NJOLLA E ZEZË E BASHKËPUNIMIT ME NAZISTËT GJERMANË,
E MBULON PLOTËSISHT BIOGRAFINË “ATDHETARE”
TË XHAFER DEVËS!
Si shumica e shqiptarëve, këtej e matanë kufirit artificial shqiptar-shqiptar, mendoj se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është një atdhetar i përkushtuar për çështjen kombëtare, që aktualisht sintetizohet në objektivin konkret të ribashkimit të trojeve shqiptare, në një shtet të vetëm. Në këtë rrugë që ai ka nisur, si politikan dhe si drejtues i shetit të pavarur të Kosovës, është i detyruar të ruajë edhe ballancat e shtresave të ndryshme shoqërore në marrëdhëniet që duhet të kenë ato ndër veti, por edhe me shtetin dhe gjithë kombin shqiptar.

Pikërisht këtu, mendoj unë, Albin Kurti gabon, kur për hir të unitetit brenda shqiptarëve të Kosovës dhe më tej saj, bëhet personazh si individ dhe si shtet, i restaurimit të shtëpisë së personazhit të njohur të së shkuarës, me emrin Xhafer Deva.
Jam i sigurtë që Albin Kurti e din më mirë se kushdo tjetër në Kosovë, historinë dhe biografinë politike të Xhefer Devës. Siç thonë të shkruarat e historisë, Xhafer Deva, nё vitin 1943, ishte ndёr nismёtarёt kryesorё pёr krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, Lidhje që, si kur funksiononte brenda Kosovës, dhe më vonë në diasporën shqiptare në Amerikë, ka bërë përpjekje për çështjen kombëtare. Pos kësaj, Xhafer Deva, ndonëse ishte antisemitist i njohur, e kundërshtoi kërkesën e gjermanëve për dorëzimin e listës së hebrejve që gjendeshin në Kosovë. Të dyja këto momente, e nderojnë personazhin tonë si shqiptar në radhë të parë dhe si intelektual i kohëve moderne.
Por jeta e njeriut është shumë e gjatë për të lënë emër të mirë, dhe shumë e shkurtër, për ta njollosur atë. Bashkëpunimi i hapur dhe efektiv me nazistët gjermanë, është një njollë tepër e zezë, që mbulon meritat e mësipërme, duke e fundosur atë në varret e nazizmit, kësaj murtaje të zezë që i vuri flakën Botës.
Fatkeqësisht, gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë nga Kosova, dhe jo pak nga Shqipëria, u mashtruan nga nzifashizmi, i cili, për ta patur të lehtë pushtimin mbi trojet tona, hiqesh si faktor i bashkimit tonë konbëtar, që ishte ëndrra e çdo shqiptari, bashkim të cilin ai e relizoi nën thundrën e tij të hekurt. Shumica e këtyre shqiptarëve të gabuar ishin pa shkollë, dhe me njohje të cekta të situatës botërore. Megjithatë kjo shumicë, e kuptoi në kohë situatën, hodhi tej “obrelën prej çeliku” të pushtuesit nazifashist, dhe iu bashkangjit Aleancës Botërore kundër nazifashizmit, që drejtohej nga Anglo – Sovjeto – Amerikanët. Këtë kthesë, ata e bënë, sepse e kuptuan që shkrirja në radhët e pushtuesit nazifashist, do të kishte pasoja të pariparueshme për ardhmërinë e trojeve shqiptare.
Mirëpo, fatkeqësisht, këtë nuk e kuptuan Xhafer Deva dhe shokët e tij të inteligjencës, të dijes, e të atdhetarizmit të manifestuar gjer në ato momente. A mund t’i falet kjo lajthitje Xhafer Devës, me një barrë shkollë të niveleve të ndryshme, e që zotëronte, përveç shqipes, edhe katër gjuhë: serbisht, turqisht, gjermanisht dhe anglisht?
