Ribotim
ATA QË JETËN JA KUSHTUAN KËNGËS
Të shkruash për Dukagjinin, historitë, trimëritë, heronjtë, luftërat, gojëdhënat, për folklorin dhe për artistët që ka nxjerrë ky truall do duhej një kohë shumë e gjatë. Por unë po ndalem në zonën e Shoshit në një kullë, ku nuk munguan cilësitë e lartpërmendura. E kam fjalën për Mark Lulashin e Gurrës së Shoshit. Marku ishte i biri i Lulash Ndout, ishte një djalë i gjatë dhe serioz, guximtar, patriot dhe shumë atdhetar.
Por shumë shpejt ai do bëhej edhe një njeri shumë i rëndësishëm për Gurrën, për Shoshin dhe mbarë Dukagjinin. Me zgjuarsinë e tij prej malësori , me edukatën që i dha familja dhe me një njohuri të gjerë rreth traditës, Marku do bëhej një ndër njerëzit më të kërkuar për pleqërime dhe kuvende të rëndësishme. Kishte një pozitë, një autoritet dhe një respekt të jashtëzakonshëm nga të gjithë bashkëkohësit e tij të rëndësishëm të asaj kohe si Mark Lula i Shalës, Mark Sadiku, bajraktarët e Nikaj – Mërturit, por duke mos harruar edhe bajraktarët e Shoshit me të cilët kishte një marrëdhënie shumë vëllazërore, ku më vonë do të shoqërohej edhe me kumbari.
Mark Lulashi përveç këtyre që përmenda me lart zoti i kishte cu edhe një të mirë tjetër , ishte i martuar me një sokoleshë , me një grua zonjë. Zojë Mustafja gruaja e Mark Lulashit ishte nga Thethi , vinte nga një derë me emër, ishte një grua shumë serioze , e zgjuar , e rreptë në shumë aspekte që e rrethonin, dhe me tipare burrërore. Zojë Mustafja ashtu sikur bashkëshorti i saj edhe kjo kishte një profesion një zanat të cilin e donte dhe e ushtonte me shumë pasion dhe dashuri. Zoja ishte vajtojce , merrte pjesë rregullisht në vajtimet e burrave, djemve, grave e çikave të Dukagjinit por edhe më gjerë.
Me këtë veprimtari ajo mori një famë të madhe në të gjithë veriun e Shqipërisë , ajo kishte arritur një nivel shumë të lartë krijimtarie, një zë të fortë, dhe një vajtim që nuk mund të bënte kush tjetër. Zojë Mustafes gjatë karrierës së saj si vajtojce i rastisi të vajtonte shumë njerëz të rëndësishëm të Dukagjinit dhe Malësisë së Madhe. Shumë persona me peshë si bajraktarë, luftëtarë, dëshmorë të lirisë së atdheut dhe shumë të tjerë u vajtuan nga Zoja. Por Zojë Mustafja ishte shumë trasparente dhe e rreptë, kështu që në një vajtim të një personi të vrarë nga qeveria ajo shau dhe mallkoj qeverinë me fjalë shumë të rënda, të cilat as një burrë nuk do guxonte ti thoshte.
Për këto fjalë më vonë ajo do dënohej me burg, ishte një gjë shumë e pazakontë që një grua të dënohej me burg tamam si një burrë. Mark Lulashi dhe Zojë Mustafja kishin 4 fëmijë, 2 djem dhe 2 vajza. Vajza e madhe Drande Markja do të martohej në Shalë, në Breg Lumi me Çun Nikën. Edhe Dranja në vitet e mëvonshme do të trashëgonte zanatin e nënës së saj si vajtojce dhe këtë zanat do ta trashëgonte më vonë tek e bija, Lulë Çunja . Duhet thënë me shumë të drejtë që të tria, si Zojë Mustafja e bija Drande Markja dhe po ashtu edhe e bija e kësaj Lulë Çunja, do të ishin dhe mbetën vajtoret me të suksesshme të Dukagjinit. Por Drande Markja nuk do ta transmetonte talentin e saj vetëm tek e bija Lula, por edhe tek djali i saj Mhilli .
Mhill Çuni me një telent të trashëguar nga nënë dhe dajat do të vazhdonte rrugën si këngëtar. Ai do shkruante tekste, do bënte muzikë, do ishte instrumentist, kështu që ja arriti të bëhej një kantautor shumë i suksesshëm. Edhe vajza e dytë Mri Markja do martohej po në Shalë, në Vuksanaj me Shpend Vocrrin. Edhe djemtë e Mrisë do merrnin nga talenti i dajave dhe gjyshes, por jo në përmasa të mëdha. Ishin instrumentistë, këngëtarë të mirë, por edhe mjeshtër veglash muzikore si çiftelia, sharkia, lahuta e të tjera . Por ata që do bënin karrierë dhe emër në kohët më vonë ishin dy djemtë e Markut dhe Zojës. Gjergj Marku dhe Kol Marku do të trashëgonin më së miri aftësitë e lëna nga babai dhe kryesisht nga nëna rreth çdo gjëje që kishte të bënte me muziken. Gjergji dhe Kola do ishin ndër këngëtarët e parë të Shoshit.
