Një biletë për qiellin
Në çanta biletat e avionit ngatërrohen me buzëkuqe
Në pasqyra tualeti përherë ndien nxitimin e udhës.
Qielli i paanë bëhet si lule e porsaçelur përmes fushe,
Kënga mbin në buzë e shalli mblidhet rreth gushës.
Ca duar ngrihen mallshëm në ditëndarjen e radhës,
Të tjera duar presin diku, në një mal a në një breg.
E urimi të bën një çast si Hirushja e bukur e Përrallës.
E rruga të bëhet më e bukur kur me taka e shkel.
Ti tërheq valixhet nënë buzëqeshjen e një stjuardese
Një kafe qiellore të kujton klubin e zhurmshëm të lagjes.
O qiej të largët që fshiheni në dremitjen e butë të netëve,
Në livadhet e kaltra sillni kujtimin fëmijëror të manushaqes.
E sërish të tjera bileta ndërrohen për taksi e avionë
Kur mes gjuhëve të globit të presin të tjera fytyra.
Mos i fshih pengjet e mëdha në ditët që kalojnë,
Kur dasmojnë brenda vetes emocione, poezi dhe ngjyra.
Të presin udhët ajrore të lumtura e të trishtuara
Që ndërrohenn si borziloku i vazove nëpër ballkone
Me një biletë në duar vrapojmë agimeve të mjegulluara.
Si mbi ca kuaj qiellorë ku ëndrra të reja flatrohen.