Libri me tregime që sjellim për ju të dashur fëmijë, vjen si një dhuratë shumë e bukur ku përmes tregimeve për Lonën dhe rrugëtimit të saj, ju sjellim juve një pjesë jete të moshatarëve tuaj të lindur e rritur në vendet e huaja, ndjenjat që ata ushqejnë për vendin e të parëve të tyre, për njerëzit dhe të afërmit si edhe përceptimin se si e ndjejnë ata me botën e tyre, kthimin në vendin e rrënjëve të tyre.

Lona, personazhi i këtyre tregimeve, një vashë e lindur dhe rritur në Zvicër, por e frymëzuar nga një ambient familjar me themel të fortë shqiptar, është personazhi i këtyre rrëfimeve e cila shpalos shumçka nga bota dhe rrita e saj në këtë ambient, sado e rritur në një vend të huaj, larg dhe mes dy kulturave.
Pushimet dhe kthimi i saj në vendlindjen e gjyshit e të babait të saj, vijnë përplot surpriza e risi për botën e saj dhe perceptimin se si ajo e ndjen atë. Udhëtimi që nga Zvicra, fillimisht me makinë, pastaj udhëtimi përmes detit, bëhen rrëfimet e para që shpalosin interesimin dhe ndjenjën nga emocionet e saj për vendin e të parëve të saj.
Kthimi fillimisht në qytetin e lashtë të Prizrenit, në shtëpinë e gjyshit, kthimi edhe në Malësi ku ishte i lindur gjyshi e babai i saj, takimi me gjyshen plakë dhe kujtimet për stërgjyshin, vijnë hap pas hapi nga ajo shkon e ecën.
Këto rrëfime për vizitat dhe veprimet e Lonës, por edhe ndjenjat që ajo shpalos, vijnë radhë si një rrjedhë lumi e pandalshëm, duke krijuar imazhe dhe motive që gjyshi i saj shkrimtar, ti radhisë ato një e nga një, për t’i sjellë deri tek ju, si një ndjenjë që me gjuhën e një bote të vogël të Lonës, t’ju ofrojë edhe juve, kënaqësi në leximin e këtyre tregimeve.
Kësisoji edhe ju, të keni mundësinë ta ndjeni atë që ndjen një fëmijë i lindur e i rritur në një vend të huaj, që kur kthehet në vendin e të parëve të tij, shpalos një botë e ndjenjë përmallimi, sado që për ju që rriteni në Atdhe, këto ngjarje mund të kenë edhe rrjedha normale.
Ju kemi sjellë këto imazhe përmes tregimeve që edhe ju që rriteni në vendlindje, të mund të bashkëjetoni me ndjenjën e një moshatarit tuaj i cili lindet e rritet diku larg dhe kur kthehet, si arrin ta kapë e ta ndjejë veten në vendin e të parëve të vet.
Kujtimet dhe tregimet për Lonën, janë pos tregime e ngjarje, një udhërrëfim për ju voglushë por edhe për më të vjetrit, se sa e dhimbshme është kjo plagë mërgimi dhe cilat janë dhimbjet e pasojat që na i mbjell ajo. Pra, përpos si tregime edukative, rrëfime e ngjarje me shpalosje botrash e ndjenjash, ato janë edhe një kushtrim për më të vjetrit, që të përpiqen që jetën tuaj, të ardhmen ta ndërtoni në Atdhe, sepse vetëm atje do të mund të jeni të lirë e të qetë. Pra, mërgimi sjell edhe plagë e dhimbje. Që të gjitha këto do ti nënkuptoni brenda leximit të këtyre tregimeve.
Xhaxhi Gezimi për ju, kësaj here përmes botës së mbesës së tij Elonës, ju sjell këtë dhuratë të bukur që ju të udhëtoni bashkë me ndjenjat e Lonës, t’i prekni e t’i perceptoni edhe ju ato udhëtime, ndjenja në vendlindje dhe përmes këtyre ndjenjave, ta thelloni dashurinë për vendin tuaj, atdheun tuaj dhe të punoni për të mirën e tij.
Urojmë lexim të këndshëm e plot frymëzime për ju fëmijë.