9.5 C
Tiranë
E premte, 3 Prill 2026

Gjon Bruçi

PSE E MAJTA NE SHKODER

NUK E KALON “YLBERIN” E PUSHTETIT VENDOR?!

Plot tri dekada kaluan, por të majtët e Shkodrës nuk e gëzuan asnjë ditë karrigen e pushtetit vendor. Në Bashkinë e moçme të Shkodrës, prej 31 vitesh lëkundet e bën hije flamuri blu, më dy germat e përdredhura të Partisë Demokratike. Socialistët, ndonëse të ndihmuar edhe nga shtojcat e ashtuquajtura “të majta”, kanë plotësuar vendet e fituara në karriget e parlamentit bashkiak, por asnjëherë nuk kanë arritur të kapardisen në kolltukun pozant të kryetarit. Edhe dy herë që u krijuan rrethanat për përmbysjen e kësaj skeme, socialistët nuk arritën të kalonin “Ylberin” e fitores. Në rastin e parë, kur në fushëbetejë nuk patën kundërshtarë, “kalorsit” të tyre iu muarën këmbët, pa arritur të ngjitet në shalën e “Atit”. Në të dytin, falë përçarjes së kundërshtarit, iu afruan “bajagi” fitores, por përsëri nuk e arritën atë.
Shtrohet pyetja: Pse ka ndodhur kjo “kataklizmo” për të majtët e qytetit më të madh të veriut të vendit?! Dy janë arsyetimet e disfatës permanente të socialistëve dhe ngadhënjimit të pandërprerë të demokratëve: E para, – Shkodra, thonë është tradicionalisht e djathtë. Dhe së dyti: Shkodra është “bastion i Sali Berishës”! Asnjëra nga këto arsyetime, mendoj se nuk qëndrojnë.
Nëse do të gjykojmë mbi principet e “të majtës” dhe “të djathtës”, Shkodra anon në shumicë nga e para. Jo vetëm në zonat rurale, por edhe në qytet, falë minimumit jetik, që në këta tri dekada ka shkuar në zgrip, kontigjenti i së majtës është trefishuar. Ndërsa arsyetimi i dytë, se Shkodra qenka “bastion” i Berishës, e kapërcen hiperbolën. Shkodra nuk ka qenë dhe nuk është bastion i kërkujt, veç i vetvetes. Është e vërtetë se Sali Berisha ka një kontigjent që mund t’i shkojë prapa, edhe “prapa diellit”. Por ky kontigjent nuk i afrohet kurrësesi shifrës së nevojshme për të marrë e mbajtur pushtetin vendor për tri dekada me radhë.
Po atëhere, si shpjegohet fitorja e këtij “kalorsi të errësirës” për tri dekada rresht? Dhe kjo në një qytet, që mban titullin kampion i traditës, dijes dhe kulturës në shkallë vendi?
Në vitet e para të “demokracisë”, ata që e bëin ligjin e rrugës e të “demokracisë”, ishin qindshet neonaziste të Berishës, që shoqëroheshin në çdo skutë nga ambasadori amerikan me emrin Rajerson. Prania e këtij të fundit, që duke qenë përfaqësues i SHBA, e për rrjedhojë konsiderohej si miku më i madh i shqiptarëve, bëri që, edhe shumë nga “të majtët”, madje edhe nga ish komunistët, të vraponin e të shumfishonin qindëshet e zeza të Saliut, veshur me pardesy të bardha. Këtë “kokërr ulliri” e hëngri gati shumica e qytetarëve, sepse thirrjet për Europën dhe Çeku i bardhë, që tundej mbi flamurin e PD-së, ia prishën mendjen edhe plakut 100 vjeçar, me shtëpi në rrëzë të Cukalit. Por më vonë, kur “Çeku i bardhë” doli kallp, ndryshoi situata.
Atëherë, pse vijoi të mbahej në këmbë skema e rreme e “demokraicë” alla berishiane?
Shpjegimi mund të bëhet, duke analizuar sjelljen e dy partive politike, PD e PS, dhe liderëve të tyre, të cilët kanë dominuar dhe dominojnë politikën shqiptare. Për PD dhe liderin e saj “historik”, nuk kemi pse zgjatemi. Partia në fjalë, ishte dhe mbeti një skuadron, si ato të viteve tridhjetë të Adolfit gjerman, drejtuar nga kopja e shëmtuar, Arturo-Ui-t të “Lule lakrës” shqiptare”, me mbiemrin drithërues “Berisha”. Ndryshe ndodhi me Partinë Socialiste, e cila, pasi ndërroi disa herë liderët, më në fund gjeti karar me më të gjatin dhe më jetëgjatin kryetar të saj. Veçse “karari” për socialistët e Shkodrës u kthye në “zarar”.
