Per kujtes SPAK!
TREKËNDËSHI I KRIMIT DHE HIPOKRIZISË 11 VJEÇARE!
Realisht, nuk janë 11 vjet, por plot 30 vite që në vendin tonë lulëzon krimi dhe hipokrizia. Por unë e specifikova në 11 vite, sepse bëhet fjalë për krimin qeveritar që ndodhi para 11 viteve, dhe pikërisht me 21 janar 2011, ku në mes të ditës e në mes të bulevardit të kryeqytetit, Arturo – Ui shqiptar, alias Berisha, kopje e shëmtuar e Hitlerit, dha urdhër të qëllohej për vdekje mbi katër qytetarë, faji i të cilëve ishte prania e tyre në bulevard, duke demonstruar paqësisht për të drejtat më elementare.
Ajo që e evidenton në shkallën sipërore këtë krim, në relacion me “sivëllezërit” e tij të shumtë të demokracisë borgjeze në vendin tonë, është “Rituali” hipokrit i përvitshëm, kushtuar kësaj date, lotët dhe lulet fallso të qeveritarëve e politikanëve për të vrarët e pashpaguar, dhe shpresa e kërrusur e familjarëve për ndëshkimin e kriminelëve, ku më kryesorët gjenden ende në politikë e në pushtet, e madje vendosin edhe lule tek pllakat, ku u derdh gjaku i të pafajshmëve.

Si krimi i kësaj date, dhe hipokrizia që e përcjell në çdo përvjetor, ua kalojnë tragjedive të Shekspirit. Tragjeditë e dramaturgut bënin fjalë për krime dhe hipokrizi në familjen mbretërore dhe me një pjesë të oborrit të saj. Ndërsa krimi dhe hipokrizia e 21 Janarit tonë, përfshin dyzinën e politikanëve dhe pushtetarëve të djeshëm dhe aktual, si dhe diplomatët e ndërkombëtarët, që i mbështesin, i inkurajonë dhe i mbrojnë ata. Nga ana tjetër, ndërsa tragjeditë shekspiriane zhvilloheshin brenda oborrit të mbretit, tragjedia jonë e 21 janarit, luhet çdo vit në mes të ditës, e në mes të qytetarëve, çka i jep plotësisht të drejtë shkrimit redaksional të gazettes “Dita” të datës 20 Janar 2022, kur thotë se: “Edhe ne të tjerët (domethënë ne qytetarët), tashmë jemi jo vetëm të mbuluar nga turpi, por edhe pjesë e krimit nga mosndëshkimi i tij”.
Në çdo “përvjetor” të 21 janarit, ne qytetarët shqiptarë, rishohim në ekranet e televizioneve tragjedinë, dhe e përcjellim atë, siç përcjellim filmat që na ka falur “vëllai” ynë Erdogan, mbushur me vrasje e mafiozë të Stambollit të modernizuar. I përcjellim, për t’i riparë në përvjetorin e ardhshëm, me të njëjtin pasivitet, gjer në indiferencë.
Pse ka ndodhur e ndodh kjo?
Sepse, ndryshe nga krimet e tjera, që nuk kanë munguar në këto tri dekada, krimi i 21 janarit, që nga dita e parë e gjer më sot, është shoqëruar më hipokrizi. Një hipokrizi pështirosëse të pashoqe. Përsonazhe të kësaj hipokrizie kanë qënë vetë autorët e krimit, shoqëruar pse jo edhe nga ata që i kemi thirrur e pranuar si përfaqësues të demokracisë “kampinone” të botës perëndimore.
Po kush janë autorët kryesorë të krimit në fjalë? Autorët kryesorë të këtij krimi janë tre persona, të cilët me klanet e tyre mafioze, përbëjnë “Trekëndëshin e korrupsionit”, të ngjashëm me “Trekëndëshin e Bermundës”, me dy ndryshime të vogla: “Trekëndëshi i Bermundës” gjendet në brigjet veriore të Atllantikut, në gropën e së cilës thuhet se, herë pas here bien e zhduken avionë e anije, ndërsa “Trekëndëshi i korrupsionit” tonë gjendet në brigjet e Adriatikut, në gropën e të cilit bien çdo ditë qytetarët shqiptarë. Trekëndëshi në fjalë është një trekëndësh barabrinjës, nga qëllimi dhe veprat që realizojnë.
