GËZUAR 80-VJETORIN I PËRKUSHTUARI I TRANSPORTIT USHTARAK SHQIPTAR, HARIZ VORA
Ndjehem i obliguar personalisht, për të hedhur disa radhë mbi jetën dhe aktivitetin e pandërprerë në Transportin ushtarak shqiptar, në këtë ditë të veçantë të 80-vjetorit të lindjes, për Hariz Vorën.

Së pari, theksoj se Harizi kishte disa kohë që më thoshte se dua ta festoj këtë Ditë të veçantë me shokët dhe dashamirësit e mi të vjetër e të rinj, me ata që kam punuar, jetuar dhe kemi kontribuar, në sakrifica dhe mundime, në punë tonë ushtarake, si specialistë të Transportit ushtarak. E pëlqeva dhe e mbështeta shumë këtë iniciativë, si një risi e veçantë, edhe si kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve të Transportit.
Shpesh herë jemi munduar me plotë sakrificë dhe stres që të përkujtojmë miqtë dhe shokët tanë veteranë, kur ata janë larguar në përjetësi dhe, harrojmë për moment, gjallërinë dhe frymëmarrjen historike për këta veteranë të shkëlqyer, që janë pranë nesh, dhe ne shpesh herë se kuptojmë mirë këtë realitet. Ata janë historia e vërtetë e këtij shërbimit të rëndësishëm në Forcat tona të Armatosura. Ata me kujtimet dhe përkushtimin e tyre historik, ushtarak dhe profesional i japin ende gjallëri, jetë dhe realitet këtij shërbimi.

Një nga këta është dhe Hariz Vora, i lindur në fshatin Marqet, Vorë, nga dy prindërit, Sulejman dhe Hajrie Vora, me një origjinë familjare, fshatar i varfër, me tradita të hershme patriotike dhe atdhedashëse. Mbasi përfundoi shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbe”, me rezultate shumë të mira, në vitin 1964, Harizi titullohet oficer.
Pasioni, disiplina, ndjeshmëria dhe përgjegjësia për traditat familjare, punën dhe detyrën, rezultatet e mira në mësime dhe në marrëdhënie me eprorët dhe shokët e tij, bënë që ai të merrte si oficer, detyrën e komandantit të togës në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, “Enver Hoxha”, detyrë në të cilën rrallë studentë kur mbaronin e kishin këtë privilegj.
Pas disa kohësh, Hariz Vora kërkoi transferim për punuar drejtpërsëdrejti në reparte më të vështira, atje në terren, ku po hidheshin hapat e kohës drejt modernizimit dhe strukturave të reja në Ushtrinë Shqiptare. U transferua kështu në Repartin Ushtarak të Ndërlidhjes, në Tiranë, ndërsa pas 6-muajsh ai transferohet në Drejtorinë e Zbulimit, nga ku emërohet në shkollën e Zbulimit: Instruktori për përgatitjen e ndërlidhësve dhe radio-telegrafistëve të ushtrisë.
Përkushtimi, përherë në kontakte me zhvillimet dhe literaturën e kohës e bënë të besuar atë drejt detyrave të reja me përgjegjësi dhe punë të palodhur. Pasi ai u transferua përgjegjës i punimeve në ndërtimin e infrastrukturës së repartit të ri të Radio-Zbulimit, (fillimi i vitit 1966), në prill të vitit 1967, Harizi vajti në Kavajë, komandant i reparti të Radio Zbulimit. Për Hariz Vorën kjo qe një kënaqësi e veçantë, pasi ai pëlqente shumë përdorimin e aparaturave dhe teknikën Radio-Zbulimit, që kishte të bënte me të gjitha shtetet e botës. Pas kësaj, me një kënaqësi dhe përkushtim të madh, Harizi punoi si Komandant i këtij reparti deri në prillin e vitit 1974.

Gjatë vitit 1975, ish-Regjimenti i Zbulimit u bë Shkollë e Përgatitjes për Oficerët Rezervistë të Ushtrisë Shqiptare. Harizi i kudo ndodhur, atje ku jepej kontributi drejtpërsëdrejti profesional dhe intelektual në përgatitjen e brezave për përdorimin e aparaturave dhe teknikës transportuese të tyre. Atje mori detyrën e zëvendës/komandantit për teknikën dhe e vazhdoi këtë punë deri në qershorin e vitit 1985. Pas kësaj ai u transferua me detyrën e shefit të ofiçinës në Repartin Ushtarak 9718, Kavajë, ku qëndroi në këtë detyrë për një vit dhe pas kësaj u transferua në Peqin me detyrën e shefit të ofiçinës së Divizionit Peqinit. Në këtë detyrë Harizi qëndroi përsëri një vit dhe pas kësaj ai kërkoi lirimin nga ushtria ose transferimin e tij.
Kërkesa e bërë nga Harizi, momentalisht nuk u muar parasysh. Ai u transferua në Regjimentin Radio-Teknik me detyrën e shefit të teknikës autotraktorë dhe agregate, duke qëndruar në këtë vend punë deri në korrik të vitit 1985, kohë në të cilën Harizi doli në pension, në moshën 50 vjeç.

