“”””””””””””””””””
Buzëqesh Jetë Që Nga Materniteti
Do të fluturoj atje lart në male
Të bisedoj me zanat për magjinë
Që retë të ikin me ngricën e madhe
E dashuria ta shërojë njerëzinë.
Pranvera të vijë e të mos lotojë
Gjithçka mbi tokë të rilindë sërish
Disku i diellit ligësinë ta përvëlojë
Njeriu mbi tokë të jetojë miqësisht.
Të shpërthejnë syçkat e gjelbër te dega
Për të dashuruarit dhe gurët të lulëzojnë
Verës bregdetit t’i vijë pa droje jeta
Në vjeshtë të mbledhim frutat që na ëmbëlsojnë.
Puthjet e të dashuruarëve dallgën ta qetësojnë
Valsi i lumturisë dhe në rrugë të kërcehet
Lulet në vazo me aromë të kundërmojnë
Hëna të ndriçojë e dielli ngado të ndjehet.
Jeta të buzëqeshë që nga materniteti
Dimri i ftohtë të jetë vetëm një stinë
Mirësia të përcillet tek njëri-tjetri
Njerëzia në paqe së bashku të rrinë.
Gjelina Maçi Keçi
Shkëputur nga libri-“BIJA E DIELLIT “!