Siç duket, Xhafer Deva, i mikluar nga kariera me pushtuesin gjerman, synonte të ngjitej në lartësinë e diktatorëve. Fill pas pushtimit gjerman, në prill 1941, u shqua për organizimin e pushtetit në rajonet Mitrovicë – Podujevë – Vushtri, pjesë të Kosovës, që ishin nën pushtimin gjerman. I cilësuar si njeri i afërt me të plotfuqishmin e Rajhut në Europën Juglindore, Hermann Neubacher, themeloi administratën me nëpunës, agronomë e arsimtarë shqiptarë, dhe u vu në shërbim të pushtuesit. Sikur të mos mjaftonte kjo, në vitin 1943, ai ngarkoj njërin nga krerët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, Bedri Pejanin, që të krijonte dhe organizonte Divizionin SS “Skandërbe”, i cili u vu plotësisht në shërbim të gjermanëve, duke kryer krime ndaj hebrejve dhe luftëtarëve të nacionalçlirimtares në Kosovë dhe në Shqipëri.
Por njollën më të madhe të turpit, Xhafer Deva do ta merrte në shkurt të vitit 1944, kur duke qenë Ministër i Brendshëm i Qeverisë kuislinge të Shqipërisë, udhëhoqi dhe realizoi në qytetin e Tiranës, masakrën e tmerrshme të vrasjes se 84 qytetarëve të paarmatosur dhe plagosjen, maltetrimin dhe internimin e mbi 500 të tjerëve.
Për të gjitha këto veprime të fundit, Xhafer Deva, përfundoi në listën e kriminelëve të Luftës së Dytë Botërore, dhe nëse shpëtoi pa u dënuar nga Gjykata e Nyrembergut, që u ngrit kundër nazifashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, kjo ndodhi falë arratisjes dhe fshehjes në SHBA, aty ku pas luftës, mundën të gjenin “strehim”, mjaft nga gjyhnaqarët e Luftës së Dytë Botërore.
Siç shikohet nga faktet që, tashmë janë të njohura edhe për kalamajt e shkollave, për personalitetet si, Xhafer Deva, Rerxhep Mitrovica, Kadri Cakrani, Xhelal Staravecka, e të tjerë të këtij kallëpi, i vetmi dekorim e nderim që mund t’u bëhet tani pas vdekjes, është “heshtja”. Nëse dikush tenton t’i ringjallë, për t’i shpëlarë më ujë, apo me mjete të tjera politike ose kulturore, nuk bën gjë tjetër veçse tenton të ringjallë kufoma nazifashistësh dhe kolaboracionistësh, të cilat nuk mund të shpërlahen as me ujërat e gjithë lumejve të Ballkanit.
Shoqërisht dhe miqësisht, dëshiroj t’i drejtohem kryeministrit të Republikës së Kosovës, se të paktën në Shqipëri, shumica dërmuese e shqiptarëve, e urren në shkallën më të lartë personazhin me emrin Xhafer Deva, i cili pos krimeve e masakrave ndaj popullit shqiptar, ndërseu edhe një regjiment SS nga Kosova, kundër shqiptarëve të Shqipërisë, me objektivin e pushtuesve gjermanë: Të shkaktonte vëllavrasje të pariparueshme midis dy krahinave më të mëdha të trojeve shqiptare.
Çdo shqiptar që e ka përjetuar kohën e Xhafer Devës, kur ishte ministër i brendshëm, edhe sot e kujton këtë emër, si një emër të egër, të frikshëm e shumë të urryer. Qoftë edhe nga kjo e fundit, rihabilitimi i këtij përsonazhi nga Republika e Kosovës, do të dëmtonte unitetin e shqiptarëve, që synojnë të ribashkohen në një shtet të vetëm, e jo të ndarë siç janë sot në disa shtete, e të kufizuar me njëri-tjetrin me kufij artificial.
Të vërtetën e këtyre që po afishojmë në këtë koment, e verteton dhe e përforcon më së miri edhe qëndrimi i Ambasadorit gjerman në Kosovë, Rohde, i cili, duke u prononcuar për problemin e mësipërm thotë:
“Xhafer Deva ishte një bashkëpunëtor protagonist i njohur i Divizionit famëkeq SS “Skënderbe”. Jo shtrëmbërimit të historisë! Mos e shtrëmbëroni të vërtetën rreth Holokaustit apo krimeve të luftës, të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët lokalë. Kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të jetë mundësi për t’u përballur me të kaluarën, në një mënyrë të hapur dhe të vërtetë”!
——————————————————————–