Kudo ku ka shkelur dora, mëndja dhe realizimi i detyrave të marra, Hariz Vora ka shkëlqyer me marrëdhëniet e veçanta dhe humorin karakteristikë që dhe sot ende e shoqëron në çdo takim e bisedë miqësore që bën me njerëzit dhe dashamirësit e tij. Respekti i eprorëve dhe vartësve në mese katër dekada mësim dhe punë në Forcat e Armatosura e kanë bërë mikun dhe shokun tonë të respektuar dhe të kudopranuar.
Shpirti bujar dhe dashuria për njerëzit e shoqërojnë Harizin, ende dhe sot, në çdo hap të jetës së tij. Prandaj dhe këmbëngulte vazhdimisht, që dhe gëzimet dhe festat personale, t’i ndante me shokët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, eprorë apo vartës qofshin këta. U bë dhe organizimi, për datën 4 shtator që të festonim së bashku reth 70-vetë, por e ndërpremë këtë aktivitet, pasi u përforcuan masat anti-Covid. Në e quajtëm të përfunduar këtë festë në ditëlindjen tënde i dashur Hariz, kështu që mos e mbaj mendjen atje.
Konsiderata personale për marrjen dhe dorëzimin e teknikës transportit, kudo që ka punuar Hariz Vora në çdo repart dhe njësi e ka bërë sipas rregulloreve dhe disiplinës teknike dhe profesionale, përherë në shërbim të personelit të repartti të tij. Një shembull i theshtë mund të jetë tani, por në ato vite kishte shumë rëndësi.

Shumë vështirësi ai ka patur në transportimin e kuadrove dhe të punonjësve nga Tirana për në Zall-Herr dhe anasjelltas, ku reparti kishte 3 autobusë, “Zis-150”, ndërsa numri i punonjësve ishte tepër i madh dhe rruga akoma me e keqe. Ngarkesa dhe transportimi i personalit bëhej çdo ditë jashtë rregulloreve dhe kushteve teknike. Dhe më këtë situatë, Harizi nuk mund të pajtohej.
Në vitin 1976, Harizi i bëri një kërkesë Drejtorisë së Autotraktorëve dhe Agregate që t’i zëvendësonin autobusët “Zis-150” me autobusë tip “Skodë”, me kabina të Shkodrës. Ishte planëzuar një autobus “Skodë” për pilotët e Rinasit. Diftir Hysaj, në atë kohë Drejtori i Autotraktorëve dhe Agregateve të Ushtrisë, pikërisht këtë autobus e kaloi në organikën e Shkollës së Zall-Herit, sepse Harizi i “mbiu në prag”, çdo ditë i delte përpara dhe në çdo muaj bënte informacion-kërkese. Por dhe ky autobus nuk plotësonte konditat e transportimit të njerëzve; shumë ushtarakë ose rrinin në këmbë në atë rrugë të gjatë dhe me probleme, ose detyroheshin që të shkonin në punë me këmbë. Kështu ishin kushtet. Harizi, me këmbëngulje dhe argument, iu qep tani Drejtorit tjetër të Transporti, Xheladin Selimit, deri sa mori dhe një autobus tjetër.

Kështu që, gjatë këtyre viteve, detyrën e shefit të zëvendës-komandantit për teknikën, Harizi e ka kryer me përkushtim pa asnjë premisë, duke i kushtuar rëndësi të madhe, kushteve transportuese të personelit për në punë dhe në veçanti, shoqërimin e teknikës për në poligonin e qitjeve, nga Tirana në Divjakë dhe në Mirditë. Ai e udhëhiqte vetë kolonën e transportit, si pasojë, nuk i ndodhi asnjë incident për çdo vit dhe gjatë udhëtimit nuk ndodhi asnjë rast që makinat të mbeteshin në rrugë për arsye karburanti apo për probleme të ndryshme teknike. Harizi tregon se për çdo vit që kishin stërvitje apo kur shkonte efektivi në poligonet e qitjes, 3-4 ditë para se të fillonte stërvitja, si dhe grafiku i lëvizjes, për në poligonet e Divjakës dhe Mirditës, shoferët dhe personeli i mirëmbajtjes i përgatisnin automjetet, duke i provuar ato natën në lëvizje autokolone, në rrugë të ndryshme dhe në rrugë malore dhe me shumë pengesa. Çdo mangësi që konstatohej nga grupi i specialistëve eliminohej, deri para fillimit të stërvitjes. Hariz Vora në krye të detyrës dhe kurdoherë në çdo stërvitje, automjetet e tij shkëlqyen.

