TJETËR AKULL
Nga gjoksi nxirrte avull,
goja një fjalë
s’i fliste,
murosur kornizës
së shpirtit,
në fund të gotës
akullin,
asnjë stinë s’shkrinte.
Kristale gjithnjë të ftohta
diçka aty ruhej,
të vizatuar,
dy trëndafila
nuk e rrudhosnin gotën,
por,sa e bukur dukej.
S’e zbulonte heshtja lotin,
me të donte të ikte,
e vrejti se çdo pritje,
hijes së padukshme,
tutje është e mërzitshme.
Sa mirë i ishin murosur heshtjes,
avujt në fund të gotës,
në muret e vetvetes
si testament i dashurisë,
që të ruhen jetës.
“””””””””””””””””””””
FREKUENCAT
Nuk di pse u dashtë
një rreze që bën dritë
më shumë se
drita e hënës,
më e bukur qe një re
që rigon shi,
mbi tokën e shkrumbuar
të humbasin gjurmë
ecjesh për ëndrra,
thatësirës një tjetër….
lule sjell risi,
e heshtjes
flasin aromat.
Universi në mjegull i veshur,
tokës pluhur i ngritur
si mbi det kur dallgët,
rrahin brigjet,
shkëmb i mbështjellur
me valë,enigma
flet me kohën,
pse ti rreze
ishe piksur
dhe lexoje
frekuencat
e dritës?!
“””””””””””””
RËNKIMI I ATDHEUT
Vetëtimës e bëmë udhën
nuk i’u ndalëm bubullimës
rrufetë na godisnin
errësirës për flakë
kërkonim dritën
Ata që ikën duke thënë
s’e keni kuptuar
gjuhën e robërisë…
mbeten gjurmëve të kohës
alfabet i veçantë
Nuk e di kush
shkronjave ua ndërroi ngjyrat
dhe udhën tonë e ngatërroi
Ata
sa bukur
e patën kuptuar
rënkimin e atdheut
Ne
s’di s’i guxojmë
të luajmë
me fatin e plagëve
Udhën e bëmë
kohës mos të na ngatërrohen lavditë
kur të zgjohën heronjtë
mos të strukemi ne të gjallët