Të nderuar qytetarë e qytetare të dashur dhe ju miq të respektuar e familjarë.
Sot me respekt Ju informoj se jam pjesë e listës zgjedhore për zgjedhjet komunale të subjektit politik VETËVENDOSJE, dhe se do të garoj nën numrin 15.
Shumë prej Jush tashmë më njihni o drejtpërdrejtë o nëpërmjet të shkrimeve të mia dhe të veprimtarisë sime në të mirë të promovimit të vlerave tona.
Jo e lehtë të vendosësh të hysh në një garë politike në këtë kohë tejet të shtrënguar ekonomikisht e politikisht kur çdo gjë po rirenditet si brenda vendit e po ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Unë, Hatixhe Xani, bashkëqytetarja Juaj, pasi jam kthyer nga Oslo e Norvegjisë ku kam mësuar shumëçka e sidomos atë se si duhen bërë punët e qytetarit të devotshëm e të njeriut që ka synim të përfaqësojë të tjerët.
Prandaj zotohem fuqishëm se do të jem edhe një zë, që me ndihmën Tuaj do t’i bashkohem zërave të shumtë të cilët po rriten dita ditës, si në nivelin qendror e po ashtu edhe në atë lokal ku pres të dëgjohem dhe t’ju përfaqësoj.
Do jem zë që me mbështetjen Tuaj e edhe me mbështetjen e zërave në nivelin qendror të mundohem të ndal atë që për më se 20 vjet zvarriti dhe degradoi zhvillimin tonë shoqëror – Ju me votën e qëlluar e ne me përkushtimin, përgjegjësinë dhe vendosmërinë e punës.
Komuna Jonë duhet të jetë shtyllë e nivelit qendror drejt zhvillimit dhe prosperitetit të vendit – Republikës së Kosovës. Ne jemi dëshmuar dhe do të dëshmohemi edhe më tej.
Dikur patëm guximin të përballemi me agresorin dhe dolëm fitimtar, e tani ka ardhur koha të përballemi me vetën tonë duke iu përkushtuar ndërtimit të vendit dhe këmbëngulshëm të ecim përpara drejt VETËVENDOSJES, e duke I bindur edhe të tjerët se jemi dhe se mund t’ia dalim.
Komuna jonë duhet t’i bëhet krah Kryeministrit dhe politikave parimore dhe mirëkombëtare e mirëzhvillimore për të mirën e Kosovës dhe të Komunës sonë.
Dhe të mos harrojmë se aleatët tanë e çmojnë politikën që i del zot vendit – pra na mbështetni që edhe NE, që edhe Komuna jonë të jetë krah parimor i zhvillimit të vendit dhe politikëbërjes kombëtare e ndërkombëtare në dobi të zhvillimit, të mirëqenies dhe të prosperitetit të Komunës sonë e edhe të mbarë vendit.
Ju faleminderit shumë! Dhe vota juaj përcakton të ardhmen Tuaj dhe të atyre që presin në vendimin Tuaj të drejtë – Të fëmijëve Tuaj.