Ju përgëzoj ngrohtësisht për librin e bukur që keni shkruar me titullin “Kulla në cep të pyllit Bruçe”(Kronikë familjare), i cili më ra në dorë rastësisht.
Në ”pyllin” e librave që shkruhen sot si kujtime (dhe mirë bën kushdo, pasi gojarisht nuk u transmetohen dot brezave të gjitha vlerat dhe përvojat e jetës), është krijuar ideja se këto libra nuk i kapërcejnë vlerat tej familjes apo fisit. Por . . . këtu më lejoni të ndalem më gjatë, megjithëse jam i bindur se nuk do të shpreh dot të gjitha mendimet e mbresat, që më ka lënë libri juaj, i lexuar fjalë për fjalë.
Qysh në krye, ju siguroj se po i lini brezave një vepër të plotë historike. Libri i kapërcen shumë vlerat e një familje (Bruçët); ai është dëshmia e shkruar e ngjarjeve të vërteta, me sfond historik të një pjese të Shqipërisë, në një nga periudhat më të stuhishme të historisë së saj: Të jetës nën hijen e mbretit e të bajraktarit; të pushtuesit dhe të Luftës, si dhe të Revolucionit për vendosjen në vend të një rendi të ri shoqëror në trojet e të parëve tanë – dëshmi e kohës kur shqiptarët me të vërtetë mund të shqiptonin me kokën lart emrin “shqiptar” kudo e para kujtdo në botë.
Si dëshmi historike, i qartë e real, vlen të vlerësohet gjerë e thellë dhe disa kopje të sigurohen për ruajtje afatgjatë, pasi historia ndërron, por brezat kanë e do të kenë çfarë të mësojnë nga përvoja, lufta dhe sakrificat e vëllezërve Bruçi, nga shokët e miqtë e tyre të zakonit e të politikës në luftën për jetën!
Nga stili letrar dhe gjuha, libri është i nivelit nga më të lartët, që mua më kanë rënë në dorë për këtë temë, dhe do t’iu quaja pa frikë historian e letrar i vërtetë. Unë po të dija më shumë në fushën e krijimtarisë letrare, do ta vlerësoja librin tuaj “brumë i ardhur” për një vepër shumë të vyer letrare (roman).
Duke lexuar librin, jam befasuar për shumë ngjashmëri të jetës e karakterit tuaj me mua, që jam rritur larg, në jug të vendit (Kurvelesh), me shumë mundime dhe vështirësi të rrugës së jetës, por që megjithatë i kanë bërë më të gëzueshme ato suksese që kam arritur. Ndoshta për këtë, shumë herë jam mallëngjyer e ngashëryer gjatë leximit të skenave të përshkruara me aq vërtetësi e fjalë të pakta.
Së fundi, edhe njëherë ju përgëzoj e ju përshëndes ngrohtësisht për shpirtin e ngrohtë, talentin e spikatur dhe dashurinë ndaj njerëzve, të cilën e manifestoni me pathos në librin tuaj.
Gëzofshi sa më shumë e gjatë me gjithë “degët e gjethet” e fisit tuaj!