fill gati i këputur, sot kanë gjeneruar dhjetra famije.
Ndërsa Babë Dila jetoi deri në mes të viteve 80-ta, por kujtohet me shumë respekt jo vetëm nga fisi i saj, por nga i gjithë katundi i Bulgerit. Preng Ndoci nuk e thirri kurrë NËNË, Zojëmirën, por BABË e më vonë, Babë Dila. Kjo heroinë shkoi në atë jetë me shpirtin dhe zemërën plot e përtplot, duke mbetur i paharruar akti i saj i madh dhe hyjnor, se hyjnore ishte ajo vetë “Babë Dila”.
Mirënjohje, shumë mirënjohje për këta “dy heronj” Zojëmira “Babë Dila” e pa shpallur dhe Preng Ndoci i shpallur “hero”…