(…Shkrepi i Rubikut asht shumë i madh dhe duket si t’ishte vendue prej ndonji vigani në nji nga luginat ma të bukurat e botës. Kjo dorë vigani, duket si ta kishte sheshue ma parë vendin dhe si t’i kishte largue malet penguese njenin nga tjetri tue përbamë në këtë mënyrë një luginë të vogël me nji kunorë malesh rreth e përqark. Në mes kësaj lugine ngrihet shkrepi kolosal në vetmi, me pamje të madhnueshme. Erdhën pastaj njerëzit, panë se atje ishte nji vend i bukur banimi, dhe themeluen mbi shkrep shtëpinë e vet të thjeshtë. Atje nalt jetuen e vdiqën brez pas brezi.
Ma vonë erdhi një popull pushtues, thadroj në majë të shkrepit shejet e veta pushtimi me shqipet fitimtare të legjioneve ushtarake, bani forcime të ndryshme, themeloi mure vigane me pirgje e frengji, në atë mënyrë sa mali u ba nji fortesë romake e papushtueshme. Por dhe vetë madhnia e Romës ra dhe u shkatërrue. Muret u rrëzuan dhe njerëzit u zhdukën. Rubiku ngeli si andërr, ngeli i harruem nga të gjithë, deri sa pej viseve të largta erdhën disa njerëz të përshpirtshëm pa pushkë e pa top, kjo çerdhe u pëlqeu atyne.
Mbi rrënimet e bamuna nga kamba pushtuese ngritën përmes lutjeve që i naltojshin Perendisë, nji Kishë e nji Kuvend. Pastruen dhe rregulluen pyllin, e dlirën nga gjaja e egër dhe e rrezikshme; livadhe dhe ara bleruan nga duert e tyre kujdestare dhe vunë rreth e qark shumë bimë të bukura e të dobishme.
Këso dore qe Abacia e Benediktinëve të Rubikut. Kaluan me qinda e qinda vjet. Mbas zhgunit të zi erdh zhguni i murrmë: Benediktinët u zëvëndësuan prej Françeskanëve. Këta tue ndjek gojëdhënat e të parëve të vet, u përpoqën, vuejtën, u salvuen për të mirën e të mbarën e popullit të Shqipnisë.
Prap kapërcyen qinda e qinda vjetësh, deri sa erdhi ora e zezë për tokën dhe popullin shqiptar. Ushtri turke i përshkuen viset shqiptare, tue plackit, tue rrëmbye, tue mbyt, tue shkatërrue e tue zezue. Prap vendi i qetë i Rubikut u ba menjëherë nji grumbull rrënimesh. Vetëm kisha ngeli e papërkitun. Përsëri kaluen katërqind vjet dhe prap në Rubik gjindet një murg, i cili mundohet e përpiqet me ngjallë nji jetë të re mbi ato rrënoja….
(F. Barcata, Rubik 1905) (filmimet: p.biba)