BALADË PËR HEROIN E DETIT !
Kushtuar Heroit të Popullit , Dëshmorit të Atdheut Fran Ndue Ivanaj, që ra në
mbrojtje të detit ballë armiqve të kombit.
Pesëmbëdhjetë dhjetor shtatëdhjetë e pesë,
Niset Frani me shokët e vet.
Në timon të barkës në atë ditë të zezë
Shqiponja në flamur serbin e çmend.
Bash si egërsirë ai po bërtet
-Ule flamurin e eja në Serbi, o Fran Ivanaj!
-Pushka top, po kurrë flamurin nuk e heq
Jam në ujërat e mia, tradhëtinë s’e kam n’gjak.
Kërcet pushka edhe topi.
Kuqëlon deti e ushton Shëngjini.
E dha jeten pa pikë zori.
Ai farë djali e ai farë trimi.
Nana Gjyste e tha një fjalë.
Pa pikë loti ajo burrneshë:
-A dha jetën me nder ky djalë?
Mos lotoni, se Frani nuk ka dekë!
Dil, nanë Gjyste, shih nga deti!
Se vjen Frani me piskamë.
Sy i tij po ngjan si dielli.
Trupgjakuar me shumë plagë.
Dil, bacë Ndue, n’prag të kullës!
Bahu trim në sup të trimit!
Mos të dridhet cep i buzës,
Kur po e fsheh ai diell rrezimin.
Paska ardhë nga deti hasmi.
Dashka detin dhe lirinë.
Piskon Frani, ai farë djali:
“ Jo, s’e prekni Shqipërinë!”
Dil, o nanë, e shko te shkolla!
Ku mësohet abetarja.
Kangë e Franit po jehoka,
Si një majë përmbi maja.
Stërkalon si shatërvani.
Flet, ai flet për trimërinë.
Si një erë që vjen nga mali
Po krenoka shqiptarinë.
Po na zgjoka amanete.
Si gjerdan në buzë na mbesin.
Kur të shkojmë nëpër dete,
Mos harrojmë kapitenin.
Se çdo breg asht prag shtëpie.
Asht si djep ku gdhend shqiponja.
Rron ai trim me frymë lirie.
Shqiptarinë e bashkoka.
Nxirr lahutën lahutar!
Baje kangën vezme pushke!
Kur të dalë agim i bardhë,
Na vjen Frani udhë pas udhe.
Na vjen Frani, vetëtima.
Si kreshnik që e zgjon deti.
Të na thotë se ç’është liria.
Që tund zemrat si tërmeti.
Kur si mal të bëhet dallga.
Kur diellnaja e lshon dritën.
Vjen kujtesa kunorëarta.
Kapiteni na zgjon ditën.
Gjelina Maçi Keçi
“”””””””””””””””””””

BRËNDA SHPIRTIT RRITI LULE
Dil, moj dil, se të fton dielli!.
Të të ngroh trupin e bukur.
Je mirazh që më jep qielli.
A një bletë mbi zambak puthur.
Dil, moj dil në brigje, dete!
Shihi valët, harro covid!
Ditës, natës së kësaj pranvere
Aty ku çel lulja rritet n’dritë.
Mos e çirr zërin ndër maska!
Shih natyrën që po thërret !
Merr dashninë që ta sjell vasha!
Dëgjo zogjtë degë më degë.
Dil, moj, dil, se të pret djali!
Mos të trembë aspak korona!
Shihi rrezet në shpat mali,
Që verdhojnë në pyll me aroma.
Gjelina Maçi Keçi
Marrë nga libri-JAM GRUA-