“Bajram Mustafa Ndreu ishte një njeri modern që nuk e kuptuam dhe nuk e pranuam sa qe gjallë”. Kështu u shpreh një bashkëfshatar i tij, kur e pyetëm për të.
Një jetë e vështirë deri në persekutim, interesante deri në detaje dhe e plotë sa për një hero. Kështu do ta përkufizonim jetën e tij, teksa pëfuduam së shkruari monografinë kushtuar jetës së tij.
Një bashkëfshatar i tij dhe bile bashkëfis u shpreh se “ne jemi një fis me figura të shquara, me gjeneralë luftërash kundër pushtuesish.
Është e vërtetë. Po Bajrami? Nuk është hero dhe as gjeneral!
Po pse vetëm për heronjtë dhe gjeneralët do të shkruhet? Po për njerëzit e thjeshtë që nuk i kemi njohur dhe nuk i kemi pranuar, nuk do të shkruajmë për to?
A nuk ishte Bajrami partizan i Brigadës së V-të Sulmuese dhe ushtarak i ushtrisë shqiptare? A nuk u plagos ai në këtë luftë? A nuk derdhi gjakun e tij në lulen e rinisë dhe mund edhe të vritej për liri?
Nuk e kuptojmë se ç’ka më tepër një hero apo një figurë tjetër ku sot rëndom është bërë modë që të shkruhet për ta?!!!”.
Aq më tepër Bajram Ndreu i Zall Dardhës, siç njihet ai, ishte i pari që bëri martesë me dashuri në vitet 50, kur zakonet dhe injoranca ishin ulur këmbëkryq në fshatrat tona.
Bajrami ishte ai që dëshironte të fuste të renë dhe përparimtaren në fshat, por nuk u kuptua dhe nuk u pranua asnjëherë, as edhe nga kuadrot e partisë dhe të pushtetit të asaj kohe.
Ai ishte ndër të parët që u shkollua në Internat, që u shkollua në shkolla ushtarake, që shërbeu në ushtri dhe në hidrocentrale. Atëhere përse të mos shkruhet për këtë njeri që regjimi komunist e la në heshtje dhe në hije, që e sulmoi se e kishte frikë për idetë dhe përparimin që manifestonte?
Gjyshi i tij, Hysen Ndreu i Dardhës, është një nga patriotët më në zë në luftërat kundër serbëve në një rang me kushurinjtë e tij Elez Isufi dhe Isuf Xhelili. Xhaxhai i Bajramit, Selim Ndreu është dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, efektiv i Brigadës së IV-t, rënë në betejën për çlirimin e Tiranës në fillim të nëntorit 1944. Ashtu edhe Bajrami, si kushurinjtë e tij, gjeneralët Dali dhe Esat Ndreu ishte në ballë të kësaj lufte, Bajrami bile u plagos në këtë luftë.
Më pas do të vinte persekutimi, internimi dhe keqtrajtimi…
Dardha një nga Nëntë Malet historikë të Dibrës ka figura të shquara ku fisi Ndreu ka peshën e tij.
Ishte nisma e nipit të tij, Neshat Ndreu që e nxorri në dritë këtë figurë kaq interesante për tu njohur, sa do të përbënte subjekt edhe për letërsi të mirëfilltë për shkrimtarët dhe krijuesit. Neshati, në këtë bashkëpunim u dëshmua si njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i filozofisë popullore. Po ashtu edhe babai i tij Hakiku, vëllezërit Hysniu e Petriti, si dhe të afërmit: Miftar Ndreu, Muharrem Ndreu, Avdi Ndreu, Ali Ndreu, Faik Ndreu etj.
Ata meritojnë mirënjohje të veçantë, ndërkohë që një ndihmesë e çmuar për këtë libër (që mbetet i hapur për cilindo që ka dëshirë të shkuajë për Bajram Ndreun) ishte monografia “Hysen Ndreu i Dardhës”, e autorit Hysen Çera. Kjo monografi e studjuesit Çera, që është dhe burim i referencave në kapitullin e parë të këtij libri, mbart vlera shkencore, historike, fetare, kulturore e arsimore, të cilat e kanë bërë dhe e bëjnë autorin të nderuar e të vlerësuar maksimalisht për kontributin e dhënë me kopetencë në shkallë kombëtare, mbështetur në burime të shumta e të larmishme dokumentare.
Dhe padyshim, ne vlerësojmë, edhe mbështetjen e mjeshtrit të skenës e të artit, Skënder Cala, të Isuf Xhedikut, personaliteti i të cilit, kudo dhe në çdo rrethanë reflekton vlera, si dhe të publicistit e gazetarit të mirënjohur Shaqir Çerpja nga Zall Dardha, për gatishmërinë dhe përkushtimin në dhënien e opinioneve të tyre për Bajram Ndreun.
Mirënjohje të veçantë, meritojnë gjithashtu: Dr.Hajri Mandri, redaktor i kësaj monografie, i cili me krijimtarinë e tij si poet, dramaturg e publicist zë vend nderi në historinë e artit dhe kulturës sonë kombëtare, si dhe recensentët: Naim Berisha që ka hyrë me dinjitet në historinë e letrave shqipe, si poet dhe prozator me më shumë se 20 libra të botuar në këta 20 vjet, dhe Dr.Selman Mëziu, autor i disa librave me vlera të rralla shkencore.
Lexuesi nëpërmjet jetës së Bajram Ndreut, do të njihet që nga lashtësia e Dardhës e deri në ditët e sotme, me historinë e lavdishme të saj, me Dinastinë Ndreu, e njohur në Dibër, Shqipëri dhe tashmë edhe në Europë dhe në botë.
HALIL RAMA
SAKIP CAMI