SHQIPTARËT DO TË NDJEHESHIN KRENARË,
NËSE NË POSTIN E PRESIDENTIT DO TË VINTE
AKADEMIK REXHEP QOSJA!

(Botuar në gazetën SOT, datë 9 Prill 2022)
Prej disa ditësh zallamahija e politikës shqiptare po zien për postin e Presidentit. Ndonëse duhen edhe rreth katër muaj sa të vijë vakanca e këtij posti të nderuar, partitë politike, veçanërisht ato që janë në pushtet, kanë nisur fushatën presidenciale, në boshtin e së cilës tolloviten mendimet, këshillimet, diskutimet e propozimet, për kandidaturat e mundshme, gjë që ka eklipsuar pothuaj të gjitha hallet e problemet me të cilat jemi mbërthyer, që nga rritja e çmimeve, post-tërmeti tre vjeçar i pa “inauguruar” gjer në fund, pandemia ende e pambyllur zyrtarisht, e gjer tek rreziku i luftës bërthamore, që na kërcënon konflikti i armatosur Rusi- Ukrainë. Por shqetësimi për presidentin e ardhshëm, është legjitim. Se është fjala për Kryetarin e Shtetit, pa të cilin, Republika jonë, do të katandisej si “pula pa krye”!
Historikisht, në dymijë vjet histori, vetëm rreth 120 vite, shqiptarët kanë patur shtetin e tyre, përfshi edhe shtetin aktual të “gërrmërrkracisë” së sotme borgjeze. Në pjesën dërmuese të kohës, ata patën shtetin e pushtuesve të huaj, ndaj dhe u munduan me të gjitha mjetet e mënyrat të mos e njihnin e të mos e pranonin, duke u vetqeverisur me kanunet e tyre të lashta. Për realizimin e kësaj vetqeverisje, shqiptari zgjidhte drejtpërsëdrejti drejtuesit e tij, të cilët i emërtoi Kryetar familjeje (ose Zot Shtëpie), Kryetar fisi, Kryebajraktar, e gjer tek Kryetar i Lidhjes (apo “Beslidhjes”), kur ishte fjala për gjithë trojet kombëtare. Përzgjedhja e këtyre drejtuesve, ishte një punë me tepër përgjegjësi, ndaj në kuvende të hapura, përzgjidheshin personat më të aftë, të cilët mund të bëheshin zotër të vërtetë të shtëpisë e të fisit, dhe burra të mençur e të aftë për drejtimin e bajrakut e të “Beslidhjeve Kombëtare”. Kur kjo përzgjedhje nuk ishte në shkallën e duhur, apo kur ajo manipulohej, atëhere edhe pasojat ishin të pashmangshme; vendi përfshihej nga kaosi, ose bëhej pré e pushtuesit të huaj, i cili na impononte pushtetin dhe shtetin e tij shtypës e shfrytëzues.
Mungesa e përzgjedhjes të drejtuesve të saktë e të mëritueshëm në hierarkinë tonë shtetërore e shoqërore, ka qenë “moto” e zakonshme e gjithë tranzicionit tonë tridhjetëvjeçar me mbiemrin fallso “demokratik”! Rekordin për papërshtatshmëri me pozicionin drejtues të tij, e ka patur Kuvendi, alias Parlamenti, pushteti më i lartë ku hartohen e promovohen ligjet themelore të shtetit, të cilat rregullojnë e sigurojnë normalitetin e marëdhenieve të shoqërisë. Realisht, në vitet e para të të ashtuquajturit “pluralizëm” dhe “pluripartitizëm”, qoftë edhe për inerci të viteve të socializmit, Kuvendi i Shqipërisë pati një përbërje me nivel të spikatur të inteligjencës në të gjitha fushat e zhvillimit të shoqërisë. Por me kalimin e viteve të para, frenat e përzgjedhjes së drejtuesve të Kuvendit, e për pasojë edhe të pushteteve të tjera, i rrëmbeu militantizmi partiak, i përcjellë nga bisnezi dhe oligarkia financiare. Mjafton të kujtojmë Kuvendin e sapo kaluar, kur shumë deputetë nuk shqiptonin dot as fjalën “Korporatë”, për të kuptuar se në ç’derexhe u katandis përbërja shoqërore dhe niveli arsimor, kulturor e professional i ligjvënësve tanë. Të paktën prej dhjetë vitesh e këtej, emri “Kuvend” i Pushtetit tonë Legislativ, është jo vetëm fallso, por edhe injorues për traditën e lashtë të shqiptarëve. Ndaj me ndihmën e piktorit kryeministër, apo të ndonjë piktori tjetër në postin e deputetit, emërtimit aktual në fasadën e ndërtesës së Kuvendit, le t’i bëhet një ndryshim prej vetëm dy germash, çka do të saktësonte vërtetësinë e funksionit të tij.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy pushtetet e tjera të shtetit shqiptar në këto tri dekada të mjeruehme, të sistemit borgjez; me pushtetin Ekzekutiv të “zbukuruar” me mjekrra mesjete, dhe Gjyqësorin, që i kanë rënë poturet gjer në fund të këmbëve. I vetmi pushtet, që vijon të qëndrojë në këmbë, është pushteti i medias, alias “pushteti i katërt”, i cili, me vringëllimat e shpatës së Don Kishotit, më së paku lajmëron qytetarët se në dorë të kujt e kanë dorëzuar fatin, e jetës së tyre të pafat.
