Mos e vrisni femrën! Drejtësi për gratë!
GRUA , MOS QOFSH GJETHE VJESHTE !
Si mund të ngresh dorë mbi një grua
Kur në krah të saj ti u bëre burrë?
Sa here në jetë i the e të tha “Të dua “
Sikur ke në vend të zemrës vetëm një gur .
Si mund të vritet ajo që jetë fal në përjetësi?
Është qenie e brishtë, por si stuhi e fortë
Ajo që botën tënde e përkund me dashuri
Është qëllimi më i bukur i jetës në tokë .
O dhimbje, hesht ligji, heshtim edhe ne
Vriten gratë shqiptare si pa të keq përditë
Në qiell të hapur goditen si rrufe
Burrat jetës së tyre shpesh i bëjnë pritë.
Në vendin tënd e në vendin tim
Gruaja mos qoftë një gjethe vjeshte
Të vrasësh atë është më i madhi krim
Edhe pse dikur shumë e deshe .
Në vendin tënd e në vendin tim
Nëse dhunën dikush e kundërshton
Robërimi njerëzor bëhet detyrim
E vetëm me jetë gruaja atë e pagon.
Në vendin tënd e në vendin tim
T’i vrasësh nënën nuk është asgjë
Krejt normale të lesh fëmijën jetim
Jeta të pritet në mes, po bëre zë.
Femër; ti botën e madhe mban në duar
Ndaj mos tolero dhunën mbi ty kurrë
Nuk je lindur për t’u vrarë e masakruar
Ai që dorën ngre mbi ty, nuk është burrë.
Gjelina Maçi Keçi
“”””””””””””””””””””
Ti je det dashurie
Në ditëlindjen e nipit tim,Troy Jozef
Nga qielli zbrite si bekim
Mushti i ëndrrës në krye t’herës
Nipi i parë na dhe gëzim
Pasuri mbi vlerën e vlerës.
Një det dashurie na dhuron
Je një yll që na mbush me dritë
Buzagazi yt jetë na shton
Mjaltë i mjaltit je, o shpirt.
Ti je diell që lshon rreze
Me pranverë ditën mbulon
Lumturon në çdo cep zemre
Sa herë vjen e na përqafon.
Shumë urime në këtë ditë
Ty t’u shtoftë mirësia
Mrekulli mbi mrekullitë
Paç bekim nga perendia .
Gjelina Maçi Keçi
Dt/ 15/ 9/ 2021
“””””””””””””””””””””
MALL
Muzë më bëhesh e hyn në varg
Para gjumit të kam uratë
Afër m’vjen dhe pse je larg
Andrra jeme t’jemi bashkë .
Nadje herët vjen e m’thrret
Të përqafoj plot me mall
Edhe vranësirat ti i tret
Ma gëzon ditën ndihem gjallë .
Të të shoh sa shumë dua
Afër meje të të kem
Për ty shpirti m’u shkrumbua
Në krahët e tu dua të jem .
Eja, eja, bashkë me diellin
Ma vrit mallin zëmra jeme
Tejpërtej e përshkoj qiellin
Ma rinon krejt qenien teme .
Për ty ndjenjat nuk janë fjalë t’kota
Syve të mi u fal dritën
Gjithkah shkon lulëzoftë toka
Unë me ty e vras frikën .
Gjelina Maçi Keçi
Dt/10/ 2021