Ata u morën në mënyrë të gjithanshme me artin. Gjergji i cili ishte vëllai i madh dinte ti binte, çiftelisë, sharkisë dhe lahutës, por përveç se u binte ai ishte edhe shumë merakli në punimin e tyre. Si zanat Gjergji ishte farkëtar, zanat ky i trashëguar nga babai i tij Marku. Por Gjergji ja gjente gjithmonë kohën për tu marr edhe me mjeshtrin e drurit. Por përsëri ai kishte edhe dhunti të tjera, Gjergji këndonte në mënyrë përfekte me lahutë, çifteli dhe këngë majë krahu. Dhuntitë e tij dhe të mirat që i kishte fal zoti nuk kishin të sosur dhe një e mirë tjetër e tij ishte se ai shkruante tekste. Çdo këngë e kënduar prej ti ishte e shkruar dhe e kompozuar po nga vet aj. Por edhe vëllai tjeter Kola ishte mjaft i talentuar. Me një zanat të bukur siç ishte ai i mjeshtrit, Kola së bashku me babën e ti ndërtuan me qindra kulla në malet e Dukagjinit. Por mbas punës së lodhshme i a gjente gjithmonë kohën për tu marr me muzikë.
Ndryshe nga i vëllai, Kola, zgjodhi për tu marrë me dy vegla frymore, me fyell dhe me gjethë nëse dhe kjo mund të quhet vegël muzikore. Ishte ndër të parët që përdori gjethin dhe një instrumentist i talentuar në fyell. Kështu së bashku dy vëllezërit ushtroheshin dhe bënin muzikë për vete, për miqtë e shumtë që u vinin, për shokë dhe dashamirë, për dasma dhe raste të tjera gëzimi, por më vonë edhe për të gjithë Shqipërinë. Gjergji dhe Kola do merrnin pjesë në shumë koncerte, festivale, dhe në të gjitha aktivitetet kulturore artistike. Do ishin instrumentistet e parë në Shqipëri që vendosen së bashku në një melodi të përbashkët fyellin dhe çiftelinë .
Ishte një gjë që nuk e kishte bërë kush më parë. Falë këti talenti ata do përfaqësonin Dukagjinin në shumë aktivitete, do merrnin pjesë shumë herë në festivalin e Gjirokastrës dhe festivale që organizoheshin në të gjithë Shqipërinë. Por këta dy vëllezër artistë do të ftoheshin edhe jashtë shtetit për të kënduar në shtete të ndryshme. Falë telentit dhe kontributit që jepnin në art ata u vlerësuan shumë herë me dekorata dhe medalje të ndryshme. Zhvillimet politike të asaj kohe do të preknin edhe Dukagjinin, futja në kooperativë bujqësore ishte një gjë e tmerrshme dhe shum e rëndë për malësorët e këtyre maleve të thepisura. Dhe duke mos pranuar futjen në kooperativë Kola largohet nga Shoshi për tu sistemuar në qytetin e Lezhës.
Këtu vëllezërit ndahen për gjithmonë, por jo si vëllezër, jo si shok, por nga ana artistike. Largësia nuk ja u jepte mundësinë për të vazhduar së bashku rrugën e artit, por kjo nuk i ndalte ata për tu marrë me artin. Kola i bashkohet grupit artistik të Lezhës, duke u bërë pjesë e rëndësishme e ti në çdo aktivitet që organizonte. Ndërsa Gjergji u bë udhëheqës artistik për Shoshin, duke përgatitur talentet e reja që do përfaqësonin Shoshin në koncerte të ndryshme. Por asnjëherë nuk e shmangte mundësinë për të kënduar edhe vet, për të thurur tekste të reja dhe tashme jo vetëm për vete por edhe për këngëtarë të tjerë.
Shkurtimisht kjo ishte biografia e një kulle Shoshi, një malësori me emër si Mark Lulashi, një gruaje guximtare si Zojë Mustafja, burrërore, dhe duhet theksuar gruaja më e famshme e Dukagjinit, e dy artistëve si Gjergj Marku dhe Kol Marku, të cilet lanë një emër të madh dhe të mirë, një kontribut që ishte vështirë për tu dhënë në kohën e vështirë që ata jetuan. Ne e vlerësojmë, e respektojmë dhe e duam atë punë që ata bënë me shumë sakrifica. Respekt dhe mirënjohje për këtë familje dhe të gjithë ata që ruajnë dhe u trashëgojnë, brezave që vinë, traditat tona të mira.
Gjin Musa
Romë