10.5 C
Tiranë
E mërkurë, 18 Mars 2026

Historike/ Shqipëria dhe Kosova miratojnë tekstin e përbashkët për gjuhën shqipe

RIBOTOJ “GJIN MUSA”

 

U firmos sot Urdhri i Përbashkët ministror “Për miratimin e tekstit mësimor të përbashkët “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli I.

Tashmë Diaspora do të ketë një tekst të përbashkët për mësimin plotësues, i cili do të bashkojë mësimdhënien në Diasporë dhe do të sigurojë cilësinë e mësimdhënies.

Komisioni i Përbashkët Shqipëri-Kosovë për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën i ngritur në zbatim të marrëveshjes së miratuar midis dy shteteve, i koordinuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën  me  përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë, nga Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë e Republikës së Kosovës, finalizoi sot punën e tij me nënshkrimin e këtij Urdhri të Përbashkët të firmosur nga ministrat përgjegjës për këtë proces, Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, dhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, znj. Evis Kushi dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, znj. Arbërie Nagavci.

Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Dr. Mimoza Hysa, si një nga aktoret kryesore të këtij procesi, në fjalën e saj u shpreh:

“Qendra e Botimeve për Diasporën e zyrtarizoi nisjen e punës përmes mbledhjes së parë për ngritjen e Komisionit të Përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës më 22 maj të vitit 2019. Ishte një sfidë e madhe për një institucion të ri të çonte përpara një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes së dy vendeve për mësimdhënien në Diasporë. Ishte sfidë përballimi dhe zgjidhja e detyrave të brendshme, ishte sfidë bashkëpunimi me institucionet tona në Shqipëri, si dhe ajo më pas me institucionet e Kosovës.  Sot në mbylljen e këtij procesi mund të themi se suksesin e përcaktoi roli i rëndësishëm i profesionistëve të fushës nga dy vendet,  nxitja dhe mbështetja e mësuesve të diasporës, bashkëpunimi institucional, mirëkuptimi dhe ndërtimi i një modeli dhe shembulli të mirë ku respektohet hapësira dhe mendimi i secilit, si dhe pa dyshim mbështetja politike nga të dy vendet tona duke dëshmuar se gjuha është themeli ynë përbashkues.”

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, znj. Arbërie Nagavci, në fjalën e saj falënderoi Komisionin e Përbashkët Shqipëri-Kosovë për përmbylljen e procesit dhe theksoi domosdoshmërinë e krijimit të grupeve të punës nga institucionet përgjegjëse të dy vendeve për të hartuar një strategji me hapa konkrete për ecurinë e mësimdhënies në diasporë, me një qasje të përbashkët që do të ndihmojë në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe në mërgatë.

Lexo edhe: Diaspora zyrtarizon tekstet e unifikuara për mësimin e gjuhës shqipe

Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe znj. Shqipe Gashi, nënkryetare e  Komisionit të Përbashkët, dhe z. Arbër Salihu, anëtar i Komisionit, të cilët duke vlerësuar bashkëpunimin me kolegët e Shqipërisë për këtë proces, u ndalën në propozime konkrete për vijueshmërinë e punës.

Në mbyllje të takimit, znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës shprehu gatishmërinë e plotë për të mbështetur nismat dhe projektet për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve në fushën e arsimit.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.