12.5 C
Tiranë
E shtunë, 18 Prill 2026

Flamur Shabani

KORTEZHI MORTOR I BERISHËS
Sot ndodhi çudia e radhës: PD-ja sulmon PD-në, ose më mirë: një pjesë e anëtarëve të PD-së, sulmon PD-në. Me pak fjalë, bëri atë që di të bëjë më mirë: sulmet ndaj institucioneve duke djegur e shkatërruar me dhunë të paparë, sikur të ishin vandalë të vërtetë, që vijnë nga Mesjeta.Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona
Furia me të cilën iu sulën selisë së PD-së, të kujtonin vërshimet e forcave të natyrës, të ngjashme me përmbytjet e fushës së Shkodrës nga lumi i Drinit apo të zonës së Myzeqesë së Vogël nga egërsia e Vjosës, që dolën nga shtrati i tyre normal e shfryn mbi të mbjellat e bujqve, duke i prishur ato krejtësisht. Pikërisht ato të mbjella, për të cilat kishin ndihmuar fshatarët gjatë ditëve të verës për të selitur prodhimet e tyre bujqësore e blegtorale.
Kështu veproi edhe Berisha sot: vlerat demokratike të kultivuara me kujdes gjatë 31 vjetëve i shkatërroi brenda pak orëve me dhunën shkatërruese ndaj selisë së PD-së.
Berisha e bëri si akrepi, që, kur i vjen ngordhja, helmon veten me bishtin e tij.
Protesta ishte parashikuar paqësore. Po brenda pak minutave u vu re se nuk ishte paqësore. U përdor çdo mjet për të hyrë në seli: hunj e shkopinj, çekan e trapan, shkallë për t’u ngjitur në katin e dytë pasi zaptuan katin e parë.
Forcat e ndërhyrjes së shpejtë nuk ndërhynë deri në momentin kur nga PD-ja u kërkua ndihmë, sepse po rrezikohej jeta e tyre. Kishte deputete femra, që nuk po mbusheshin me frymë nga gazi i shpërndarë brenda selisë.
Duke parë këtë situatë, përfaqësitë diplomatike të SHBA-së, Anglisë, Gjermanisë dhe përfaqësuesi i prezencës së OSBE-së bënë thirrje që të shmangej dhuna, ndryshe organizatorët e saj do të viheshin para përgjegjësisë.
Edhe forcat e policisë së shtetit ndërhynë menjëherë për të ndërprerë dhunën vandale, që po shkatërronte godinën dhe rrezikohej jeta e deputetëve të PD-së. Pas gazit lotsjellës dhe makinave të ujit protestuesit u tërhoqën; njëlloj siç tërhiqet me bisht ndër shalë ujku, që bie në kope, dhe, pasi i ngul dhëmbët qeni që ruan kopenë, largohet me kuisje dhimbjeje.
Ky ishte sulmi i rrënimit përfundimtar të Berishës. Ai e përçau PD-në në dy pjesë, ku asnjëra prej tyre nuk është e fuqishme për të realizuar objektivat si forcë opozitare dhe si pretendente për qeverisje. Berisha humbi përfundimisht edhe atë pak autoritet dhe besim që gëzonte tek anëtarët e thjeshtë.
Megjithatë, ai mbetet një ujk plak, që nuk i duhet zënë besë, sepse edhe dhëmbin e fundit që ka, kërkon ta ngulë në mish.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.