Por gjatë gjithë jetës së tij, Harizi është ndeshur dhe me probleme të ndryshme dhe ngandonjëherë edhe të konsiderueshme, serioze dhe të paharruara. Gjithçka, siç shprehet dhe vetë Harizi, i kemi kaluar me përkushtim dhe bashkëpunim, sepse kemi pasur kuadro, drejtues dhe specialistë, të cilët bënin kërkesën e llogarisë brenda një kulture dhe disipline të pranueshme ushtarake dhe teknike.
Humori i tij i hollë, i goditur dhe tepër miqësor i krijuan atij të veçantën e personalitetit në komunikim dhe marrëdhënie me eprorët. Po tregojmë me respekt dy momente nga moria momenteve të tija.

Harizi kujton, një shef prapavije në Drejtorinë e II-të të Zbulimit, i cili, në vitin 1968, i kërkonte llogari dhe e ngarkonte me përgjegjësi Harizin se e kishte lënë pelën pa e mbarsur. Duke e ndjerë veten para përgjegjësisë, Harizi ishte thirrur në zyrën e Drejtorit të Zbulimit, për këtë problem, ku ndodhej prezent edhe shefi i tij. Harizi u shpjegoi masat e marra, mirëpo përfundimisht pela nuk ishte mbarsur dhe i kishte propozuar shefit të prapavijës, se, meqë ai ishte shumë i shëndoshë (ai ishte 104 kg), e shoh të udhës t’ia hipësh një herë pelës se me siguri do të mbarset dhe do bëjë një mushkë të bukur. Shefi i tij, se kuptoi mirë këtë humor, por pastaj u “ndezën” gjakrat.
Ishte i shtruar Harizi në spitalin ushtarak, dhe qëndroi atje 8-ditë. Mirëpo nuk i erdhi asnjë nga Drejtoria e Zbulimit për ta vizituar. Kur doli nga spitali, Harizi, mori në telefon oficerin e shërbimit në Drejtorinë e Zbulimit. E pyeti ku e keni Hariz Vorën? Ai i përgjigjet që është i shtruar në spital. E di – i thotë Harizi, – unë jam mjeku i rojës, por hajdeni e merrni kufomën e tij….

I vajtën Harizit një grup kontrolli. Ishin disa vetë, dhe Harizi s’kishte mundësi financiare për t’u shtruar një drekë, siç bëhej zakonisht në ato vite, ishte fundi i pesëmbëdhjetë ditëshit. Afër repartit ishte një pulari. Shkon dhe merr dhjetë pula të ngordhura, një të mirë për veten e vet, ua pjek dhe grupi i kontrollit u kënaq me mish pule dhe raki. Kështu dhe kontrolli doli mirë, Harizi u falënderua, ndërsa vetë “kurseu” ca lek.
Dhe kështu, me pas, Harizi vazhdoi jetën e tij si specialist dhe shofer i transportit. Në jetën e tij civile, nga viti 1992 dhe deri në vitin 2016, ai ka kontribuar si instruktor për patentizimin dhe përgatitjen e drejtuesve të mjeteve për patentën e klasit e IV.

Por Harizi, përveç shpirtit të tij të dëlirë, të pastër dhe me humor, është dhe një familjar i shkëlqyer, shkëlqen një prind dhe familjar shembullor. Ai u martua në vitin 1960 me Sefsere Vorën, dhe së bashku, përmes vështirësive dhe problemeve të kohës, lindën dhe rritëm pesë fëmijë të mrekullueshëm, tre vajza: Haxhirenë, Fatbardhën, Margaritën dhe, dy djem: Luanin dhe Saimirin. Harizi është një gjysh i lumtur, i gëzuar dhe shumë i interesuar dhe i kujdesshëm për shtatë mbesat dhe dy nipërit, madje është edhe stërgjysh.
Jeta e tij një shkollë më vete. Shpirti dhe zemra e tij hambar mirësie dhe dashurie. Prandaj, me zemër, i Urojmë Hariz Vorës jetë sa më të gjatë, të shëndetshme dhe plot lumturi dhe gëzime familjare drejt një stërgjyshi që t’i gëzojë të gjithë në dasma e gëzime.
Gëzuar Ditëlindjen dhe në përvjetorë të tjerë plot shëndet, pa Covid dhe pengesa, Hariz Sulejman Vora…!