Ata që na “sollën demokracinë”, u kujdesën qysh në krye për reformimin e PS-së, e cila vinte nga kontigjentet e organizuara dhe me përvojë të Partisë së Punës. Sigurisht jo për ta bërë repart naziskin, si PD-në, por për ta tredhur si subjekt politik. Se pas saj rreshtohej e “majta”, që përbënte dhe përben shumicën e elektoratit. Mirëpo, kryetarët dhe kryeministrat e PS-së, duke filluar nga Nano e gjer tek Majko e Meta, në vend të tredhnin partinë, tredhën veten e tyre. Atëhere në skenë doli Rama, i cili, pasi preu thonjtë që i ishin “zgjatur e bërë pis” në brigjet e Sienës së Parisit, “erdhi” në Shqipëri për të reformuar PS-në me origjinë e “nostalgji komuniste”. Ky i fundit, pasi “shkëlqeu” fillimisht në Ministrinë e Kulturës, dhe pasi bëri mjaft punë të dukshme në krye të Bashkisë së kryeqytetit, mori kartën e Partisë Socialiste dhe si në ato filmat me “Çaknores”, u ngjit në krye të Partisë Socialiste për ta reformuar, rafinuar, turpëruar e asgjesuar . . . siç ndodh me të gjitha partitë e social-demokracisë.
“Reformimin” më të thellë, Rama e realizoj në PS-në e Shkodrës. “Reformimi” i tij u përqëndrua tek kryesia dhe kryetari i kësaj dege. Nga ndërrimi i shpeshtë i kryetarit , ndërrim me komandim e jo me zgjedhje, PS në Shkodër ka mbetur fare pa kryetar. Askush sot në Shkodër nuk e din se kush është kryetari i PS-së. As vetë socialistët e këtij qyteti e rrethi. Por më interesantja është sjellja e Kryetarit të madh, Rama, me elektoratin e PS-së në Shkodër. Për ilustrim të kësaj sjellje, po tregoj dy episode nga zgjedhjet qendrore e vendore në Shkodër:
Në prag të zgjedhjeve politike të vitit 2009, në përmbyllje të fushatës, në sheshin kryesor të qytetit, u organizua një miting i madh me anëtarët dhe simpatizantët e PS-së. Për çudinë e pjesëmarrësve, mitingun e hapi një socialist i ardhur nga qendra, dhe jo Kryetari i PS së Shkodrës. Madje Kryetari në fjalë nuk ishte fare në tribunë. Ç’kishte ndodhur? Kryetari i madh, Rama, kur kishte hartuar listën e kandidatëve për deputetë të PS-së, kryetarin e Shkodrës e kishte vënë prapa listës, si në skeçin e “Lipe Shtogut”! “Lipja” ishte ankuar, dhe regjisori i ishte përgjigjur me përjashtimin nga lista dhe nga kryetarllëku. Por thagma më e “goditur” e Kryetarit të madh, Rama, do të vinte në fjalën e tij në përmbyllje të mitingut. Midis të tjerave, ai tha: “Shkodrën e kanë dashur edhe Duçja, edhe Hitleri, por nuk e ka dashur Enveri”!
Kjo frazë u përcoll me brohoritje, por edhe me fishkëllima . . . Qëllimi i kësaj fraze në gojën e kryesocialistit ishte, të “thithte” votat e të përsekutuarëve të Shkodrës. Mirëpo të persekutuarit, nuk i hanë ato kumbulla të tharta. Edhe në tribunë ti nderosh, edhe këshilltarë në zyrën e kryeministrit ti emërosh, ata nuk ta japin votën. Dhe kanë të drejtë. Ndryshe pse do të quheshin të persekutuar? Por nuk ka të drejtë Kryetari socialist Rama. Madje me këtë qëndrim, tregohet tepër amator, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër. Se, edhe sikur pas asaj “thagmës” me Duçe e Hitler, të fitonte votat e të persekutuarëve, do të humbte dhe realisht humbi votat e enveristëve. Dhe këta të fundit, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë, janë dhjetra e qindra herë më shumë se të parët.