E lamë për në fund pushtetin e Presidentit, i cili, teorikisht është “Pushtet mbi pushtetet”, ose më së paku, “Pushtet mbi palët”. E quajta teorikisht “pushtet mbi pushtetet”, apo “pushtet mbi palët”, por realisht Presidenti i Shqipërisë, gjatë gjithë kohës së tranzicionit, ka qenë një manekin i partive politike, dhe i aleancave e kompromiseve të tyre. Madje, kur kanë hasur më ndonjë president “hundëlesh”, që ka qëndruar siç thotë populli “kokërr” mbi fronin dhe funksionin e tij, siç ishte rasti i president Moisiut, partitë kryesore politike, PD dhe PS, që kanë bërë e bëjnë ligjin, ia kanë hequr Presidentit edhe nja dy kompetenca që kishte, duke e lënë zhveshur, siç mbetet “dordoleci” i kopshtit pas vjeljes së perimeve.
Siç cilësuam në krye, fushata për presidentin është pothuaj në kulmin e diskutimeve. Të gjithë shpresojnë tek ndonjë kompromis midis PS e PD, çka do të ndihmonte edhe shuarjen e sherrit mes dy pjesëve të PD-së, ashtu siç dhe mund ta ndezë këtë sherr, ku është përfshirë dhe zonja e nderuar Yuri Kim. Nga ana tjetër ka edhe propozime, që Presidenti të zgjidhet nga populli, çka do të rriste edhe kompetencat e cunguara të tij. Por propozimi në fjalë përmbyset nga Kryeministri, i cili para katërmbëdhjetë viteve, ishte “bashkëautor me Saliun” për zvogëlimin dhe jo rritjen e kompetencave të Presidentit. Megjithatë, Kryeministri Rama, thonë se ka vendosur që, çështjen e kandidaturës së Presidentit, ta përfshijë në bllokun e “Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë”, këshillim i cili do të përfundojë sipas thënies së vjetër të popullit: “Pyet shtatë a tetë, dhe bëj siç din vetë”!
Megjithatë, ne si qytetarë, e kemi obligim të japim mendimin tonë për këtë çështje që na përket të gjithëve, paçka se këshillat tona do të përfundojnë tek koshi i plehrave në fund të oborrit të Kryeministrisë.
Nuk kemi pse zgjatemi se kush duhet të jetë figura e presidentit dhe cilat duhet të jenë vetitë, virtytet dhe karakteristikat e personit që do të marrë përsipër atë pozicion sa të nderuar, aq dhe të rëndësishëm. Duke patur parasysh acarimet militante që kemi krijuar mes veti në këta tri dekada sherri të pandërprerë, kërkesa themelore e përzgjedhjes së presidentit, mendoj se duhet përqëndruar në tri plane: Së pari në atdhetarinë e manifestuar të kandidatit që propozojmë; Së dyti, në nivelin dhe vlerat intelektuale, arsimore, kulurore e historike të tij; Dhe së treti, në reputacionin që ai gëzon midis bashkëatdhetarëve për të qënë përbashkues i kënaqshëm i tyre.
Këto veti e karakteristika, unë mendoj se gjenden të manifestuara denjësisht tek Profesori i nderuar, politikani, historiani, shkrimtari, kritiku letrar, publicisti i ekuilibruar, Akademiku, Rexhep Qosja. Profesor Qosja, mund të themi pa frikë, është Rilindasi i fundit i Kombit shqiptar, i kompletuar me traditat më të arrira të shqiptarisë, dhe një figurë karizmatike, që mund të ballafaqohet plot sukses me botën, duke mbrojtur me kompetencë të plotë e me dinjitet interesat tona kombëtare.
Një gazetar dhe analist i yni, në një prononcim tek emisioni “Arrnautistan” për çështjen në fjalë, midis të tjerave tha: “Ne duhet të kemi një Kryetar Shteti, që kur të kthejmë kokën nga Presidenca, të mos ndjejmë neveri”! Jam i sigurtë se këtë batutë, analisti në fjalë e ka nxjerrë, si reagim ndaj disa prej Presidentëve tanë të kësaj periudhe, që jo vetëm nuk e realizuan detyrën, por edhe na neveritën e na turpëruan para botës, me sjelljet e tyre militante, servile e kontraverse. Batuta e analistit, na kumton se, sa keq e kemi trajtuar postin e rëndësishëm të presidentit, duke ulur në shkallën më të fundit autoritetin e vetë shtetit tonë përpara ndërkombëtarëve.
Unë mendoj se këtë handikap duhet ta kapërcejmë sa më shpejt. Pavarësisht nga kompetencet e mëdha apo të vogla, figura e Presidentit, ka rëndësi të jashtëzakonshme. Presidenti konsiderohet Kryetar Shteti, konsiderahet Zot i Shtëpisë së shqiptarëve, ndaj është fatkeqësi që këtë pozicion ta konsiderojmë të dorës së dytë dhe të lozim me të, duke e katandisur në një post fallso dhe mjeran.
Jam i sigurtë se Profesor, Akademik, Rexhep Qosja, pavarësisht nga kompetencat e cunguara të postit të Presidentit, do të ishte një Kryetar shteti serioz, me reputacion kombëtar e ndërkombëtar të shkallës më të lartë, çka do të bënte krenar çdo shqiptar të Shqipërisë londineze dhe të të gjithë trojeve tona kombëtare.