BOTA E HIÇIT…!
Kushtuar mikut Selman Gashi, që sot na e la lamtumirën!
Sterjo Spasse, ti kishe qi pari që vërejte këtë Botën e Hiçit!
Megjithatë, në kohën kur jetove ti, nuk na dukej se ishte krejt e hiçit sa është bërë tani! Uh, sa tmerr! Sa botë e poshtër! Sa idiotike!
Ne ishim në luftë dhe si të dehur, ndodhte çka ndodhte, kishim guximin të ishim bashkë, të shkonim tek njëri-tjetri! Nuk kish forcë që na ndalte, vrasje po, ama ndalje jo! Sot, sot është bërë krejt ndryshe kjo botë e poshtër, krejt idiotike, kjo botë e hiçit!
Sot sëmuret njeriu e duhet të përballet i vetëm me sëmundjen, ai/ajo përpëlitet me vetvetën, njësoj sikur të jetë pa njeri në botë, pa të afërm të tij, pa djalë, pa vajzë, pa vëlla, pa motër, pa askë! O Zot, sa tmerruese, sa trishtuese për të gjithë, për të gjallët e për të vdekurit, për të sëmurët e për të shëndoshët! Zot, na i ruan mendtë në kokë, na jep forcë në përballjen e kësaj pandemie të pamëshirshme që po merr jetë njerëzish!
Sot, heronjtë e ditës janë Mantelbardhët, të vetmit që u gjinden pranë atyre që shërohen dhe atyre që nuk kanë kthim më në këtë botë! Ata, siç po shihet, janë gjithçka për ata në përpëlitje me vdekjen deri në fund, natyrsiht, duke sakrifikuar edhe veten në disa raste!
Sot na iku, po nga kjo e mallkuar pandemie, miku ynë i shtrenjtë, Selman Gashi nga Dobërdoli i Podujevës!
Kurrë nuk e kisha menduar se do ikë kaq shpejt: Selmani u kthye nga Berlini, e la atë me qëllimin për t’u kthyer sërish, por i doli Virusi, ia preu në gjysmë rrugën dhe jetën përgjithmonë! Na la të pikëlluar e iku bashkë me urtësinë, me këshillat, me dashurinë ndaj njeriut e vendit, me shakatë e kripura që kishte, me sinqeritetin e tij, me ndihmën e pakursyer ndaj atyre që kishin nevojë.
Selman, qenka e vështirë dhe e rëndë të pranojmë realitetin se nuk je më në mesin tonë!
Edhe 5 ditë bëhen 33 vite nga ikja e Galanit – Babait tënd nga kjo botë.
Selman, ti je e do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona, Ti je i paharruar për ne! Paç mëshirën e Zotit Selman Gashi e u prehsh në parajsë!