Interesante ishin edhe zgjedhjet vendore të vitit 2019. Kryetar-Kryeministri Rama, ndonëse fushën e betejës elektorale e kishte pa kundërshtarë, dhe votat i mblodhi e i numëroi siç ia deshi “zogu i qejfit”, përsëri fitorja i rrëshqiti nga dora. Kryebashkiaku i sapozgjedhur, qysh ditën e dytë të kryetarllëkut, u detyrua të dorëhiqej, se i doli një “cen” në biografinë e kohës së emigracionit. Pyetja shtrohet: Nuk kishte Shkodra një kandidaturë që të siguronte “virgjërinë” e biografisë në këto vite të tranzicionit? Sigurisht që kishte, por Rama është vetë zot dhe vetë shkop. Ama, kur i del “bllof”, shkopin ia len në derë “gjyqësorit” dhe vepron si Pilati i Romës së lashtë.
Kryetar-Kryeministri Rama, tash pas 17 vitesh në postin e kryetarit të PS dhe 9 vjet edhe në krye të qeverisë, ia ka ndërruar PS-së, jo vetëm faqen (nga e kuqe rozë, në blu-mavi), por e ka transformuar në një organizëm të vdekur e të pa kallur. Në mënyrë të veçantë kjo në Shkodër. Ai kujtohet për partinë e tij dhe elektoratin përkatës, vetëm kur vijnë zgjedhjet, që është dhe lëmi kryesor e madje i vetëm i partive të sotme politike në vendin tonë. Në përgjigje të këtij “kujdesi”, veteranët e PS-së, dhe jo vetëm ata, e kanë braktisur partinë dhe lëmin e betejave zgjedhore. Sikur të mund të testohej elektorati gri, siç quhet ai që nuk merr pjesë në zgjedhje, me siguri shumicën do ta përbënin anëtarët dhe simpatizantët e PS-së.
Rasti më i fundit, i zgjedhjeve të 6 shkurtit, ishte një rast i volitshëm i socialistëve, për ta fituar për të parën herë Bashkinë e Shkodrës. Kandidatja për këtë pozicion, ishte një socialiste serioze, me reputacion të shkëlqyer tek qytetarët, çka jepte shpresë se më në fund, skema e stërvjetëruar e PD-së do të shkërmoqej. Aq më tepër që “taborri demokratik” hyri në betejë i përçarë. Shpresat ishin të mëdha, sepse kandidatja socialiste, ndonëse koha ishte e kufizuar, zhvilloi një fushatë gjithë kulturë dhe me transparencë të plotë, që ngjalli optimizëm jo vetëm tek socialistët, por edhe tek elektorati gri. Por përpjekjeve të Kandidates, i mungoi ndihma konkrete e qendrës. Edhe dy ardhjet nga Kryesia e PS në Tiranë, njera prej të cilave vetë Kryetar-Kryeministri Rama, nuk patën efekt. Madje mendoj se bënë efekt të kundër. Në të dy rastet, “diskursin e fushatës” ardhësit e bazuan në fjalorin e sharjes dhe denigrimit të kundërshtarit, dhe jo mbi synimet dhe objektivat që mund të realizoheshin në harkun e një viti, gjer tek zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2023.
Zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Shkodrës, ashtu si edhe në pesë simotrat e saj, kësaj herë u dalluan për mungesën e thekasuar të pjesëmarrjes së votuesve. Edhe nga demokratët, mungesat ishin “mbresëlënëse”, dhe kjo për meritë të Lulit të “vocërr”. Por edhe nga socialistët, shifra e pjesëmarrjes, jo vetëm nuk u rrit, por madje ishte më poshtë se në zgjedhjet e kaluara. Tashmë tek kutia e votimit shkojnë vetëm militantët e partive politike dhe ata që presin të përlajnë ndonjë post apo vend pune në administratën shtetërore. Dhe kjo është “kuje” për “demokracinë” që është ndërtuar në këto tri dekada të tranzicionit pa fund.
Ajo që tashmë duket sheshit, dhe duhet theksuar si “arritje”, është fakti që midis PD-së dhe PS-së, me bishtat e tyre artificialë, nuk ka asnjë dallim; as nga forma dhe as nga përmbajtja, përjashtuar siglat e zhgarravitura nëpër betejat donkishoteske e korupsioniste, që nisin në parlament, dhe po aty shuhen si flluska sapuni të së njëjtës markë.
Fjala “demokraci” në ditët e sotme, është fjala më e lëçitur në fjalorin e përditshëm. Por thelbi i saj në praktikë, nuk ka asnjë lidhje më “demos-in”, prej ku ka dalë ky emërtim. Dhe kjo do të vijojë, për derisa partitë politike, nuk do të jenë organizma demokratikë dhe përfaqësuese të drejtpërdreta të qytetarëve, por instrumente të borgjezëve të vjetër e të rinj për akaparimin dhe mbajtjen e pushtetit.
——————————–
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.