8.5 C
Tiranë
E martë, 18 Mars 2025

Gani Elezi

President që turpëron,

Veten,

Ppresidencën,

Shqipërinë.

Dje një mik imi nga Tirana më shkruajti. Futu, futu në rrjetet sociale të shikosh estradë me presidentin Ilir Meta. Me pak përpjekje e gjeta materialin.
Pashë presidentin e vendit tim në përleshje, trup me trup, me policinë bashkiake në mbrojtje të zyrave të një partie politike, FRD. Shihet i çmeritur në mimikë e në xheste.
Cilido mund të habitet. Të pyesë.
Çfarë e detyron presidentin e vendit të veprojë si roje e zyrave të një partie politike ? Edhe në se do kishte ndonjë kërkesë/ankesë nga kjo parti, presidenti ka institucione e njerëz të tjerë të cilët mund t’i ngarkojë ta ndjekin problemin.
Më kryesore. A është e pranueshme një sjellje e tillë, një fjalor brutal nga një president. A mundet një president, përfaqësuesi më i lartë i unitetit të kombit, i rendit kushtetues, të dhunojë, kërcënojë me një fjalor rruge, edhe me burgosje, punonjësit e policisë (ai është komandant i përgjitjëshëm i tyre në situatë lufte), si dëgjohet në këtë video ?
Nuk ka asnjë arsye që presidenti i vendit të kthehet në roje të cilësdo parti politike. Dhe, është krejtësisht e papranueshme një sjellje e tillë agresive dhe një fjalor banal në drejtim të punonjësve të rendit.
Me sjellje të tilla të pakulturë e të papergjegjëshme, presidenti ynë është bërë etaloni i politikanëve të këqinj shqiptarë, të cilët për interesa të tyre me kohë ia kanë vënë flakën Shqipërisë. Flaka nuk i vihet vetëm me fitil e me zjarr. Flaka i vihet edhe duke diskretituar, duke zhvlerësuar institucionet kushtetuese të saj. Meta, me sjellje të tilla ia ka vënë flakën ( vulën e turpit) presidencës së Shqipërisë. Besoj, këtë video e kanë parë edhe kolegët e tij. Të paktën kolegët në vendet fqinjë e ata të BE, ku ne dëshirojmë të integrohemi. Sigurisht, disa do kenë ndjerë keqardhje (vendet miq të vërtetë) për presidentin tonë e më shumë për Shqipërinë, por disa, si thotë një fjalë e jona, do jenë dhjerë së qeshuri.
Duke shkruar këto rradhë, unë nuk e kam hallin te Ilir Meta. Madje, më vjen keq për gjendjen e tij të mjeruar. Halli më i madh është Shqipëria.
A mund të jetë një njeri i tillë, personi i cili në menyrë kushtetuese përfaqēson unitetin e vendit ?
A mund të jetë,më tutje, ky person “mbi palët”, si e kërkon kushtetuta e vendit institucionin e vendit?
A mund të jetë, edhe më tutje, ky person komandant i Përgjithëshëm i FA?
Dhe, më e rëndësishme, a mund ta përfaqësojë, edhe më tutje, ky person Shqipërinë, shqiptarët në arenën ndërkombëtare ?
Për mua, personalisht, nuk është personi i duhur. E për këtë duhet ndaluar. Duhet ndaluar Ilir Meta, por edhe çdo person tjetër që presidencën e Shqipërisë do tentojë ta përdorë për interesa personale, partiake e mafioze.
Po si mund të ndalohet ?
E para, që në zgjedhjen e presidentit. Në postin e presidentit nuk duhet të zgjidhen njerëz të cilët përfaqësojnë thjesht partitë parlamentare. Njerëz që dalin nga llogari meskine mes partive a politikanëve të fuqishëm (thonë se Ilirin e zgjodhi president Rama dhe PS, për të mos e patur konkurent në zgjedhjet e vitit 2017. Pazar politik, si po rezulton, me pasoja të rënda për vendin tonë). Sidomos në drejtim të bashkërendimit të punës mes tre institucioneve më të rëndësishme të një vendi si Legjislativi, Ekzekutivi dhe Presidenca.
Në postin e presidentit duhet të propozohen e të zgjidhen personalitete të njohura nga elita e vendit, nga bota akademike e shkencore. Njerëz me integritet të provuar profesional e moral.
Shqipëria ka të tillë.
Së dyti, është e domosdoshme që edhe ne të vendosim norma kushtetuese për hetimin, ndëshkimin e sjelljes së presidentit ( amerikanët kanë Impeachment) në raste të tilla. Nuk di në se, ligjërisht, kuvendi ynë e ka këtë tagër. Në se nuk e ka duhet ta marrë këtë tagër. Ne jemi Republikë Parlamentare (kuvendore) në të cilën Kuvendi është mbi çdo Institucion kushtetues dhe i kontrollon ato.
Ndryshe, do humbim shumë shanse, shumë “trena” për rrugëtimin e gjatë që kemi përcaktuar si objektiv kombëtar.

Gani Elezi

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.