Më i pari “kënd” i “Trekëndëshit”, padyshim është Saliu, i cili, në tragjedinë e 21 janarit, kishte rolin kryesor. Pasi shkaktoi gjakderdhjen e katër qytetarëve të pafajshëm dhe të dhjetra e qindra të tjerëve të lënduar e të sakatuar, ai doli e deklaroi hapur përpara medjave se, “nëse qytetarët do të dalin në bulevard e të shikojnë me inat nga selia e qeverisë, do të vrasë jo katër, por katërqind të tjerë”. Madje, mbas një pushimi gati dhjetvjeçar, pas lënies së pushtetit, këto ditë është hedhur në sulm për të rimarrë klanin e tij të PD-së, me të cilin kërkon të kthehet në pushtet, për të përsëritur tragjedinë e 21 Janarit, e cila ka rezultuar një nga çfaqjet “më interesante” në sfondin blu të demokracisë borgjeze shqiptare.
“Këndi i dytë”, i dalë nga e njëjta brinjë e “trekendëshit” është Basha, i cili, i mërzitur me rolin e dytë në çfaqjen e përbashkët me shefin dhe babain e tij shpirtëror, Saliun, u shkëput me sprint, për të zënë qoshen e “këndit”, ku mendon të realizojë një tragjedi të dytë më të spikatur në 21 janarët e ardhshëm, që medoemos do t’i kemi. Hipokrizia e Bashës, është paksa më e fluide se ajo e Saliut, sepse në tragjedinë e 21 janarit, ndonëse ishte ministër i brendshëm, ai u struk në taracën e ndërtesës qeveritare, dhe për më tepër, nuk doli asnjëherë në televizion për të shitur mend, si shefi i tij. . . .
Në “këndin e tretë” të Trekëndëshit në fjalë, qëndron më interesanti, jo si figurë shtetërore e madje kryeqeveritare, por si artist, i cili, na hiqet si Pilati romak i lashtësisë përkundër tragjedisë në fjalë të ndodhur para 11 vjetësh e të “pakallur“ ende në varrin e ndëshkimit. Ndryshe nga dy adashët e tij të “trekëndëshit”, Rama nuk mungon, që në çdo 21 janar, të marrë një tufë lule dhe ta vendosë tek pllakat e lagura me gjakun e “ushtarit të tij të demonstratës”. Homazhet e tij të përsëritura tek vendi i të vrarëve, janë tepër prekëse për ata që nuk e dinë historinë, por tepër perverse për shqiptarët, shumica e të cilëve kanë qenë të pranishëm në lojë, ose e kanë ndjekur drejtpërsëdrejti nga ekranet e televizioneve.
Hipokrizia e Ramës evidentohet më shumë se e dy aktorëve të së njëjtës çfaqje, sepse, ndërsa të parët nuk pranuan autorësinë e krimit dhe për rrjedhojë edhe mundësinë e gjykimit, Rama, në prag të zgjedhjeve politike të 2013-tës, u betua se “punë e parë që do të bëjë qeveria e tij, do të jetë ndëshkimi i krimit dhe kriminelëve të 21 janarit!” Por, kur zuri kolltukun e Kryeministrit, e “drodhi si Likja”, duke thënë se qeveria nuk heton e nuk dënon, sepse kjo është detyrë e prokurorisë dhe gjykatës. Këtë alibi, ai e ka përsëritur në plot 11 vjetorët e gjertashëm të kësaj tragjedie, kur së bashku me familjarët, ka vendosur karajfila në vendvrasjen e njërëzve të tyre.
Po, pse në këta 11 vite, është luajtur dhe po luhet kjo lojë e ndyrë e mosdënimit të krimit të tmerrshëm të 21 janarit? Dhe më në fund, kur do të ndëshkohet ky krim makabër, i papranueshëm as për juntat ushtarake, e jo më për një shtet të vetquajtur demokratik?
Shumë politikanë, analistë, komentatorë e madje edhe ambasadorë, veçanërisht zonja Juri Kim, përsërisin pa droje se drejtësia po vjen. Ajo ia ka hypur “Kalit të SPAK-ut” dhe po rend drejt nesh. Kur do të mbërrijë?
