Kosovë/Serbi një realitet dhe pozicionim i ri politik midis palëve!
31 KORRIK 2017..

Kthesa e politikës serbe ditët e fundit nëpërmjet qëndrimeve dhe deklaratave të intelektualëve, historianëve, shoqërisë civile për qëndrimin ndaj çështjes së Kosovës është një hap I madh në kthesën e ngjarjeve në favor të pavarësisë. Duke marrë parasysh përpjekjet serioze për futjen e Kosovës në Interpol, Unesco, Okb sjellin një zhvillim ndryshe për shtetin e ri të Kosovës në favor të saj në aspektin e njohjes ndërkombëtare. Dita ditës jemi dëshmitarë të zbutjes së retorikës politike të nacionalizmit serb. Futja e shtetit të Kosovës në këto institucione/organizata botërore sjellin në pah një problematikë dhe realitet ndryshe. Përgatitja e opinionit politik dhe publik serb se me futjen e Kosovës në Interpol e në OKB sjell edhe njësimin e vlerës së fletarresteve dhe fletndalesave do të jenë të dyanshme. Qëndrimi i njëjtë i Serbisë zyrtare do të ishte një precedent I ri për dy shtete që teorikisht do të bllokojnë anëtarët e qeveritë e tyre të qarkullojnë lirshëm jashtë kufijve. Më konkretisht e më drejtpërsëdrejti Serbisë do ti duhet të pranoj njërin nga dy skenaret;
1) ose ta njohi Kosovën e të vazhdoj jetën politike ekzistenciale me parametrat e saj brenda vendit dhe në rajon. Kjo do të duhej të sillte një pozicionim të ri duke u ulur me palën kosovare e të bisedojnë çështjet e mbetura pezull nga të dy palët.
2) ose të këmbëngulin në marrjen e Kosovës e të bëjnë luftë. Pyetja që lind natyrshëm është a është pala serbe gati për një luftë tjetër dhe nëse kanë kapacitetet njerëzore, financiare, luftarake dhe përkrahjen ndërkombëtare për një vendim të tillë? Sigurisht që këto janë çështje që duan përgjigje nga pala serbe, pavarësisht se me ndihmën e politikanëve kosovarë kanë zvarritur ecurinë e shtetit të Kosovës deri në këtë moment që flasim.
Në këto momente politika serbe është në një rrugë pa dalje, pa fund e krye, prandaj qëndrimi I saj drejt një pozicionimi të ri vjen si pasojë e zhvillimeve të reja në arenën ndërkombëtare në favor të çështjes së Kosovës për të dytën herë pas luftës së pavarësisë së saj që erdhi si rrjedhojë e përpjekjeve të diasporës. Politika kosovare me protagonistët e saj në të gjitha partitë politike kanë bllokuar zhvillimet në kurriz të saj në emër të përfitimeve, pazareve që janë bërë me politikanët e prishtinës me ndihmën e agjensive sekrete të udb-së dhe atyre si-motra të saj!
Klasa politike në kosovë është drejt fundit të saj, të gjithë faktorët do të përgjigjen përpara ligjeve, prokurorisë dhe gjykatës speciale pa përdorur si alibi mbrojtjeje kartën e dalë boje të meritave të luftës. Të gjithë pa përjashtim janë drejt një situate të re në kosovë. Kjo periudhë politike pas zgjedhore nuk ka përcaktuar se cila forcë apo koalicion politik do të krijoj qeverinë e re.
Përplasjet lindje/perëndim janë të qarta e të dukshme deri në atë pikë sa akoma Prishtina zyrtare nuk ka dalë me figurën e Kryeministrit dhe formimin e qeverisë së re.
Rajoni po zjen në nëntokën e saj politike pavarësisht se situata fenomenikisht është e qetë, por mund të quhet një rikthim I një lufte të ftohtë në miniaturë.
E rëndësishme është fakti se stabiliteti brenda vendeve në fjalë dhe ai rajonal nuk do të cënohen, ndërkoh që ndryshime rrënjësore do të ndodhin në skenën politike duke kthyer përmbys elitat nëpërmjet zbatimit të reformës në drejtësi.
Përpjekja disavjeçare e elitave politike rajonale për të bllokuar ndryshimet nuk patën suksesin e dëshirueshëm prej tyre.
Numërimi mbrapsht ka filluar që nga Shkupi me qeverinë e re dhe me zhvillimet që do pasojnë javët në vijim. Gjithashtu situata e ngjashme në Tiranë e në Prishtinë kanë emërues të përbashkët drejtësinë me problematika të ndryshme, por me qëllime e objegtiva të njëjtë që është e drejta e çështjes shqiptare dhe e shqiptarëve në trojet e tyre ddhe në rajon. Zaret janë hedhur dhe loja është marrë mars (për ata që dinë të lozin tavull, mars është term kur fitohet lojë dyshe) në favorin tonë.