Unë them se nuk do të mbërrijë kurrë. Atij “kali”, i kanë rënë patkonjt, pa u nisur ende. 21 janari, ashtu si ‘97-ta, si ’98-ta, dhe si Gërdeci, katër krimet më të rënda e më të dukshme ndaj vendit e qytetarëve tanë, nuk do të gjykohen e dënohen kurrë. Arsyet e kësaj pamundësie, mund të kuptohen lehtë, nëse duam të kuptojmë:
‘97-tën, e përcaktoi shumë saktë ish ministri i PD-së, Zhulali i ndjerë, kur tha se “Dosja e zezë e ’97-tës, nuk do të hapet”. Kjo rezultoi e vërtetë. Dosja e ’97-tës ka brenda disa agjentura të huaja, dalja e të cilave do t’i sëkëlldiste selitë dhe qeveritë përkatëse. Grushti i shtetit i 1998 i Sali Berishës nuk do të dënohet. Këtë na e vertetoi para disa ditësh ish Ministri ynë i jashtëm, Paskal Milo, kur tha se “sapo qeveria shqiptare ndaloi Berishën për grushtin e shtetit, SHBA, Gjermania dhe Italia, morën në telefon e na thanë se po nuk liruat Berishën, ne do t’ju presim ndihmat”! Gërdeci ka akoma më shumë garanci të mos dënohet, sepse Gërdecin e ngriti Pentagoni dhe sejmenët Berisha e Mediu. Por nëse thirrën ne gjyq sejmenët, këta do të nxjerrin emrat e atyre që i “ingranuan” në atë biznes të kundraligjshëm e që përfundoi në një Hiroshima shqiptaro-amerikane. Por edhe 21 Janari 2011 mbahet i sigurtë përballë ndëshkimit të mundshëm. Sali Berisha vërtet urdhëroi të qëllohej mbi demonstruesit në bulevard, por ai nuk e bëri këtë nga “mendja” dhe as “trimëria” e tij, por në zbatim të udhëzimeve që mori nga ndërkombëtarët, për të ruajtur “stabilitetin”. Kjo që themi, nuk është një hamedje, por deklarim në televizion i ish shefit të Shërbimit Informativ të kohës.
Po heshtja e Kryeministrit aktual, do të thotë ndonjëri, ç’lidhje ka me mungesën e ndëshkimit të krimit të 21 janarit 2011?! Lideri socialist, Edi Rama, ishte në krye të demonstratave të ligjshme disa ditëshe të socialistëve dhe simpatizantëve të PS. Por ai, në vend që të qëndronte në krye të “ushtrisë së tij” e të mbante rregullin, u fsheh tek Kullat e Fidelit, çka rezultoi me çoroditjen e radhëve të demonstruesve. Nga ana tjetër, nëse nesër apo pasnesër, gjykata e merr seriozish dënimin e Sali Berishës për 21 janarin, atëhere edhe Edi Rama do t’i gjendet në krah, me akuzën e daljes së demonstratës jashtë “programit”. Shkurt hesapi, dënimi i Berishës e i Bashës, si “mbrojtës” të Kryeministrisë, do të shoqërohej edhe me dënimin e Ramës si sulmues i saj.
Lind pyetja: Po ndërkombëtarët, me autoritetin e tyre të padiskutueshëm, dhe më në fund edhe me SPAK-un, që ata ngritën dhe po e mbajnë me “çiketo”, a do ta dënojnë krimin e 21 Janarit?
Jo, them unë, është e pamundur. Dënimi i krimit të 21 janarit, ashtu si dhe ai i ’97-tës, i ’98-tës e i Gërdecit, do të mbeten krime për në “muzeun e demokracisë borgjeze”, por kurrsesi krime për sallën e gjyqit. Se dënimi i tyre nxjerr në shesh dy gjëra shumë të rëndësishme:
Së pari: Kompromenton ndërkombëtarët në qëndrimet dhe ndërhyrjet jo demokratike kundër interesave të popullit tonë; Dhe së dyti: Dënimi i këtyre katër krimeve më “pikante”, do t’i nxirrte kallajin fasadës së kallajisur të demokracisë borgjeze, aq fort të lakuar si demokraci e kulluar, që nuk ka alternativë tjetër. . . .
Në mbyllje të këtij shkrimi, do të desha t’ju drejtohem familjarëve të viktimave të 21 janarit: Krahas ngushëllimit që unë si qytetar ju kam drejtuar në heshtje, për humbjen e të afërmëve tuaj, do t’ju lutesha: Mos u shkoni prapa liderëve të partive, që kanë qeverisur e qverisin vendin me shpresën e vendosjes se drejtësisë. Ata nuk mund të bëjnë drejtësi, në një shtet e në një sistem që është ngritur mbi padrejtësinë. Shkoni vetëm me dashamirët tek vend-vrasja e njerëzve tuaj, vendosni tufën me lule, dhe mendoni e besoni se vetëm përmbysja e kësaj kaste politike aktuale dhe sistemit të tyre mashtruses e shfrytëzues, është zgjidhja për drejtësi të vërtetë.